FAZA AUSTRIAKE
Kukësi fiton me Rostovin, vendos goli i Pejiçit
Tjetër
fitore për Kukësin në tokën austriake. Kampionët e Shqipërisë pas humbjes shokuese me shifrat 7- 0 ndaj Volfsberger në ndeshjen e parë kanë bërë autokritikë dhe pasi mposhtën në testin e dytë 3- 1 rumunët e Botosanit, kanë fituar edhe miqësoren e tretë. Skuadra e Ernest Gjokës triumfoi 1- 0 përballë skuadrës ruse të Rostovit, që e mbylli në vendin e 5- të kampionatin e fundit dhe që sezonin e kaluar luajti në fazën e grupeve të Champions League. Megjithatë, në fushë nuk ishin emrat që mundën Bajern Mynih në Champions apo lojtarët që u përballën si barabartë me Mançester Junajtid në Europa League, pasi ndaj Kukësit, Rostovi zbriti në fushë me shumë lojtarë të rinj dhe me një pjesë të mirë të rezervave. Në minutën e 22- të, Kukësi arriti të zhbllokonte shifrat me të përhershmin Pero Pejiç në minutën e 22- të, me sulmuesin kroat që përfitoi nga një top i gjatë i Ylli Shametit nga prapavija për të mposhtur të vetmin titullar të Rostovit në këtë ndeshje portierin Ilia Abajev. Verilindorët u treguan shumë pragmatistë në këtë sfidë, pasi shfrytëzuan në maksimum të vetmen mundësi që patën, pasi pjesa e më e madhe e ndeshjes foli për Rostovin, që hasi në rezistencën e Enea Koliçit, i cili ndali çdo tentativë në drejtim të portës së tij nga futbollistët e skuadrës ruse. Në datën 4 korrik në Austri, formacioni i Ernest Gjokës do të sfidojë një tjetër skuadër ruse, pikërisht Dinamon e Moskës. Me 2 fitoret në dy ndeshjet e fundit, Kukësi po jep sinjale pozitive duke paralajmëruar në një farë mënyre Sherifin e Tiraspolit, rivalin në turin e dytë kualifikues të Champions League.