Vetingu, gjyqtarja Shehu drejt konfirmimit
Kandidate për në Këshillin e Lartë Gjyqësor, trupa gjykuese shpall vendimin në 4 qershor KPK: Nuk ka shkelje dhe fshehje të pasurisë
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka zhvilluar ditën e djeshme seancën dëgjimore me gjyqtaren e Gjykatës së Kurbinit Marçela Shehu. Ajo u njoh me rezultatet e hetimit administrativ të Komisionit. Sipas Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë, pasuria e Shehut është e justifikuar. Trupa e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit e përbërë nga Brunilda Bekteshi, Lulzim Hamitaj dhe Olsi Komici u shprehën se nga verifikimi i ILDKPKI dhe i vetë komisionit ka rezultuar se gjyqtarja nuk ka shkelje dhe fshehje të pasurisë. Në seancë dëgjimore publike, Shehu mësoi se në të tria shtyllat e procesit të rivlerësimit; pasuria, figura morale dhe aftësitë profesionale rezultonte pa probleme. Gjyqtarja rezulton se ka një apartament, një makinë dhe depozitë kursimi. "ILDKPI për gjyqtaren ka dorëzuar raportin me konstatim se është deklarim i saktë pasurie dhe e ka të justifikuar. Ne bëmë verifikim të thelluar, ka deklaruar shtëpi banimi 100m2 në njësi bashkiake nr. 8 në Tiranë, veturë ' Mercedez Benz' blerë në 2016 me vlerë 6 mijë euro, para cash 1 milion e 350 mijë lekë dhe depozitë kursimi në emrin e fëmijëve me vlerë nga 100 mijë lekë secila. DSIK për sa i përket figurës ka sjellë raport ku shprehet se gjyqtarja nuk ka shkelje dhe është e përshtatshme për të vazhduar detyrën",- u shpreh Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Marçela Shehut, ka gjasë të renditet i katërti në listën me gjykatës e prokurorë, të cilët deri më tani kanë mundur t'i shpëtojnë rrjetës së vetingut. Marçela Shehu u bë pjesë e sistemit gjyqësor 12 vite më parë. Pas përfundimit të Shkollës së Magjis- traturës, punoi fillimisht në gjykatën e Tiranës, e më pas u transferua në Kurbin. Gjyqtarja e Kurbinit është një nga 14 kandidatët për në Këshillin e Lartë Gjyqësor. Para trupës gjykuese, pasi deklaroi se është dakord me gjetjet e Komisionit, ajo kërkoi konfirmimin në detyrë. "Jam dakord me verifikimet nga ana e KPK- s, kërkoj të vazhdoj detyrën, procesi ka qenë korrekt", u shpreh Marçela Shehu. Vendimi për gjyqtaren do të jepet në datë 4 qershor, ndërsa pritet që të kalojë vetingun, pasi nuk rezultoi me asnjë problem.
Të dhënat tregojnë se gjyqtarja Marçela Shehu zotëronte një pasuri familjare prej 1.3 milionë lekësh në vitin 2006. Në fund të vitit 2016, pasuria e saj është dyfishuar, duke kapur vlerën e rreth 2.7 milionë lekëve. Pasuria
familjare e zonjës Shehu ndahet në 200 mijë lekë llogari bankare, 1.5 milionë lekë kursime në cash dhe rreth 1 milion lekë automjete. Gjyqtarja ka, gjithashtu, në bashkëpronësi një shtëpi private të ndërtuar në vitet 1998- 2000, të cilën e ka përfituar si rrjedhojë
e martesës dhe e ka deklaruar atë në vitin 2007. Të ardhurat e gjyqtares Shehu përbëhen vetëm nga paga e saj dhe ajo e bashkëshortit, të cilat kapin në total vlerën e 12.9 milionë lekëve. Përgjatë viteve në karrierë, zonja Shehu ka shënuar një rritje mesatare të pasurisë prej 133 mijë lekësh në vit.