Bashkia: Nuk prekim teatrin! Artistët: Pse negociuat për projektin “fantastik”?
Artistët përplasen me policinë para hyrjes në mbledhjen e këshillit bashkiak PD e LSI braktisin mbledhjen, miratohet vendimi për bashkëpunimin PPP Privatit i jepen troje shtetërore për përdorim e rijetëzim në zona të ndryshme
Mbledhja e djeshme e Këshillit Bashkiak të Tiranës ka nisur me përplasje që te dera e bashkisë. Ndonëse kishin konfirmuar pjesëmarrjen në sallë, disa prej artistëve dhe grupit të shoqërisë civile që prej dy muajsh protestojnë për të mbrojtur godinën e Teatrit Kombëtar, nuk janë lejuar të hyjnë në mbledhje. Ka qenë rendi i ditës dhe një projektvendim, për dhënien e pronave shtetërore me PPP, që i ka detyruar artistët të mësyjnë bashkinë, duke ndjerë përmes këtij projektvendimi rrezik për të ardhmen e Teatrit Kombëtar.
Si fillim, këshilltarët e PD dhe LSI e kanë braktisur Këshillin Bashkiak, duke deklaruar se nuk do i marrin kurrë votat e tyre, as për transformimin e parkut Rinia e as për Teatrin Kombëtar.
PËRPLASJA ME POLICINË
Një grup artistësh të mbledhur para Bashkisë së Tiranës tentuan të futen në ambientet e bashkisë, ku po zhvillohej mbledhja e Këshillit Bashkiak, për të ndjekur nga afër mbledhjen.
Ata u përplasën me policët, që kishin bllokuar derën e bashkisë dhe nuk i lejuan artistët të futeshin brenda për të shmangur ndonjë përplasje.
Ndërkaq u lejuan të futen brenda vetëm tre artistë, Kastriot Çipi, Robert Budina dhe Alert Celoaliaj. Këta të fundit deklaruan pas daljes nga mbledhja se nuk e besojnë atë që thonë këshilltarët e majtë.
PREMTIMI I BASHKISË
Këshilltarët bashkiakë thanë dje se po i jepet e drejta bashkisë që të negociojë një procedurë për kalimin e disa pronave shtetërore, që ndodhen në territorin e Bashkisë së Tiranës me qëllim përmirësimin e infrastrukturës, arsimimit dhe fushave të zhvillimit ekonomik. “Ka disa procedura dhe disa prona shtetërore i kalojnë Bashkisë së Tiranës. Ka një kërkesë me të cilën ne i japim dritën jeshile bashkisë që të nisë procesin, për t’i kaluar këto prona shtetërore në pronësinë e saj”. Pas miratimit të kalimit të pronave shtetërore në pronësi të bashkisë së Tiranës, u kalua në çështjen tjetër të rendit të ditës për zhvilluesit privatë që kanë shprehur interesin për të bashkëpunuar me bashkinë e Tiranës nëpërmjet marrëveshjes me sipërmarrjen.
Sipas bashkisë, bëhet fjalë për prona kufitare me persona privatë, e për prona që nuk janë në funksion. “Për shkak se bashkia Tiranë në bashkëpunim me privatin në zona të caktuara mund të ndërtojë, kopshte, qendra shëndetësore, çerdhe që janë në kufi me prona private e që mund të shërbejnë për qendra sociale, ka një projektvendim. Së dyti, bëhet fjalë për objekte të rrënuara, që ndodhen ne periferi të bashkisë së Tiranës, e që sot janë në administrim e saj. Në bashkëpunim me privatin u jepet jetë. Përmes medias mësohet se është thënë që kjo ka lidhje me teatrin. Por lidhja me teatrin është zero, e këtë e them si qytetar. Kjo nuk ka lidhje fare me atë çfarë diskutohet, nga media në lidhje me teatrin”,- tha kryetari i Këshillit Bashkiak Aldrin Dalipi.
Ai shtoi se “ndjen keqardhje për çdo lloj keqinterpretimi të kësaj çështjeje. E them me përgjegjësi institucionale që ky vendim nuk ka lidhje fare me Teatrin Kombëtar në asnjë pikë të sajën. Një vendim i tillë, një kontratë e tillë kërkon 3/ 5 e votave, kërkon më shumë se ç’jemi ne”.
