Zbardhet dokumenti, zgjidhet me 84 vota Kryeprokurori i ri
Publikimi i memos për pasuesin e Llallës detyron "Ligjet", ta fusin në rend dite Procesi i zgjedhjes, këshilla e DMIP për Kuvendin
Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla sot i mbaron mandati, ndërsa parlamenti do të nisë zyrtarisht procedurën për zgjedhjen e pasuesit e tij. Çështja e Kryeprokurorit ka vënë përballë mazhorancën dhe opozitën. Teksa shumica ka shprehur qëndrimin e saj për zgjedhjen e një kryeprokurori të përkohshëm me 71 vota deri në ngritjen e KLP, opozita është shprehur kundër këtij qëndrimi. Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme u publikua në media një memo e Drejtorisë për Monitorimin e Institucioneve të Pavarura në Kuvend që shpreh qëndrimin se Kryeprokurori duhet të zgjidhet me 84 vota. Zbardhja e mememos ka detyruar Komisionin e Ligjeve që sot ta fusë në rendin e ditës. Memoja e Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, e protokolluar më datë 21 nëntor, do të futet sot në rendin e ditës me relator Bledi Çuçin, për miratimin e procedurës së caktimit të përkohshëm të Prokurorit të Përgjithshëm. Ndërsa mazhoranca shpresonte ta zgjidhte Kryeprokurorin e ri me 71 vota, DMIP këshillon zgjedhjen me 84 vota, duke kujtuar se mbi gjithçka prevalon Kushtetuta. Në memon e Kuvendit dërguar Komisionit të Ligjeve sqarohet qartë se Kryeprokurori i ri duhet të zgjidhet me 3/ 5, pra me 84 vota. Në të thuhet se prokurori i ri nuk mund të zgjidhet me shumicë të thjeshtë. Në dokument theksohet se nga muaji mars dhe deri tani ka rezultuar se nr i kandidatëve që i janë përgjigjur thirrjeve ka rezultuar nën minimum ligjor dhe për këtë arsye është rishpallur thirrja për kandidatë. "Në mbështetje të dispozitës kalimtare të nenit 179 të Kushtetutës së amenduar me ligjin 76, 2016 pika 13 e tij, sipas të cilit parashikohet se deri në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, por jo më vonë se data 1 shtator 2017 zgjedhje e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe Prokurorit të Përgjithshëm do të bëhet me 2/ 3 e anëtarëve të Kuvendit, zgjedhje të tjera do të bëhen me 3/ 5 e anëtarëve të Kuvendit. Në respektim të hierarkisë së normës juridike, Kushtetuta dhe ligji nr. 97/ 2016 dhe Rregullores së Kuvendit neni 55 pika 1, ligjet, vendimet, deklaratat dhe rezultatet konsiderohen të miratuara nga Kuvendi, kur për to kanë votuar shumica e deputetëve në prani të më shumë se gjysmës dhe gjithë anëtarëve të Kuvendit, me përjashtim të rasteve kur në Kushtetutë parashikohet shumicë e cilësuar për miratimin e tyre. Miratimi nga Kuvendi i vendimit për caktimin e Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm duhet të kryhet në respektim të këtyre dispozi- tave",- thuhet në memo. Lidhur me këtë dokument, mësohet se Komisioni i Ligjeve ndryshoi rendin e ditës dhe ka caktuar për të enjten një seancë për diskutimin e memos. Mbledhja e sotme hap kështu procedurat për Kryeprokurorin e ri. Për mazhorancën, deri në ngritjen e KLP- së, do të hyjnë në lojë dispozitat kalimtare të Kushtetutës, që kërkojnë një Prokuror të Përgjithshëm të Përkohshëm, që përmbush kriteret ligjore me një votim të thjeshtë prej 71 votash, sikurse sugjeron EURALIUS dhe OPDAT. Nga ana tjetër, kundërshtimit të opozitës i është shtuar edhe Kuvendi.