Plagoset me armë zjarri i riu nga Tropoja, dy vite më parë kërcënoi djalin e një biznesmeni
Rustemaj: Më qëlluan dy persona me motor
TIRANË - Një 26- vjeçar nga Tropoja mbeti i plagosur dje me armë zjarri. Atentati i përgatitur ndaj Dejvis Rustemajn, banues në kryeqytet u shënua rreth orës 18: 20, në rrugën "Xhanfize Keko", pranë një xhamie. Burime panë policisë bënë me dije se kanë qenë dy persona që lëviznin me motor që kanë qëlluar drejt tij dhe për pasojë mori plagë në pulpën e këmbës së majtë, duke i shkaktuar thyerje të kockës. Nga vetë dëshmia e të plagosurit, por edhe nga dëshmitarët okularë, ka rezultuar se kanë qenë dy persona që i janë afruar me një motor me ngjyrë të zezë dhe me skafandra në kokë ku pasagjeri i motomjetit ka nxjerrë një armë zjarri pistoletë dhe e ka qëlluar në këmbë 26- vjeçarin. Policia mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes dhe nisi punën për identifikimin dhe vënien në pranga të autorëve, ndërsa pas ngjarjes shoqëruan në polici disa persona të dyshuar. Dejvis Rustemaj është emër i njohur për policinë. I riu ka qenë i dënuar më parë për "Vjedhje me dhunë në bashkëpunim", "Kanosje", "Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit" dhe "Plagosje e rëndë me dashje e kryer në bashkëpunim". Në vitin 2015, Devis Rustemaj së bashku me mikun tij, Anxhelino Çervanaku kanë kërcënuar me armë zjarri djalin e një biznesmeni të njohur karburantesh në Tiranë për shkak të një borxhi. Djali i biznesmenit deklaroi në atë kohë në polici se ai ndodhej i vetëm në momentin që dy personat e lartëpërmendur i kishin prerë rrugën dhe duke i vënë pistoletën në kokë i kanë kërkuar atij shumën e 1 mijë eurove, që ai u kishte marrë borxh pak kohë më parë. xhe. ko