Si për të dhënë më shumë siguri, Dalipi theksoi se “Teatri nuk është pronë e bashkisë dhe nuk e menaxhon bashkia. Ndaj, i bëj një thirrje këshillit që në këtë vendim të shkruhet: Ky vendim nuk ka asnjë pasojë për truallin e Teatrit Kombëtar të Tiranës.
Ky është propozim i qartë dhe shumë i ndershëm. Po ju jap një garanci meqenëse situata erdhi kështu. Është situatë keqkuptimi”.
Pas kryetarit të Këshillit Bashkiak, fjalën e mori nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Abaz Hado. Ai sqaroi se asnjë prej projektvendimeve që ishin në rendin e ditës të Këshillit Bashkiak nuk ka të bëjë dhe nuk trajton çështjen e truallit të Teatrit Kombëtar.
Duke folur para këshilltarëve, në cilësinë e një njeriu që vjen nga fusha e artit, tha se: “” Unë besoja që duke qenë gjithë jetën në art zotërinjtë do të kishin të drejtën të ma jepnin mua, të më dëgjonin. Projektvendimi në fjalë vjen si një nismë inovative për të shfrytëzuar edhe ato prona që janë në pronësi të Bashkisë Tiranë dhe që janë amortizuar e minimizuar me kalimin e viteve. Sipas këtij projektvendimi pronat që do të zhvillohen sipas kësaj nisme, më pas do të merren sërish në dispozicion nga Bashkia e Tiranës, për t’u shfrytëzuar për programe të ndryshme sociale, si banesa me bonus qiraje për familjet në nevojë apo pika shërbimi për qytetarët”.
ARTISTËT: NUK BESOJMË
Që gjatë mbledhjes artistët u treguan skeptikë.
Fjalisë së Dalipit që “ka një klimë mosbesimi, e cila frymëzohet nga një luftë politike”, Robert Budina iu përgjigj menjëherë: “Nuk dua t’ju dëgjoj fare. Nuk jemi politikë fare, fare”.
Me të dalë nga mbledhja, artistët shprehën keqardhjen për mbledhjen.
“Na drejtoheshin ne, kur nuk kishim të drejtën e fjalës. Nuk mund të tallen me ne. Na thonë tani që kanë vënë kllapa e paragrafë. Duhet të merren juristët me mënyrën se si na u drejtuan.
Kryesia e Këshillit Bashkiak dhe nënkryetari i bashkisë u munduan të na bindnin se teatri nuk kërcënohet nga kjo dhe se trualli i Teatri Kombëtar dhe institucioni i Teatrit Kombëtar janë nën administrimin e MK- së. Ne këtë e dimë, por dimë edhe se në këto kushte, Z. Veliaj i ka dhënë të drejtën vetes të negociojë, të gjejë një arkitekt dhe ta shpallë në Këshillin Bashkiak në datën 23 nëntor të vitit të kaluar, që ka marrë një propozim për një projekt fantastik për teatrin në një kohë që edhe atëherë teatri, nuk ishte në administrimin e bashkisë”,- tha Kastriot Çipi.
Ai shtoi se për klimën e mosbesimit mund të thuhet edhe më shumë. “E përsëritën disa herë fjalën ‘ klimë mosbesimi’ dhe mund ta përsëris edhe unë prapë, klimën e mosbesimit, sepse ne si sindikatë nuk kemi besim te bashkia. Ne i kemi bërë thirrje bashkisë që prej dy muajsh, për të bërë transparente të gjithë procedurën që ajo ka ndërmarrë duke përfshirë edhe komunikimin me firmën që ka bërë propozimin e pakërkuar dhe kjo procedurë nuk na është vënë në dispozicion. Nëse ka një klimë mosbesimi kjo vjen nga qëndrimet e bashkisë dhe me sa duket kjo do vazhdojë, e nuk zgjidhet me kaq”, shtoi Çipi. Artistët vërejtën, se nuk ishin në mbledhje vetëm për Teatrin Kombëtar, “Ne jemi kundër çdo transferimi të një prone publike në pronësi të privatit. Aq më tepër që ky vend ka borxhe pa fund ndaj pronarëve ligjorë të shpronësuar.
As justifikimet me çerdhe e shkolla nuk bindin, sepse çerdhet e shkollat duhet të jenë pronë publike”.