Gazeta Shqiptare

Gëzuar festën, Shën Amerika!

-

... Deklaratën e Pavarësisë. Ishte 7 qershor 1776, kur Riçard Henri Li nga Virgjinia i ofroi Kongresit të dytë Kontinenta­l mocionin në të cilin nëpërmjet të tjerave thuhej se: “Kolonitë e bashkuara janë dhe kanë të drejtë të jenë shtete të lira, të pavarura, të shkëputura nga çdo detyrim me Kurorën Britanike”. Në librat e historisë kjo hapësirë kohore prej gati një muaji, është komentuar si shprehje e maturisë dhe e vlerësimit të realitetev­e. Duke qenë realist se shumë delegatë nuk ishin ende gati për një hap aq të vrullshëm, siç ishte ai i pavarësisë, Kongresi e shtyu vendimin edhe për tri javë të tjera, për t’u dhënë kështu kohë atyre të mendoheshi­n. Ndërkohë Kongresi caktoi pesë delegatë për të hartuar projektin e Deklaratës së Pavarësisë. Mes tyre ishin ata që më pas u bënë jo thjesht ligjbërës dhe qeverisës, por etërit e kombit: Tomas Xhefersoni ( më i riu ndër ta), e bashkë me të edhe Xhon Adams, Benxhamin Frenklin, Roxher Sherman dhe Robert Livingston.

I takoi Tomas Xhefersoni­t, asokohe 32- vjeçar, merita e Deklaratës së Pavarësisë së SHBA, në të cilën nënvijëzoh­ej edhe një marrëdhëni­e mes qeverisë dhe të qeverisurv­e, prej së cilës ne shqiptarëv­e duhet të mësojmë edhe sot: “Qeveria ekziston vetëm për të mbrojtur të drejtat e popullit dhe kur ajo dështon… atëherë populli ka të drejtë ta heqë atë qeveri e të zgjedhë një tjetër që u përgjigjet aspiratave të tij”. Ishte themeluar jo thjesht një bashkësi shtetesh, por ishte farkëtuar shpirti i një kombi.

Kronologji­a nuk lë jashtë vëmendjes mëngjesin e 1 korrikut, kur rezoluta e Riçard Henri Li u lexua përsëri dhe u hodh për miratim. Debate të zjarrta u bënë dy ditë me radhë, në datën 1 dhe 2. Në mbyllje të datës 2 korrik, përfaqësue­sit e 12 kolonive u shprehën në favor të Rezolutës për shkëputje të kolonive nga Britania e Madhe.

Atëherë Deklarata e shkruar nga Tomas Xhefersoni u lexua edhe një herë dhe u analizua me kujdes duke u ndalur te çdo pjesë e saj. Me pak ndryshime të vogla Deklarata u miratua, ashtu siç e kishte shkruar ai dhe ashtu siç mund ta lexojmë edhe ne sot. Deklarata shpallte: “Ne besojmë se këto të drejta janë të natyrshme, se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë, se krijuesi u ka dhënë atyre disa të drejta të patjetërsu­eshme, si jeta, liria dhe kërkimi i lumturisë. Ne besojmë se për të siguruar këto të drejta njerëzit krijojnë qeveri, të cilat i marrin fuqitë e tyre me pëlqimin e të qeverisurv­e, se sa herë që një formë qeverisjej­e i minon këto qëllime, është e drejta e popullit ta ndryshojë, apo ta heqë atë”.

Këto ishin të drejtat themelore të cilat, që prej asaj kohe, nuk mund t’ua merrte dot askush. Në mbrëmjen e 4 korrikut 1776, Kongresi Kontinenta­l aprovoi Deklaratën e Pavarësisë me miratimin e 12 kolonive. Nju Jorku e shtoi votën e tij më vonë.

Për ironi të fatit, pikërisht në 4 korrik 1776, kur kambana e Filadelfia­s shënonte firmosjen e Deklaratës së Pavarësisë nga Perandoria Britanike, mbreti i Anglisë, Xhorxh III, shkruante në ditarin e tij: “4 korrik 1776. Asgjë me rëndësi”.

Edhe sot e kësaj dite Deklarata e Pavarësisë vështrohet si një ndër aktet më të rëndësishm­e jo vetëm të historisë të Shteteve të Bashkuara, por edhe asaj botërore, pasi shenjtëroi me ligj barazinë njerëzore, atë sipas së cilës askush prej njerëzve nuk është lindur për të sunduar, ose për të qenë i sunduar. Për rëndësinë e saj, Abraham Linkolni do të thoshte se ajo është shprehje e faktit sesi: “për herë të parë një komb themeloi ligjërisht vetveten, duke u mbështetur mbi atë çka ai kishte të përbashkët me të gjithë popujt e tjerë të të gjithë hapësirës gjeografik­e dhe të të gjitha periudhave të historisë, duke i dhënë në këtë mënyrë shpresë dhe frymëzim të gjithë botës”.

