Ministrja e Arsimit: Ja kur publikohet raporti mbi akreditimin e universiteteve
Nikolla, takim me homologun e Kosovës
Brenda
muajit dhjetor të këtij viti, agjencia britanike do të ketë gati për publikun raportin transparent mbi vlerësimin dhe akreditimin institucional të universiteteve. Ky lajm është bërë me dije nga ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla gjatë takimit në ambientet e MASR me homologun e Kosovës, Shyqyri Bytyqi. Të dy zyrtarët shprehën gatishmërinë për vijimësinë e bashkëpunimit midis Shqipërisë e Kosovës në fushën e arsimit. Në fjalën e saj, Nikolla theksoi se integrimi dypalësh i politikave arsimore midis dy vendeve ka rëndësi të veçantë. "Bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Kosovës në fushën e arsimit parauniversitar dhe universitar do të vazhdojë të konsolidohet. Në kuadër të implementimit të kurrikulës së re do të jetë i vlefshëm bashkëpunimi në procesin e kualifikimit të mësuesve, si dhe bashkëveprimi për të gjitha nismat reformuese në këtë sektor", - u shpreh ministrja. Ajo tha gjithashtu se për Ministrinë e Arsimit, reforma në arsimin e lartë është një tjetër proces i rëndësishëm, gjatë të cilit mund të krijohet bashkëpunim dhe shkëmbim eksperience. "Ne do të krijojmë kushtet për të rritur cilësinë në arsim, pasi kjo është sfida jonë e radhës. Jam e bindur se me punë dhe gatishmërinë e përbashkët do arrijmë integrimin dypalësh të politikave arsimore", - u shpreh Lindita Nikolla gjatë takimit. Ndërsa ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës, z. Shyqiri Bytyqi uroi ministren Nikolla për rikthimin në krye të sektorit të arsimit të Shqipëri dhe shprehu gatishmërinë për vijimin e mëtejshëm të bashkëpunimit midis dy vendeve. "Bashkëpunimi midis dy vendeve në fushën e arsimit është shumë i rëndësishëm dhe do të vijë duke u forcuar në vijim. Kosova dhe Shqipëria kanë bashkëpunuar në çështjen e kurrikulave dhe ajo çfarë mbetet prioritare midis dy dikastereve në vijim është rritja e cilësisë në fushën e arsimit", - tha ministri Bytyqi.