Gazeta Shqiptare

Tajar Kazanxhi: Vrava Tashën time, nuk e dua më jetën

Vrasja me sqepar në Plug të Lushnjës, Krimet e Rënda lënë në qeli të dyshuarin 55- vjeçari: Do t'ia plotësoj dëshirën e fundit

-

Gjykata e Krimeve të Rënda caktoi dje, masën e sigurisë "arrest me burg" për 55vjeçarin nga Lushnja, i cili pak ditë më parë vrau me sqepar bashkëshor­ten e tij pas një sherri të nisur mes tyre. Tajar Kazanxhi u ul dje para togave të zeza, ndërsa në asnjë moment nuk pushonte së qari për krimin e rëndë që kishte kryer. Ai akuzohet për veprën penale të vrasjes për shkak të marrëdhëni­eve familjare. I tronditur për krimin që kishte kryer, ai shprehu pendesë të thellë, ndërsa u kërkoi falje fëmijëve të viktimës. Ai tha se e donte shumë Tashën, dhe se tashmë jeta e tij nuk do të kishte më kuptim. Ndërkaq, avokatja e tij mbrojtëse tha për mediat se ka kërkuar ekspertim psikik për 55- vjeçarin.

DËSHMIA E TAJAR KAZANXHIT

"Unë jam një burrë fatkeq. Gjithë jetën time kam punuar dhe me shumë mund ndërtova një shtëpi", e nisi rrëfimin 55- vjeçari, ndërsa rrëfeu më tej për krimin e rëndë që kishte kryer. "Gruaja e parë nuk më dhuroi një fëmijë dhe jeta ime ishte e mjerë. Njohja me Natashën ishte gjëja më e mirë që më kishte ndodhur. Ajo kishte pesë fëmijë dhe shpesh më thoshte që shtëpinë time duhej t'ia lija djalit të saj të madh. Refuzoja, se të vetmen gjë që kisha ishte shtëpia. Ditën e ngjarjes ne shkuam te shtëpia e vajzës së Tashës, për ta pastruar, pasi ajo jeton në Greqi. Bëmë debat dhe unë e godita me sqepar. Nuk di si e bëra. Vrava Tashën time. Do t'ia plotësoj dëshirën e fundit. Shtëpinë do ia lë djalit të saj. S'e dua më jetën. Do të vras veten", ishin fjalët që 55- vjeçari Kazanxhi tha dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda.

Avokatja Megi Zonja kërkoi ekspertim psikik për të mbrojturin prej saj. "Unë kërkova ekspertim lidhur me gjendjen e tij mentale, sepse ai nuk është mirë. Ai ka vuajtur më përpara nga depresioni. Ai është i tronditur dhe vetëm qante. ' Nuk kam vënë dorë kurrë mbi Tashën time', thoshte ai, ' por nuk e di se si ndodhi'", - tha dje për mediat avokatja e tij mbrojtëse. Krimi makabër ndodhi në shtëpinë e vajzës së viktimës, në fshatin Plug të Lushnjës, pasditen e 18 gushtit. Pas një debati mes tyre që kishte nisur për pronësinë e shtëpisë, 55vjeçari goditi me sqepar bashkëshor­ten e tij. Më pas ai shkoi në polici dhe njoftoi për krimin, ndërsa gruaja humbi jetën disa orë më vonë në spital.

 ??  ?? Tajar Kazanxhi në gjykatë
Tajar Kazanxhi në gjykatë

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania