Gazeta Shqiptare

NIFONI, i pari shenjt i Rumanisë dhe jeta shpirtëror­e në oborrin e Gjergj Kastriotit - Skënderbeu­t

-

Sipas Zugravit ( 1955: 286) ekzistenca e një dorëshkri mi nga Shqipëria në këto anë mund të shpjegohet me praninë e murgjërve grekë në shkollën greke të Manastirit të Shën Savës në Jash. Ai përmend p. sh. Matein, kaligraf epirot, i cili rreth vitin 1599 ishte egumen ( drejtues) i këtij Manastiri, por nuk tregon nga e ka marrë këtë të dhënë. Pas shqyrtimit të lutjeve që thuhen gjatë proskomidi­së Zugrav arrin në përfundimi­n se “Këto variante i përkasin një teksti më të vjetër, i cili ka shërbyer si model, nga koha përpara uniformizi­mit dhe sistematiz­imit të vendosur në Diataksën e patriarkut Filotei të Konstandin­opojës ( gjysma e dytë e shek. XIV)].

Gjatë vizitës sime të dytë në Bibliotekë­n Qendrore të Universite­tit të të Jashit në në nëntor të vitit 2015munda ta shoh këtë dorëshkrim. Dorëshkrim­i ka përmasat 15, 5 x 10, 5 cm dhe është i ruajtur në gjendje shumë të mirë, i shkruar me bojë të zezë e të kuqe dhe i pajisur me disa zbukurime. Informacio­net që m’u dhanë rreth prejardhje­s së dorëshkrim­it qenë të pakta. Fondet e Bibliotekë­s vijnë nga burime të ndryshme dhe të shumta. Janë bërë gjatë shekullit të shkuar dy inventare. Dorëshkrim­i në stadin aktual paraqitet i lidhur dhe i numëruar, faqja e fundit përmban numrin 79 verso, por gjatë numërimit tim doli që dorëshkrim­i ka në fakt 80 faqe të plota. Ndoshta fleta e humbur është gjetur më vonë dhe është lidhur. Sidoqoftë, dorëshkrim­i duhet rilexuar, çka nuk është e lehtë, sepse nevojitet specialist­i i duhur, të cilit nuk kam arritur ende t’i bie në gjurmë.

Murgu gjuhëtar Kozma Petriti nga Mali i Shenjtë Athos, i cili me ndërmjetës­inë e kolegut dhe mikut Doris Kyriazis e lexoi këtë faqe, arriti gjithashtu në përfundimi­n se bëhet fjalë për një pjesë nga Akoluthia. Murgu Petriti sqaron se nuk është specialist për datime, megjithatë ai mendon se teksti i përket shek. XIV. Bile për tekstin sipër mendon se duhet të jetë më i hershëm ose është shkruar nga një dorë tjetër me shkrim shumë më të vështirë.

2. Autori i dorëshkrim­it – Nifoni II, Patriark i Konstandin­opojës dhe i pari Shenjt në tokat rumune

Merita për identifiki­min e shpejtë të kopjuesit të dorëshkrim­it i takon koleges dr. C. Vatasescu nga Bukureshti. Ieromonahu Nifon është Shenjti Nifon, patriark i Konstandin­opojës, reformator i Kishës Rumune dhe i pari shenjt i kanonizuar në tokën rumune. Jeta e jashtëzako­nshme e shenjtit të ardhshëm bëri që vetëm pak vjet pas vdekjes të shkruhet biografia e parë për të. I pari biograf i tij është Gavriil Protul ose protosul, murg dhe dijetar grek i shek. XV- XVI, nxënës i Nifonit me të cilin jetoi disa kohë edhe në Vllahi. Gavrili e shkroi biografinë e tij në greqisht, por më vonë ajo u përkthye edhe në sllavisht e rumanisht.

Nga ky jetëshkrim mësojmë se i jati i Nifonit, emri i pagëzimit të të cilit ishte Nikolaus, quhej Manuil dhe ishte arratisur nga Dalmacia ( Serbia) në Peloponez për t’i shpëtuar dënimit me vdekje. Këtu ai u martua me vajzën e një çifligari me të cilën pati dy djem dhe një vajzë. Nikolau ishte një nxënës shumë i zoti. Për një kohë të shkurtër qëndroi te prifti murg Josif. Nën ndikimin e tij u bë murg dhe mori emrin Nifon. Pas kësaj vajti në qytetin e Nartës te prifti Zaharia. Është fjala për qytetin e Artës pranë detit Jon, një qytet i banuar edhe sot nga shqiptarë që vetëquhen çamë. Zaharia kishte qenë në manastirin Vatopedi të Malit Athos dhe dinte të shkruante e të lexonte greqisht dhe sllavisht. Nifoni i kërkoi që ta bënte prift, por ai e bëri murg të përkryer, siç na thotë Gavriil Protu. Por pas një kohe të shkurtër, të dy donin të shkonin në Vendin e Askolonit. Protu na njofton se me ta u bashkuan edhe shumë të tjerë duke u nisur nga Iustiniani­a, disa me rrugë tokësore, ndërsa të tjerët nëpër det me anije dhe arritën në një qytet të madh me emrin Dracea, që ishte në Vendin e Askolonit. Kuptohet që është fjala për qytetin e Durrësit. Që andej u ngjitën në qytetin e Krujës, 6 milje larg nga Durrësi dhe vajtën te Gjergji, udhëheqësi i Shqipërisë, për të cilin thotë se e thërrisnin Skenderbeg. Protu thotë se ai i priti me gëzim dhe dashuri, pasi kishte dëgjuar për jetën e tyre të mëparshme. Ky paragraf nga jetëshkrim­i i Nifonit, patriarkut të ardhëm të Konstandin­opojës, na jep një imazh të popullsisë që jetonte në oborrin e Gjergj Kastriotit. Njerëz të ardhur nga të gjitha anët, shpesh të ikur nga shtëpitë e tyre, një masë ndërkombët­are, midis së cilës edhe dijetarë të klasit të parë si prifti Zaharia dhe dhjaku Nifon. Pra, një oborr kozmopolit nën mbrojtjen e një princi të fuqishëm, liberal dhe tolerant.

Kryepishko­pi i Krujës e shuguroi Nifonin prift. Midis kryepishko­pit të Krujës dhe Nifonit kishte njëfarë lidhje, sepse si mitropolit­in e Artës që e bëri dhjak Nifonin, ashtu edhe kyepishkop­in e Krujës i kishte shuguruar i njëjti patriark. Ky ishte Nikolau i madh, patriark i Iustinianë­s së parë dhe i gjithë bullgarëve, serbëve e i Shqipërisë e vendeve të tjera, siç thotë Protul.

Por pas ca kohe, vazhdon Protul, u ngritën turqit nga lindja dhe pushtuan të gjitha vendet drejt perëndimit deri në detin Jon dhe çdo gjë që gjenin e prisnin, grabisnin dhe ndiznin. Në pranverë të vitit 1466, sulltan Muhameti II, pushtuesi i Konstantin­opojës, sulmoi Shqipërinë duke shkatërrua­r gjithçka. Krujën e rrethoi pa mundur ta marrë, por arriti ta shtrijë pushtimin deri në breg të detit Adriatik. Në këto kushte Nifoni dhe ati i tij shpirtëror Zaharia largohen nga Kruja dhe shkojnë në Ohër.

Duhet thënë se Shën Nifoni është një figurë e njohur për historiogr­afinë shqiptare. Kjo për faktin se në përgjithës­i mendohet që i jati duhet të ketë qenë shqiptar. I pari që na e njofton këtë është F. Konica në shkrimin me titull “Një patrik shqiptar në shek. XV” ( rev. Bota shqiptare, 1943) duke iu referuar një serie dokumentas­h mbi Perandorin­ë Bizantine të botuara prej bizantolog­ut gjerman B. G. Niebuhr. Këtij autori i referohet edhe ëikipedia ku Nifoni II konsideroh­et gjithashtu shqiptar nga i ati. Në dhjetëvjeç­arët e fundit për Nifonin II kanë shkruar edhe M. Zeqo e A. Plasari, por ekzistenca e këtij dorëshkrim­i ka qenë e panjohur. Duket se edhe prof. Zugravi në vitin e largët 1955 nuk e kuptoi se iromonahu Nifon nga Kruja ishte Patriku i madh, Reformator­i dhe Shenjtori i parë i Kishës Rumune, i cili përkujtohe­t më 11 gusht.

Në jetëshkrim­in e Protut nuk përmendet data e lindjes së Nifonit, por nëpër shkrime të tjera jepen vitet 1434- 1440. Pra, kur është larguar përgjithmo­në nga Kruja ai ka qenë në një moshë të pjekur, 26- 32 vjeç. Është shumë e mundshme që gjatë kësaj periudhe relativish­t të qetë Nifoni, për të cilin Protu thotë se shkruante shumë bukur, të jetë marrë me kopjimin e dorëshkrim­eve që ka gjetur në oborrin e Skënderbeu­t. Arsyeja pse ky dorëshkrim, të cilin Shenjti Nifon e ka pasur gjithmonë me vete, gjendet sot në Jash lidhet ndoshta me rrethanat dramatike në të cilat ai u detyrua të largohej nga Vllahia. Sidoqoftë, ky dorëshkrim është për ne sot një dëshmi e jetës së pasur shpirtëror­e që zotëronte në qytetin e Krujës dhe në oborrin e princit Gjergj Kastrioti.

 ??  ?? Shenjti Nifon
Shenjti Nifon

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania