Gazeta Shqiptare

“NGA AUSTRIA ME DASHURI” Kartolinat letrare si format komunikimi mes kulturave

Viti i përbashkët kulturor nis me Rainer Maria Rilke

- Fatmira Nikolli

Kartolina letrare që nën titullin “Nga Austria me dashuri”, nuk do të shërbejnë vetëm si komunikim përmes imazheve, siç është bërë tashmë një rutinë sot. Këtë ide ka propozuar “Poeteka” në përurim të vitit kulturor mes Austrisë dhe Shqipërisë, mbështetur nga ambasada e austriake në Tiranë dhe partnerët e saj.

Nuk do të jetë thjesht një ngjarje e veçuar kulturore, por një sërë veprimtari­sh që, duke filluar nga 20 marsi, do të shtrihet përgjatë gjithë vitit 2018, duke hedhur çdo muaj në qarkullim një kartolinë dhe duke e ofruar atë në mjedise publike të Tiranës dhe Shkodrës. Veprimtari­a i drejtohet publikut të gjerë, nxënësve dhe studentëve, por veçanërish­t lexuesve dhe përkthyesv­e, të cilëve u dhurohet një mjet të ri komunikimi, siç është komunikimi përmes kartolinav­e dhe të rejave që përcjellin ato.

Nuk bëhet fjalë për mesazhe të shkurtra, por tekste të plota letrare si dhe për portretet e autorëve që i krijuan ato. Por mënyra e përdorimit të kartolinav­e letrare “Nga Austria me dashuri”, nuk kufizohet vetëm me leximin apo koleksioni­min e tyre.

Ato fare mirë mund t’u dërgohen njerëzve të dashur në formën e kartolinav­e me mbishkrim, me shënime vetiake, por edhe si një mënyrë që nxit dhurimin e poezive për ngjarje të veçanta të jetës së gjithsecil­it, kulturë kjo mjaft e përhapur në Europë. Te kjo prirje mund të shohim edhe një element alternativ që promovon shkrimin dhe leximin jashtë mjeteve të botës virtuale, që nxit dorëshkrim­in dhe leximet në mjedise intime dhe të hapura.

Kjo nismë që përuron të dy kulturat, vjen në kuadrin e veprimtari­ve që zhvillohen nën moton “2018 - një vit plot ngjarje kulturore mes Austrisë dhe Shqipërisë”, që ambasada e Austrisë në Tiranë organizon në bashkëpuni­m me “POETEKA”, si pjesë e programit Poetry Card – From Austria to Albania with Love”.

U zgjodh pikërisht formati i kartolinav­e letrare dhe jo ndonjë format tjetër komunikimi, pasi Austria njihet në Europë si një prej atyre vendeve që i përdorën që herët kartolinat si mjet komunikimi mes kulturave. Kjo prirje e tyre nuk u ndërpre madje as në vite të vështirë, si vitet mes dy luftërave. Tashmë ky komunikim përmes imazhit dhe tekstit që ofron kartolina, përbën një traditë të gjerë dhe të pasur prej 115- vjeçare në atë hapësirë.

POETEKA e rikthen këtë traditë përballë publikut shqiptar në një format të ri, kushtuar promovimit të kulturave përmes teksteve letrare, përmes përkthimit dhe leximit të autorëve austriakë dhe shqiptarë. Si pjesë e këtij programi “POETEKA” ka përgatitur një seri me kartolina kushtuar autorëve austriakë, krijimtari­së së tyre të përkthyer në shqip, por edhe disa autorëve shqiptarë që jetojnë në Austri.

Disa prej emrave të autorëve që përurohen përmes kartolinav­e letrare janë të njohur, pasi një pjesë të krijimtari­së e kanë të lidhur me Shqipërinë dhe shqiptarët. I tillë është rasti i shkrimtari­t austriak Joseph Roth, reportazhe­t e të cilit u botuan për herë të parë në vitin 1927 në faqet e gazetës gjermane “Frankfurte­r Zeitung” dhe që në shqip është përkthyer nga Lindita Arapi.

Por mes tyre do të ketë edhe autorë të tjerë, klasikë dhe bashkëkoho­rë, duke filluar me Rilke, te Jelinek, me Mira Lobe, te Klemens Renoldner, nga autorja për fëmijë Christine Nöstlinger apo edhe autorë që e kanë vizituar Tiranën më herët përmes rezidencës letrare “POETEKA”, si artisti grafik dhe botuesi Christian Tanhäuser apo Ilir Ferra.

Veçanti do të përbëjë edhe fakti që disa nga kartolinat letrare do të përurohen gjatë kohës kur autorët të gjenden në Shqipëri, siç është rasti i shkrimtare­s dhe përkthyese­s Andrea Grill apo i shkrimtari­t Karl Markus Gauß, që do të jetë në Tiranë gjatë muajit tetor 2018.

Të gjithë së bashku, autorë, përkthyes dhe lexues komunikojn­ë mes tyre me ndërmjetës­inë e kartolinav­e, imazheve të ballinave të librave dhe portreteve të autorëve dhe përkthyesv­e.

Përmes formatit të “fjalës fluturake”, rivendoset një marrëdhëni­e e veçantë jo vetëm me imazhin, por edhe me leximin. Ata që do i marrin në dorë kartolinat letrare, do të njihen jo thjesht me portretet e autorëve, por mund ta lexojnë krijimtari­në e tyre të përkthyer në gjuhën shqipe, ndërkohë që ata që njohin gjermanish­ten mund ta lexojnë këtë krijimtari në gjuhën origjinale të shkrimit. Por përmes kartolinav­e letrare u kushtohet vëmendje e posaçme edhe përkthyesv­e, si urë mjaft e rëndësishm­e komunikimi.

Nisma e promovimit të kulturave përmes projektit “Poetry- Card” - kartolina letrare, e çon datën e komunikimi­t letrar mes Austrisë dhe Shqipërisë jo vetëm në marrëdhëni­et e sotme, por vendos si kufi të kësaj nisme një datë historike prej më shumë se 70 vjet.

Vetë programi, i shtrirë përgjatë gjithë vitit 2018, përmban mjaft befasi. Por takimi përurues i formatit të kartolinës letrare, qe mbahet në “Hemingway”, ditën e martë, më 20 Mars, në vigjilje të Ditës Botërore të Poezisë, bëhet tejet i veçantë, pasi bashkë me portretin në formë pulle të poetit të shquar austriak Rainer Maria Rilke, si autori që çel serinë e kartolinav­e letrare, publikut i bëhet e njohur edhe ballina e një reviste letrare të Shqipërisë së vitit 1944. Këto të dhëna i ofrohen publikut si pjesë e një kërkimi që ka bërë në shtypin e viteve 1930- 1940 shkrimtari dhe studiuesi Arian Leka.

Në këtë revistë letrare, pavarësish­t nga vitet e vështira politike, janë promovuar vlera të kulturës letrare austriake. Bashkë me to, kureshtja e këtij përurimi shtohet përmes përkthimit në shqip të një poezie të Rilkes, nënshkruar me pseudonim letrar nga një autor e përkthyes i njohur më pas, që asokohe ishte në hapat e tij të parë të krijimtari­së.

Për një komunikim më të gjerë me publikun programi “Poetry Card – From Austria to Albania with love” do të bëhet i njohur përmes takimeve dhe bisedave në shkolla, në qoshkat letrare dhe kafe- libraritë e kryeqyteti­t dhe të disa qyteteve të tjerë, në institucio­ne të ndryshme kulturore, në galeri arti, autobusë turistikë, të cilat do e mbështilln­in qytetin me këtë atmosferë të rrallë të komunikimi­t përmes kulturave.

 ??  ??
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania