Terrorizmi në Manchester, 22 të rinj humbën jetën
Shpërthimi në arenën ku Ariana Grande po mbante koncert, mes viktimave një 8- vjeçar Identifikohet kamikazi, një 23- vjeçar libanez
Njëzetedy të vdekur dhe 59 të plagosur është bilanci i sulmit terrorist në "Manchester Arena". Ngjarja e rëndë ka ndodhur në një nga qytetet më të mëdha të Britanisë së Madhe, pas një koncerti të këngëtares amerikane Ariana Grande. Ky akt mizor, i shoqëruar me një çmenduri të shtyrë nga dëshira për të vrarë sa më shumë perëndimorë, këtë herë vuri në shënjestër të rinjtë e mbledhur në koncertin e Ariana Grandes. Ajo që e bën edhe më të rëndë këtë tragjedi është fakti se mes 22 viktimave të shpërthimit të fuqishëm, që tronditi qytetin britanik, kishte edhe fëmijë. Tashmë nuk ka dyshime se sulmi ka sfond terrorist. Lajmin e konfirmuan autoritetet policore, të cilat identifikuan edhe terroristin. "Ky po trajtohet si incident terrorist. Besojmë se sulmi është kryer nga një person, i cili mund ta konfirmojmë se vdiq në vendngjarje. Prioriteti ynë tani është të përcaktojmë nëse ka vepruar i vetëm, apo ishte pjesë e një rrjeti më të gjerë", - tha Ian Hopkins, shef policie në Manchester. Nga "Downing Street", kryeministrja Theresa May deklaroi se zyrtarët e sigurisë mendojnë se e njohin identitetin e kamikazit dhe se po përpiqen të shohin nëse ka bashkëpunëtorë. "Ky është një prej akteve më të rënda terroriste që kemi përjetuar në Mbretërinë e Bashkuar. Qyteti ra viktimë e një veprimi të pashpirt", - tha Theresa May. Sipas "BBC", Shteti Islamik ka marrë përsipër përgjegjësinë e sulmit, me një deklaratë të lëshuar në aplikacionin e mesazheve "Tele-
gram". Kamikazi, që sipas mediave britanike ishte i njohur për autoritetet, e që
thuhet të ketë lindur në Britani, vdiq brenda arenës. "CBS News" e identifikon atë si 23- vjeçarin Salman Abedi, me origjinë libiane. Përkrahësit e ISIS- it kishin nisur, ndërkohë, të festonin në rrjetet sociale. Bomba e shpërthyer nga atentatori vetëvrasës besohet të ketë qenë artizanale. Dëshmitarët okularë thonë se kanë parë në tokë gozhda e bulona metalikë. Ndoshta kjo është edhe arsyeja se përse një pjesë e të lënduarve kanë plagë në këmbë. Një prej të mbijetuarve, 17- vjeçari Kieron Ferries i tha agjencisë së lajmeve "Reuters" se, askush nuk ia kishte kontrolluar çantat e shpinës përpara hyrjes në koncert. "Nuk na bënë asnjë kontroll kur hymë në vendin ku u mbajt koncerti. Edhe shokët që takuam pas ngjarjes, na thanë se nuk i kishte kontrolluar njeri. Unë i frekuentoj shpesh shfaqje të tilla dhe jam mësuar që, për arsye sigurie, çantat të na verifikohen", - tha Kieron Ferries, dëshmitar okular. Shpërthimi ndodhi në kohën kur të rinjtë kishin nisur të largoheshin nga auditoriumi gjigant, momenti kur kontrollet e sigurisë ishin më të dobëta. Hetimi iu besua njësisë "North West" të Antiterrorizmit, por nga Londra, gjatë natës janë dërguar edhe përforcime nga "Scotland Yard". Një zëdhënës i kantautores Grande, ndërkohë, tha se ajo është mirë, por e "sh- katërruar" nga lajmi. Pas shpërthimit, në Britaninë që u afrohet zgjedhjeve lokale të 8 qershorit, u vendos pezullimi i fushatës elektorale. Policia britanike konfirmoi më herët, përmes një mesazhi në "Twitter", arrestimin e një 23- vjeçari në lidhje me sulmin.