Vrasja e Cukut, bashkëpunëtorët e krimit kërkohen në Fier, Vlorë e Berat
I dyshuari Mikel Shallari "kyç gojën", që pas arrestimit nuk jep dëshmi Policia i kërkon ndihmë edhe INTERPOL- it
Pas vënies në pranga të Mikel Shallarit, si i dy shuari kryesor që qëlloi me armë komisarin Artan Cuku, uniformat blu janë vënë në lëvizje për të bërë të mundur edhe kapjen e bashkëpunëtorëve të tij. Burime pranë policisë sqaruan se prej disa ditësh po vijojnë kontrolle të imtësishme në disa zona e qytete të ndryshme të vendit tonë. Kontrollet janë zhvilluar në disa banesa e objekte në Fier, Vlorë, Berat e Tiranë, por pavarësisht kërkimeve, policia nuk ka mundur të bjerë në gjurmët e personave që kanë identifikuar si bashkëpunëtorë të 24- vjeçarit Shallari. Ky i fundit dyshohet se ditën që ndodhi ngjarja është informuar nga dy persona për lëvizjet e komisar Cukut, njëri prej të cilëve është edhe kushëriri i tij. Burimet e lartpërmendura thanë më tej se të dyshuarit si bashkëpunëtorë mund të jenë larguar jashtë vendit përmes kufirit të gjelbër. Për këtë fakt, hetuesit e çështjes kanë kërkuar ndihmën edhe nga INTERPOL- i. Ndonëse policia nuk bën me dije emrat e të dyshuarve të tjerë si të përfshirë në vrasjen e Artan Cukut, për shkak të sekretit hetimor, mësohet se emrat dhe fotot e tyre u janë dërguar policive të vendeve të BE- së. Pavarësisht kontrolleve të shumta të kryera nga ana e policisë, nuk është mundur të gjenden as armët e përdorura në krim. Ndërkaq, dy ditë më parë, një 46- vjeçar i cili ishte duke pastruar tek Diga e Liqenit, ka gjetur një pistoletë tip "Beret", e cila është dërguar në laborator për të zbuluar nëse është përdorur në ngjarjen e Cukut ose jo.
I DYSHUARI SHALLARI
24- vjeçari nga Kuçova, ndaj të cilit u vendos masa e sigurisë "arrest me burg", është marrë edhe disa herë të tjera në pyetje. Ndonëse hetuesit e çështjes kanë pohuar se kanë prova të forta se Mikel Shallari është personi që ka tërhequr këmbëzën e armës ndaj komisar Cukut, ai vijon të mos tregohet bashkëpunëtor me drejtësinë. Pas arrestimit, hetuesit kanë tentuar disa herë të marrin dëshminë e tij, por 24vjeçari duket se ka "kyçur gojën", duke mos dhënë asnjë detaj për vrasjen, apo se kush janë porositësit e krimit të rëndë që ndodhi më mbrëmjen e 8 prillit të këtij viti, në hyrje të pallatit ku banonte në rrugën e "Kosovarëve", në afërsi të "Liqenit Artificial", në kryeqytet.
Nga ana tjetër, Policia e Shtetit në bashkëpunim me prokurorë të Krimeve të Rënda vijojnë hetimet për të zbardhur edhe shkaqet e plota që çuan në vrasjen e ishzyrtarit të policisë. Edhe pse prokuroria ka ngritur akuzën se Cuku mund të jetë vrarë për shkak të gjakmarrjes, hetimet janë përqendruar edhe për shkak të punës që ish- zyrtari i lartë i Policisë së Shtetit ka mbajtur gjatë kohës që ka punuar në Fier, Vlorë, Berat por edhe në disa qytete të tjera të vendit. Verifikime janë duke u bërë edhe për incidentin e ndodhur në vitin 2005 në zyrën e Cukut, kur ky i fundit punonte në komisariatin nr. 4, në kryeqytet. Në atë kohë, Agim Daka nga Shkodra kreu vetëvrasje me armën e shërbimit të Cukut. Ndërkaq, më herët prokurori i çështjes tha se hetimet janë duke u vijuar edhe për ndonjë konflikt të mundshëm që Cuku mund të ketë pasur për kohën që drejtonte një shoqëri ruajtjeje fizike.