Vizat, Avramopoulos: Shqipëria aktive, masat po japin rezultate
KE vlerëson përpjekjet e Shqipërisë për forcimin e masave për emigrantët "Të shtohen përpjekjet për të luftuar krimin"
Komisioneri për Migra cionin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë Dimitris Avramopoulos publikoi dje, raportin për liberalizimin e vizave nga vendet e Ballkanit Perëndimor ( Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, ish- Republika Jugosllave e Maqedonisë, Mali i Zi dhe Serbia). Ai tha se BE është e angazhuar për të ruajtur udhëtimin pa viza, por theksoi se duhet të ketë edhe përgjegjësi nga autoritetet. Dimitris Avramopoulos përshëndeti masat e marra nga Shqipëria për forcimin e masave për trajtimin e migrimit të parregullt, por theksoi se këto përpjekje duhet të vazhdojnë për të siguruar progres të pandërprerë. "Jemi plotësisht të përkushtuar për të ruajtur udhëtimin pa viza për qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe atyre të Partneritetit Lindor dhe po punojmë së bashku me qeveritë e tyre drejt këtij qëllimi". "Por garantimi i kësaj shoqërohet me përgjegjësi, si për qytetarët ashtu dhe për autoritetet përkatëse. Ndërkohë që i njohim përpjekjet e këtyre vendeve për të siguruar që progresi i bërë është i qëndrueshëm dhe që reformat të vazhdojnë të japin rezultate konkrete, nevojitet punë e mëtejshme. Ne presim që të gjitha vendet të rritin përpjekjet e tyre për të trajtuar migracionin e parregullt dhe për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin në veçanti",- tha Avramopulos. Ky raport është vlerësimi i parë në kuadrin e mekanizmit të ri të monitorimit për tetë vendet që kanë kryer dialog për liberalizimin e vizave me BE- në. "Autoritetet shqiptare kanë qenë aktive për forcimin e masave për të trajtuar migracionin e parregullt dhe për përmirësimin e bashkëpunimit me shtetet anëtare më të prekura. Këto përpjekje po japin tashmë rezultate, por përpjekjet duhen mbështetur për të siguruar që zbatimi të vazhdojë i pandërprerë. Me një numër të ndryshueshëm refuzimesh të hyrjes dhe qëndrimesh të parregullta, komisioni u bën thirrje të gjitha vendeve të interesuara që të ndërmarrin veprime specifike, duke filluar nga forcimi i kontrolleve
kufitare deri tek organizimi i fushatave informuese për udhëtimin pa viza",- theksoi komisioneri. Komisioni konsideron se të gjitha vendet e vlerësuara vazhdojnë të përmbushin standardet e liberalizimit të vizave. Megjithatë, kërkohet veprim i menjëhershëm në një numër fushash specifike për të ruajtur zbatimin e tyre të vazhdueshëm dhe të qëndrueshëm. Për disa vende, nevojitet më shumë punë për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, si dhe për të mbajtur nën kon-
troll migracionin e parregullt. Tani është e domosdoshme që këto reforma të jenë të qëndrueshme dhe që vendet të mos tërhiqen në arritjet e tyre. Konkluzionet e raportit nënvizojnë faktin se Shqipëria, Republika e Moldavisë dhe Ukraina duhet të ndërmarrin veprim të menjëhershëm në mënyrë që të sigurojnë përparim të vazhdueshëm në fusha të caktuara. Për Shqipërinë, sfidat e migracionit të parregullt duhet të trajtohen më tej,- thuhet në raportin e komisionerit Avramopulos. "I njohim përpjekjet e këtyre vendeve për të siguruar që progresi i bërë është i qëndrueshëm dhe që reformat të vazhdojnë të japin rezultate konkrete, nevojitet punë e mëtejshme. Ne presim që të gjitha vendet të rritin përpjekjet e tyre për të trajtuar migracionin e parregullt dhe për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin në veçanti",- tha Avramopulos.