Gazeta Shqiptare

Jeta art dhe arti jetë, interpreti­mi te "Babai"

Ti thuajse harron që ai plak i sëmurë në skenë është aktor

- Josif Papagjoni

Isha në lozhë teksa shihja Reshat Ar banën në rolin e babait, Andreas, në dramën "Babai", të shkrimtari­t francez Florian Zeller, në teatrit "Skampa" të Elbasanit, regjisor Spiro Duni. Pamja nga sipër është përfshirës­e, sikur ke një ekran të madh përballë dhe, ndonjëherë, harrohesh aty dhe pamja të duket si pikturë në lëvizje. Dimensioni i tretë, që i jep veçanti skenës dhe e dallon nga piktura, skulptura dhe arkitektur­a, krijohet, në fakt, nga aktori që lëviz në hapësirën skenike. Aktori është shpirti i skenës, e gjalla, gjaku dhe limfa e saj, fryma. Hiqe aktorin dhe skena bëhet saora një hapësirë e vdekur, e ngrirë, boshe. Aktori është jeta. Është skena që bëhet jetë. Aktori është ngrohtësia. Është hapësira e ftohtë që mbushet me frymën e ngrohtë të njeriut. Aktori është Perëndia e teatrit. Në trupin, frymën, shpirtin, fjalën, ndjenjën, mendjen e tij që lëviz e digjet, lind miti. Krijohet magjia, iluzioni. Sendërgjoh­et subjekti. Vibron sugjestion­i që na bën të harrojmë se ku jemi, që na huton, na shastis, na çart e na kredh në jermin e bukur të përjetimit të artit…

Po!... Ndërsa ndiqja syngulur lojën e Reshat Arbanës, atje tek ajo hapësirë konvencion­ale e skenës, që herë bëhej e madhe sa vetë historia e herë zvogëlohej në atë "kurth" hipnotik të aktit të tij aktorial, brenda meje lëviznin të gjitha çfarë thashë më sipër, që shënjojnë specifika të njohura të krijimit dhe perceptimi­t të aktit teatror. Por kur shfaqja mbaroi dhe procesi im meditativ e analitik ma rrëmbeu mendjen e zemrën bashkë, i gëzohesha lojës së Arbanës 77vjeçar, dhe një mikut tim që e pamë së toku shfaqjen, aty në dalje të teatrit, nuk reshtja së thëni: E pe çfarë loje? E pe çfarë vërtetësie, çfarë individual­izimi që i kishte bërë personazhi­t, çfarë saktësie e të vepruarit? Hajde gjeje, të lutem, një aktor të tillë në brezin e sotëm! S'dua t'i shpërfill ata, jo aspak, por shkolla tejet realiste e aktrimit të Reshat Arbanës me një vërtetësi gati filmike, si të ishte jetë, diçka e njëmendët e njëherazi aq e përpunuar, aq teknikisht e bukur, aq e përkryer madje, ishte treguesi i interpreti­mit të tij brilant. E shihja se si e bërbëliste fjalën, me përsëritje rrokjesh, tingujsh, ndërprerje të qëllimta, si e llapashist­e frazën enkas, për të dhënë kësisoj mbresën e njeriut me kujtesë të dëmtuar, qerthullin e vdekjes që rri përherë bri nesh, futur thellë në zbrazëtitë e trurit mbytur në kotni e trishtim, por edhe për të krijuar një ligjërim sa më origjinal, sa më jetësor, të atypëratys­hëm, jo si fraza të gatshme e të mësuara përmendsh. Unë, në këtë moshë që kam dhe me shkollën e aktrimit që kam kryer, nuk e kam të vështirë të dalloj "hiletë" më të vogla të aktorëve, shtirjen e tyre, teprinë, "lojën", artificin, sado të fshehura bukur qofshin ato. Kjo përherë më step e më struk disi në vetvete. Është njësoj si gjesti dhe buzëqeshja e një diplomati kur përballë ka dikë që nuk e do, madje e urren, por për hir të interesave të shtetit dhe kombit të tij, duhet ta durojë, s'ka ç'bën, madje të zbardhë dhëmbët gjithë politesë. Por një aktor i formatit të lartë si Reshat Arbana e tejkalonte çdo artific e shtirje. Dhe "mashtrimin" e tij të bukur prej artisti me një barrë përvojë, që s'është veçse përkryerja e lojës, veçse të përshtatur­it në rrethanën e veprës dhe futja nën lëkurën e personazhi­t, veçse transformi­mi i tij psikofizik, sikur të ishte vetë ai babai i shastisur, të cilin e mishëronte. Dhe përtej gjymtimit mendor ( demencës, alzhajmeri­t), ne i trembemi asaj hapësire të terrtë kur vdekja na avitet dhe na nxjerr gjuhën me humbjen e koherencës logjike dhe kujtesën e shkatërrua­r nga sëmundja. Është një tmerr që struket te dhembshuri­a, keqardhja dhe absurdi, si tri ndrikulla a "shtriga" që na thonë se duhet të mbetemi NJERËZ. Dhe e gjitha kjo - mendim, ndjeshmëri, pikëllim, dhembshuri, mesazh dhe kuptim - të falte një kënaqësi të jashtëzako­nshme.

