"Dekoratat që shtetet diktatoriale ua japin të vdekurve, po blejnë përkushtime"
Dështimi protokollar në festën e Pavarësisë, Bernard Kushner u la pas deputetëve "Çlirimtarët, sot autokratë; caktuan vijën kufitare me Malin e Zi pa u konsultuar"
të parë i njerëzve të të njëjtit profesion.
Regjimi ynë ka dëshmuar jo një herë se përkushtimin, shërbimin, servilizmin e medieve posaçërisht të disa medieve, e blen edhe me mjete të tjera: edhe me tenderë, edhe me sponsorime, edhe me dhënie të ndryshme, të mbuluara me emra të ndryshëm, por kur e ku edhe me frikësime, me kërcënime, me shantazhe e me mjete të tjera të mendjeve despotike dhe sulltanore!
Nuk ka dyshim se me dekoratat dhe me këto mjetet e sipërtreguara regjimi ynë po blen edhe dy përkushtime që mund të quhen kundërdemokratike dhe kundërkulturore: po blen, në njërën anë censurën, kurse në anën tjetër lavdërimet dhe glorifikimet e regjimit dhe të disa pushtetarëve. Shembull i përkushtimit të këtillë herë servilizues e herë zmadhues, glorifikues janë në radhë të parë, sado jo vetëm ato, RTK- ja dhe Klan Kosova, që me censurën ndaj studiuesve e krijuesve, në përgjithësi ndaj intelektualëve kritikë, posaçërisht ndaj disave prej tyre, në njërën anë, kurse me tejlavdërimet, me glorifikimet e me krijimin e kultit të individit të ndonjërit prej pushtetarëve, të krijimit të veçanësisë në parëndësi, në anën tjetër, po na kthejnë në kohë të errëta të regjimeve të cilat shuajnë sundimin e ligjit, drejtësinë, të vërtetën, mendimin dhe fjalën e lirë! E të tjera.
Dhe, kështu në disa vende e në disa kohë dekoratat vërtet luajnë rolin famëkeq që e luanin edhe në kohën e Makiavelit gjenial: bëhen frymëzuese dhe privilegjuese të shpirtrave të shitur që vihen në shërbim të despotëve.
Në vazhdim të këtij shkrimi po bëj një pyetje: çka tregoi dhënia e kësajhershme e dekoratave për 10 vjetorin e Pavarësisë, që vazhdojnë të jepen kush e di dhe sa ditë e javë në Kosovë? Tregoi shumëçka. Tregoi çka dihej dhe tregoi çka nuk dihej, tregoi çka pritej e tregoi çka nuk pritej!
Dhënia, kujtdhënia, kujtmosdhënia dhe, sidomos, pasdhënia e dekoratave kësaj herë në Ditën e madhe të Pavarësisë dhe për Ditën e madhe të Pavarësisë në radhë të parë tregoi si kuptohet, si shfrytëzohet dhe si shpërdorohet politika në Kosovë sot!
Dhe, tregoi çfarë idesh, çfarë ndjenjash, çfarë durimesh e çfarë mosdurimesh e përcaktojnë dhe e ndryshojnë këtë politikë të regjimit tonë.
Dhe, tregoi se si disa nga pushtetarët, dikur çlirimtarë e sot autokratë, nuk ngurrojnë të bëjnë betejë politike kundër ish mësuesve të vet, sot kritik të autoritarizmit të tyre e dje ndërtues të politikës së çlirimit të Kosovës prej okupacionit serb e jugosllav kur ata vetë ende bartnin stafetën e Titos, duke përdorur në këtë betejë edhe ish rrogëtarë të regjimit të Millosheviçit tani autoritete në shtet a në propagandë regjimore!
Pas nënshkrimit pa konsultuar Kuvend dhe pa konsultuar ekspertë, domethënë pas nënshkrimit "baba Kros vetë shkruan e vetë vulos" të Marrëveshjes për caktimin e vijës kufitare me Malin e Zi, të marrëveshjes për krijimin e Bashkësisë së komunave serbe dhe pas krijimit duke ndërruar Kushtetutën të Gjykatës së Veçantë, që sollën shumë çrregullime politike të shprehura si krizë institucionale, edhe dhënia, mosdhënia dhe pasdhënia e dekoratave për 10 vjetorin e Pavarësisë me solemnitetet përcjellëse tregoi se sa diletante, se sa e privatizuar, se sa e pa rend e rregull mund të jetë politika jonë shtetërore!
Si sqarimet, përshtjellimet dhe komisionet për vijën kufitare me Malin e Zi, si ofensiva e pushtetarëve kryesorë për krijimin e mandej "ofensiva" duarfshehur e të njëjtëve për shfuqizimin e Gjykatës së Veçantë, po ashtu edhe dhënia, pasdhënia, në të vërtetë "sqarimi" katër ditë pas shpalljes së Listës me emrat e kandidatëve për dekorim, së cilëve s'u jepet dekorata e që u fshi shpejt prej faqes së internetit të presidencës së Kosovës, treguan se dhe gënjeshtrat e mashtrimet janë bërë metodë e politikës sonë shtetërore, që vjen gjithnjë e më dukshëm duke e komprometuar këtë politikë në sytë e ndërkombëtarëve dhe në sytë e qartshikuesve tanë.
Këtyre të këqijave që shfytyrojnë politikën tonë shtetërore sidomos në sytë e ndërkombëtarëve t'ua shtojmë edhe një të keqe formale e në të vërtetë shumë treguese: mungesën elementare të kulturës së protokollit qoftë edhe në solemnitete shtetërore! Po të mos vuanim prej kësaj çorodie politike nuk do të ndodhte që me rastin e parakalimit të Trupave të Sigurisë së Kosovës dhe të Policisë, në mjedisin e Tribunës të krijuar me atë rast, të radhiten vetëm pushtetarët e sotëm e të djeshëm të Kosovës, të Shqipërisë dhe të shqiptarëve të Maqedonisë, kurse të vetmit mysafirë evropianë, miqtë e shumëmerituar për institucionalizimin e Kosovës menjëherë pas luftës, Bernard Kushneri dhe Dan Evertsi, të "braktiseshin" në skajet e kësaj tribune ku nuk i kapnin as kamerat televizive! Atyre madje nuk iu dha as mundësia për një fjalë rasti a fjalë përshëndetjeje.
Dhe, më tej, në sallën ku shfaqej Koncerti kushtuar 10 vjetorit të Pavarësisë, nuk do të ndodhte që mysafiri më i çmuar në këtë manifestim, kryeadministratori i Kombeve të Bashkuara në Kosovë menjëherë pas Luftës, Bernard Kushner, të lihej në rreshtin e tretë, pas shpinës së kryetarëve, kryeministrave, zëvendëskryeministrave, ministrave, zëvendësministrave, deputetëve e të tjerëve, të kurdisur në dy rreshtat e parë të kësaj salle!
Dhe, kështu e treguam në të vërtetë e kompromentuam kulturën tonë protokollare dhe kështu e cenuam bujarinë, mikpritjen tonë dikur të lavdishme kombëtare.
E të tjera! E të tjera! Të ngjashme e të pangjashme!