Starova: Shanse të barabarta, por e kalojmë Botev Plovdivin
Luhet në temperatura të larta, por njëshi i stolit të kuq beson se kjo favorizon ekipin e tij Trajneri pret titullin që iu hoq Skënderbeut
Sulejman Starova mbe tet një personazh gjithmonë interesant kur flet. Përpara ndeshjes në turin e parë kualifikues ndaj Botev Plovdiv, trajneri i Partizanit vlerësoi forcën e kundërshtarëve. Edhe pse pohoi se objektivi mbetet kualifikimi, Starova provon të mbajë ekipin me këmbë në tokë. "Është një kundërshtar i fortë. Objektivi për t'u kualifikuar është shumë i vështirë. Por, edhe pse rivalët janë të fortë, ne do të bëjmë maksimumin për të kaluar turin. Për të qenë më i drejtpërdrejtë, do të thosha që shanset janë 50 me 50. Nëse vapa do të përbëjë një lloj avantazhi, ai do të jetë në favorin tonë".
Ndeshja është e lidhur ngushtë me merkaton, por Starova nënvijëzoi se një prej detyrave të të kuqve është që turin e parë ta përballojë me kontingjentin aktual. Më tej do të mendohet për përforcimet, pasi aktualisht vetëm sulmuesi kamerunas, Mustafa Xhixhua ka firmosur, ndërsa në provë mbeten mesfushori kamerunas, Eloumou dhe sulmuesi serb, Milan Basrak vijojnë provën. "Jemi pa 4- 5 titullarë, duke përfshirë edhe Malotën e dëmtuar pas operacionit. Skuadra ka dy objektiva: do të bëjmë të pamundurën për të përballuar turin e parë, ndërsa më pas koha është e bollshme për të plotësuar ekipin. Ndeshjet janë me dy takime, e mira është që të mos pësojmë gol. Por janë të lidhura bashkë, janë dy ndeshje për të përcaktuar se cili ekipit d të vazhdojë rrugën".
Starova preku edhe temën e titullit të sezonit 2015- 2016 duke pretenduar se federata tashmë duhej t'ua kishte dhënë të kuqve, ndërsa e cilëson atë si arsye shtesë që lojtarët të jenë të motivuar. "Ai trofe nuk ka ku të shkojë, duke llogaritur edhe formën e skuadrës edhe përgatitjet. Ka pasur ndeshje të vjedhura. Nuk e kuptoj përse federata po e vonon caktimin e titullit për ne, por nuk ka si të ndodhë ndryshe. Ai është trofeu ynë dhe është një motivim më tepër. E di që Skënderbeu do ta apelojë dënimin, por nuk ka shkallë më të lartë se Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë, që tashmë ka folur".