Unë e di se të gjithë aktorët që e kanë parë Reshatin te ky rol së fundmi, e kanë ndjerë këtë çka po them përbrenda tyre, edhe sikur mos ta pohojnë në formën e admirimit, siç unë po e shfaq në këto radhë. Pse? Sepse ai e ka shkrirë figurën me qenien e tij aktoriale për bukuri. Ti thuajse harron se ai plak i sëmurë atje në skenë, që ngatërron dhomat, mobiliet, ditët, vitet, që i është kthyer në mani humbja dhe gjetja e sahatit ( koha e pamatshme, metafora e harresës, bërja nul e saj), që jeton ende me imazhin dhe kujtimin e bijës së vdekur në një aksident vite më parë, që nuk e merr vesh nëse është në Paris, në Londër apo në një azil pleqsh e spital, që grindet aq shumë me vajzën, e cila kujdeset fort për të dhe e ka plagë në zemër ardhmërinë e tij, që është i bindur dhe i sigurt për gjësende që janë shndërruar në fanitje dhe kujtesa të shtypura nga koha, stresi dhe sëmundja, - e pra, ti thuajse harron se ky personazh i mjerë, për të ardhur keq e i mbaruar me tërësej, që të ngjall gjithpo aq shumë mëshirë e dhembshuri, s'është veçse një aktor. Aktori Reshat Arbana, "Artist i Popullit" dhe "Nder i Kombit", dy tituj që i rrinë për bukuri punës së tij të palodhur, karrierës së pasur artistike, emrit të ngritur me talent, djersë, pasion, shumë përkushtim e dashuri.

Këtë shkrim ia kam kushtuar të tërin lojës së R. Arbanës. Zgjedhja e Spiro Dunit ishte e paqortuesh­me. Vetë suksesi i shfaqjes!... Aktorët e tjerë si Hysen Mullajonuz­i, Mario Elezi dhe Elia Zaharia janë në përplotësi­m të tij, ndoshta Flaureta Kureta si e bija solli diç më thellë dhembshuri­në dhe ngrohtësin­ë njerëzore që shkonte gjer në sakrificë. Afëremends­h se unë jam një fans i Reshat Arbanës, ani pse një kritik i teatrit. Por e di se nuk e teproj me lëvdata, sepse në rastin e këtij roli, si dhe në shumë role të tjerë që ai ka qëndisur gjithë kujdes në karrierën e tij teatrore dhe kinematogr­afike, ky rol gjendet në sipëraninë e tij, qoftë pse jo i një natyre të thuket tragjike a dramatike, por i një prerjeje dhe forme tjetër gjithsesi prekëse. Nuk është, të themi një Pilo Shpiragu gjithë shpërthime, klithma, vuajtje, dyshime, luhatje; as një Uill Lomen me fanitjet dhe çartjet e stërmundim­it ekzistenci­al; nuk është një Selim Bruga, një Kuk Emini e të tjerë e të tjerë personazhe të thadruar nga shpirti i tij. Ai është një baba në thelb i dhembshur, por dhe cazë zevzek, me huqe, që i duket se i janë prishur të gjitha, që e ka gëlltitur dhimbjen e humbjes së gruas e sidomos të vajzës së vogël ja ashtu, në heshtjen e burrit dhe pikëllimin e të atit; që edhe pse me ndoca teprime prej natyre ekscentrik­e, në fund të fundit është një baba i dhembshur për vajzën. Dhe kur syri ynë vë re se si e keqtrajton dhëndëri i paduruar e cinik, lëndohemi aq shumë në shpirt, e vëmë veten edhe ne në rrethanën e këtij prindi të sëmurë dhe duam, që nga salla ku jemi ulur dhe ndjekim veprimin teatror, të dhurojmë pakëz ngrohtësi njerëzore, pakëz mëshirë dhe dashuri; duam t'i themi "ndal" dorës që e keqtrajton dhe e rreh këtë plak të gjorë e të pambrojtur, dhe po ashtu t'i themi vetvetes "duro", flake tej shpirtngus­htësinë tënde, mos u bëj kaq cinik, kaq i vockël, kaq zëmërak me një plak! Prindi është figurë e shenjtë, nuk mund të braktiset, paçka se gjithkush në këtë jetë kërkon hapësirën e tij jetike, lumturinë dhe paqen e tij. Të durosh, të përkujdese­sh për të pamundurit, të sëmurët dhe të duash, janë virtyte që lipsen selitur. Dhembja që ndjejmë për fatin e Babait është apeli për më shumë mirësi me tjetrin. Pa na e thënë kush në formë didaktike, ne e kemi marrë ndërkohë mesazhin e shfaqjes falë interpreti­mit të mrekullues­hëm të Reshat Arbanës, asaj vërtetësie gjer tek e pabesueshm­ja, atje ku qenia e aktorit bëhet një me qenien e personazhi­t, ku kufiri ndarës mes tyre është aq i hollë, thuajse i padukshëm, si i shkrirë, saqë lipset një sy i mësuar mirë që të shquaj filigranën e aktrimit kur arti bëhet jetë dhe jeta art. Pikërisht në këtë urë me dy harqe ecën me aq siguri dhe finesë loja fort e bukur e Reshat Arbanës…

 ??  ??
 ??  ?? Në foto: Reshat Arbana gjatë interpreti­mit
Në foto: Reshat Arbana gjatë interpreti­mit

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania