Meta: Vepra e Shën Nënë Terezës të jetë udhërrëfyese për të gjithë ne
Presidenti, në përurimin e shtatores së shenjtores në Porec të Kroacisë
Presidenti
i Republikës, Ilir Meta, mori pjesë dje në ceremoninë e përurimit e të bekimit të shtatores së Shenjtores dhe bamirëses shqiptare, Nënë Tereza, me autor Anto Jurki?, të realizuar nga kryetari i Këshillit organizativ, Idriz Sulejmani dhe mbarë bashkësia shqiptare në bashkëpunim me Bashkinë e Porecit. Bashkë me Presidentin Meta ishin edhe kardinali Ernest Simonin ( Troshani), kryetari i Kuvendit të Maqedonisë Talat Xhaferi, ish- presidenti i Kroacisë Stjepan Mesi?, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve Baba Edmond Brahimaj dhe shumë personalitete të tjera nga të gjitha trevat shqiptare. Në përshëndetjen e tij drejtuar të pranishmëve, Presidenti Meta u shpreh: "Jam shumë i lumtur që jam sot këtu për përurimin e shtatores së Shën Nënë Terezës, në këtë qytet, padyshim ndër më të bukurit në botë dhe padyshim që nga sot një nga qytetet më të dashura në botë për shqiptarët kudo që janë. Kroacia, ky vend mik dhe aleat i shqiptarëve gjithmonë ka treguar mikpritje për ne. Lidhjet tona miqësore dhe vëllazërorë me kroatët janë shekullore, janë lidhje gjaku dhe shpirti. Ato janë provuar në të gjitha kohërat që nga koha e heroit tonë kombëtar, Skënderbeu e vazhdojnë deri në ditët e sotme, ku ne kemi si ura shumë të forta shpirtërore Arbanasit e Zarës dhe diasporën tonë të mrekullueshme nga të gjitha trojet shqiptare që jetojnë në Kroaci". "Vlerat shpirtërore dhe humaniste të Nënës Terezës janë bashkim i vlerave më të mira të civilizimit njerëzor, por njëkohësisht edhe të civilizimit shqiptar e në mënyrë të veçantë ato shprehin frymën e tolerancës dhe kulturës së unitetit tonë kombëtar, edhe pse popull me përkatësi të ndryshme besimesh fetare", tha Meta. "Vepra e Nënë Terezës duhet të na udhëheqë në të ardhmen në punën tonë për një shoqëri më tolerante, më mirëkuptuese, me respekt të ndërsjellë dhe solidaritet pa dallime sociale, etnike, kulturore apo religjioze. Sepse ishin këto vlera të mëdha, që e bënë Shën Nënë Terezën, nënën e të gjithë botës të adhuruar nga të gjithë qytetërimet", u shpreh Meta.