Europa ime: Boll glorifikimit të fashistëve!
Rikthimi politikave të së shkuarës rrezikon të ardhmen
mbledhjeve politike të nacionalistëve turq dhe të ekstremistëve të djathtë në Austri. Por kur mbi 10.000 kryesisht katolikë kroatë kremtojnë një festë të madhe fashiste, atëherë nuk mund të bësh gjë.
KËSHILLI I EUROPËS ËSHTË I ALARMUAR
Këshilli i Evropës u shpreh i alarmuar për kthimin në shfaqje normale të fashizmit në Kroaci, pas orgjisë më të fundit të ustashëve në Bleiburg. Kjo tendencë përforcohet edhe përmes një "glorifikimi" të regjimit të ustashëve fashistë, thuhet në një raport të botuar të Komisionit antiracizëm të Këshillit të Europës për gjendjen në Kroaci. Hartuesit e raportit kërkuan nga qeveria e Zagrebit që të veprojë në mënyrë më energjike kundër tiradave të urrejtjes si dhe sulmeve me motive raciste ndaj minoriteteve. Është e diskutueshme nëse partia në pushtet HDZ do ta marrë seriozisht raportin. Shumë shpesh ajo tërheq vëmendjen që ushqen vetë urrejtjen kundër minoriteteve në Kroaci, veçanërisht kundër serbëve dhe romëve, këto grupe, të cilat u asgjësuan në mënyrë sistematike nën "Shtetin e Pavarur Kroaci" të krijuar nga Hitleri. Komunitetet hebreje të Kroacisë ka vite që i bojkotojnë ceremonitë shtetërore përkujtimore për çlirimin e kampit të asgjësimit Jasenovac. Ata nuk duan që të përkujtojnë së bashku me politikanë, të cilët u referohen në mënyrë pozitive vrasësve të hebrenjve të regjimit të ustashëve. A mund ta përfytyroni që Angela Merkel të shkojë në Argjentinë dhe të tregojë atje përpara minoriteteve gjermane se është mirë që pas Luftës së Dytë Botërore gjermanët gjetën strehim në atë vend? Vrasësit masivë si Adolf Eichmann- i dhe Josef Mengele? Me siguri që jo. Presidentja kroate Kolinda Grabar- Kitarovic e bëri një gjë të tillë. Në një vizitë në Argjentinë ajo vlerësoi ata kroatë që arritën pas Luftës së Dytë Botërore të arratisen nga partizanët e Titos në Argjentinë. Që këtu bëhet fjalë për komandantë kampesh përqendrimi, vrasës masivë dhe bashkëpunëtorë të nazistëve, këtë ajo nuk e përmendi.
KROACIA NUK ËSHTË RAST I VEÇUAR
Shkrimtari Danilo Kis shkroi për nacionalizmin se ai është një "paranojë", një përfytyrim delirant i shoqëruar njëkohësisht nga humbje e individualitetit dhe e sensit të realitetit. Kjo paranojë bazohet në idenë, që kombi yt është diçka e pastër dhe e pafajshme dhe të gjithë ata që i lejojnë vetes të bëjnë kritika janë armiq me motive të ulëta. Prandaj, në përfytyrimin historik të të djathtëve kroatë ustashët duhet të jenë të mirët, sepse që të pranosh se ata kanë vrarë me qindra mijë njerëz të pafajshëm, kjo do ta njolloste për përfytyrimin e kombit vetjak. Si rrjedhojë pjesëmarrësit e ceremonisë në Bleiburg ndihen si viktima, megjithëse janë ata që glorifikojnë një regjim fashist. Ky është një zhvillim, i cili ndodh edhe në vende të tjera të Europës Lindore: një përfytyrim historik, i cili është i fokusuar në rolin vetjak si viktima nën pushtimin sovjetik ose nën sundimin komunist. Njëkohësisht, bashkëpunimi vetjak me nacionalistët banalizohet, mohohet dhe në rastin më të keq, glorifikohet. Në Riga, çdo vit në 16 mars dalin në rrugë me mijëra vetë, për të përkujtuar në "marshin e pjesëmarrësve të legjioneve" pjesëtarët e ushtarëve SS. Viktor Orbani e vlerësoi bashkëpunëtorin e nazistëve Miklos Horthy si një "burrë shteti të jashtëzakonshëm", megjithëse ai është bashkëpërgjegjës për deportimin e mbi 600.000 hebrenjve në kampet gjermane të asgjësimit. Në Serbi bëhen diskutime, nëse duhet rehabilituar në pikëpamje juridike bashkëpunëtori i nazistëve Milan Nedic. Që të zhvillohet si një i vetëm, BE ka nevojë jo vetëm për një opinion më të fortë publik europian, por edhe një kulturë të fortë të kujtesës. Dhe ajo duhet të jetë antifashiste. Kur nuk arrin të biesh dakord as që nazistët qenë të këqijtë dhe kur glorifikohen hapur bashkëpunëtorët e disa kryetarëve të shteteve dhe të qeverive, atëherë Europën e pret dështimi. Krsto Lazarevic ka lindur në Bosnjë- Hercegovinë dhe është arratisur si fëmijë me familjen e tij në Gjermani. Sot ai jeton në Berlin, punon si gazetar dhe publicist dhe shkruan për medie të ndryshme gjermanofolëse. Marrë nga Deutche Welle