Përplasja e policisë nga "Audi" i blinduar, dosja rikthehet në Prokurorinë e Krimeve të Rënda
TIRANË - Dosja për përplasjen e makinës së policisë në Elbasan nga një makinë tip "Audi" e blinduar është rikthyer sërish në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Mësohet se Prokuroria e Elbasanit ka ridërguar për hetim pranë Prokurorisë për Krime të Rënda aktet për vijimin e hetimeve për Enea Bekteshin dhe Kelmend Xhaferrin. Këta dy persona dyshohet se janë përgjegjës për përplasjen me efektivët e policisë. Burime për "GSH" bënë me dije se Prokuroria e Elbasanit e ka rikthyer dosjen te Prokuroria për Krimet e Rënda për shkak të moskompetencës së shpallur nga ajo prokurori, por nuk është konfirmuar në Gjykatën e Krimeve të Rënda në bazë të ndryshimeve të reja të Kodit të Procedurës Penale. Ndërkohë, për personat e tjerë të përfshirë në mënyrë indirekte në këtë ngjarje hetimi po vijon nga Prokuroria e Elbasanit. Për këta persona, me kërkesë të Prokurorisë së Elbasanit, gjykata e këtij rrethi konfirmoi masën "Arrest me Burg". Ngjarja për të cilën akuzohet Enea Bekteshi dhe Kelmend Xhaferri ndodhi mbrëmjen e 18 shtatorit të këtij viti. Bekteshi ka qenë në timonin e makinës së blinduar që goditi mjetin e policisë në hyrje të tregut Agro- ushqimor të Elbasanit. Ai është shprehur se ka qenë nën efektin e alkoolit dhe nuk i ka bërë veprimet me vetëdije. Përplasja ndodhi gjatë operacionit për sekuestrimin e mjeteve të trafikuara apo të vendosura me pasuri të paligjshme. Pas ngjarjes, policia e Elbasanit pohoi se "në lagjen ' Dyli Haxhire', në kuadër të operacionit për bllokimin e këtyre mjeteve, drejtuesit të një mjeti me vlerë 100 mijë euro me targa AA 040 OJ iu kërkua që të shoqërohej për verifikim të dokumentacionit. Në momentin që mjeti po shoqërohej nga grupi ' Shqiponjat' dhe nga një patrullë policie, një mjet tjetër tip ' Audi' vjen me shpejtësi dhe godet mjetin e policisë me targa MB 002 AA".