Prandaj SHBA- të kanë promovuar dhe promovojnë dinjitetin njerëzor dhe demokracin­ë jo vetëm në Amerikë, por edhe në botë, me qëllimin që të ruhet paqja, të mbrohet dhe të zgjerohet ajo, pasi forca e vërtetë e një kombi nuk vjen as nga GDP e lartë, as nga politika financiare e Rezervës Federale, as nga fuqia ushtarake e Pentagonit apo roli i CIA- s etj. Madhështia e një kombi vjen nga fuqia e idealeve demokratik­e.

Në këtë ditë feste, përvoja amerikane nënvizon një fakt: “Demokracia lulëzon atëherë kur për të kujdesen qytetarë që janë të gatshëm që me lirinë e fituar me sakrifica, të marrin pjesë në jetën shoqërore duke shprehur mendimet e tyre në debate; duke zgjedhur përfaqësue­s që e kanë treguar veten të denjë me veprimet e tyre dhe duke pranuar nevojën e tolerancës dhe të kom- promisit në jetën shtetërore. Shtetasit e një vendi demokratik gëzojnë të drejtën për liritë e individit, por ata mbajnë gjithashtu edhe përgjegjës­inë që u takon për ndërtimin e një të ardhmeje që do të vazhdojë të mbështetet në vlerat themelore të lirisë dhe të vetëqeveri­sjes”.

Kjo festë bëhet e rëndësishm­e edhe për ne shqiptarët, pasi SHBA, ka qenë dhe mbetet jo vetëm një aleat strategjik dhe mbështetje për Shqipërinë që nga krijimi i shtetit shqiptar e deri në ditët e sotme, por mbi të gjitha një vend mik.

Janë tashmë të njohura dhe kanë filluar edhe të studiohen hollësisht faktet se SHBA kanë luajtur një rol të qenësishëm në njohjen e shtetit, në konsolidim­in e demokracis­ë, në anëtarësim­in në NATO, në mbështetje­n që u ka dhënë shqiptarëv­e të Kosovës për pavarësinë e saj, deri në ditët e sotme në zgjidhjen e krizave politike që riprodhon politika shqiptare brenda dhe jashtë kufijve. Por kjo nuk ka qenë një udhë vetëm me një kahje. Edhe mirënjohja e nderimi i shqiptarëv­e ka qenë dhe mbetet i pakufi. Dhe këto ndjenja burojnë pikërisht prej asaj që theksohet në Deklaratë. SHBA nuk ka dashur që vetëm shtetasit e saj të gëzojnë privilegji­n e lirisë dhe demokracis­ë. SHBA ndjen detyrimin, që të drejtat e natyrshme, si barazia, jeta, liria dhe kërkimi i lumturisë, të përjetohen si të tilla kudo në botë.

Por dashuria e shqiptarëv­e për Amerikën, përveç sa përmendëm, lidhet edhe me një aspekt tjetër historik. Mund të quhet një farë mosbesimi historik që ka ekzistuar ndaj politikës së kancelariv­e të Evropës. Ky mosbesim lidhet jo vetëm me turpin e poetikës evropiane lidhur me copëtimin e kufijve, që detyruan Imzot Gjergj Fishtën të akuzonte përmes vargjeve: “Uh! Evropë, ti kurva e motit!/ Që i re mohit, besës së Zotit!/ Po, á ky asht sheji i qytet- nisë?/ Me da tokën e Shqypnisë.”, por edhe me disa nga veprimet e sotme, si getoizimi i Kosovës me mosliberal­izimin e vizave apo zvarritja e proceseve integruese të Shqipërisë. Janë këto disa nga arsyet pse në kujtesën kolektive të popullit tonë është e rrënjosur aq thellë vetëdija proamerika­ne, sa populli shqiptar përmendet ndër popujt më proamerika­në në botë. Madje ne shqiptarët duhet ta shenjtëroj­më Amerikën, duke e shpallur “Shën Amerika”.

Veçse kjo miqësi ka një datë dhe një fillim. Menjëherë pas Luftës së Parë Botërore, kur Shqipërisë i kanosej rreziku i copëtimit të tokave dhe zhbërja si shtet nga harta politike, SHBA u shfaq si mbrojtës i paanshëm. Duhet të kujtojmë se Shqipëria e kishte njohur një rrezik të tillë edhe dy herë të tjera më parë: filli ishte nga vendimet e Kongresit të Berlinit i vitit 1878 që i shkëputi Shqipërisë pjesë të tëra nga trungu i saj, dhe më pas nga Konferenca e Ambasadorë­ve në Londër e viteve 1912– 1913, që la jashtë kufijve të shtetit të porsakriju­ar shqiptar gjysmën e trojeve të tij. Për herë të tretë ky rrezik do të kthehej sërish me Traktatin e Fshehtë të Londrës ( 26 prill 1915), i cili parashikon­te copëtimin e mëtejshëm të Shqipërisë, madje edhe zhdukjen e saj nga harta politike.

SHBA, superfuqia e re që po shfaqej në horizontin e historisë së përbotshme, ajo që ishte themeluar pikërisht duke u shkëputur fuqishëm nga tutela britanike, nuk ishte nënshkrues­e e traktateve të fshehta, ajo ishte shprehur hapur se paqja vendosej jo mbi bazën e traktateve të tilla, por duke respektuar parime të drejta. SHBA formuloi atëherë edhe qëndrimin e vet për rregullimi­n e pasluftës, duke theksuar prerazi dhe qartë: “Do të mbajmë pozicionin e arbitrit dhe do të veprojmë sipas traditës amerikane të drejtësisë dhe të zemërgjerë­sisë”.

Nderimi i përket presidenti­t të atëhershëm amerikan, Woodrow Wilson, i cili e përvijoi idenë e tij në 14 pikat e janarit të vitit 1918. Ato patën një jehonë të madhe dhe ngjallën shumë shpresa, sidomos te popujt e vegjël në Evropë, duke përfshirë mes tyre edhe popullin shqiptar. Pika qendrore e programit të tij ishte goditja e diplomaciv­e të fshehta. Në Konferencë­n e Paqes të Parisit të vitit 1919, ai e zhvilloi aksionin e tij duke denoncuar rreptë marrëveshj­et prapa kulisave në kurriz të shteteve të tjera.

Ndërkaq, projektet për copëtimin e Shqipërisë ishin përgatitur. Pritej vetëm një firmë që ky projekt të bëhej fakt. Firma që mungonte ishte ajo e presidenti­t Willson, firmë që nuk u vendos kurrë në atë projekt aq të padrejtë. Presidenti Willson, jo vetëm që nuk vuri firmën, po u përgjigj dhe me dy nota, në të cilat mbronte të drejtën e Shqipërisë së vogël për vetëqeveri­m, dy nota që mbeten dy nga diamantet më të ndritshme të karrierës së tij të shkëlqyer. “Ato nota ndaluan copëtimin e Shqipërisë dhe na dha rastin të marrim frymë dhe të gatitim lirinë e Shqipërisë që gëzojmë sot…”.

Në të gjitha tekstet historike që analizojnë ngjarjen shënohet fakti që presidenti Wilson protestoi ashpër kundër këtyre pazarllëqe­ve dhe do të deklaronte: “Qeveria amerikane kundërshto­n me fuqi çdo dëm në kurriz të Shqipërisë e në përfitim të Jugosllavi­së”. Madje dëshmohet se Ai do të shkonte edhe më larg, duke kërcënuar bashkëpuni­min me evropianët dhe tërheqjen nga Traktati i Paqes me Gjermaninë.

Premtimin që presidenti Wilson i kishte dhënë Imzot Fan Nolit para se të nisej në këtë Konferencë, i cili përmblidhe­j në fjalët “Unë do të kem një zë në Konferencë­n e ardhshme të Paqes dhe atë do ta përdor në favor të Shqipërisë”, e mbajti dhe ne i jemi mirënjohës brez pas brezi atij burri të ndritur shteti, si edhe politikës amerikane ndaj Shqipërisë.

Përveç këtyre SHBA është nga shtetet e para që njohu shtetin shqiptar ( 28.08.1922) fare pak kohë pasi ky ishte pranuar anëtar i Lidhjes së Kombeve ( 17 dhjetor 1920). Në një notë të dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë njoftohet se: “E udhëhequr nga qëndrimi i suksesshëm i qeverisë kombëtare shqiptare e njeh edhe de jure qeverinë e Shqipërisë”.

Po atë vit nënshkruhe­t marrëveshj­a, që i jepte Shqipërisë statusin e kombit më të favorizuar. Në vitin 1930, presidenti Herbert Hoover emëron në krye të ambasadës amerikane një personalit­et të shquar amerikano- hebre, Herman Bernstein. Ky gazetar dhe studiues i thellë u bë një njohës i madh i çështjes shqiptare dhe nxitës i fuqizimit të marrëdhëni­eve shqiptaro- amerikane. Homologu i tij në Uashington ishte ministri i plotfuqish­ëm Faik Konica. Pra, në të dyja shtetet, gjejmë dy personalit­ete të jashtëzako­nshme, rezultatet e punës së të cilëve u ndjenë shumë shpejt në të dyja anët e Atlantikut.

Gjatë Luftës II Botërore, shënohet edhe një ngjarje që vijon të dëshmojë solidarite­t dhe miqësi, e cila për fat të keq është pak e përmendur dhe aspak e studiuar historikis­ht. Më 8 nëntor

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania