Rama shkarkon 6 drejtorë të ALUIZNI- t e Hipotekave: Motivi, performancë e dobët
Kryeministri
Edi Rama ka shkarkuar katër drejtorë rajonalë të Hipotekave dhe dy të ALUIZNI- it. Gjatë një takimi që ai ka pasur dje, në Tiranë me drejtorët rajonalë të këtyre dy institucioneve është analizuar puna e drejtorive rajonale. Mësohet se kreu i qeverisë ka evidentuar performancën e dobët të drejtorëve, ndryshe nga sa kishte kërkuar ai në takimet e mëparshme me krerët e Hipotekës dhe ALUIZNI- t, për t'i shërbyer me korrektesë qytetarëve dhe zbatuar ligjin. Rama e ka konsideruar të tepërt qëndrimin e tyre në detyrë. Sipas Ramës në këto 6 zyra ka pasur mosrealizim plani dhe performancë të dobët. Mes të shkarkuarve janë edhe krerët e Hipotekave të Sarandës, Pogradecit dhe Malësisë së Madhe. Një ditë më parë kryeministri Edi Rama shkarkoi kreun e Hipotekës së Krujës, Edmond Daci, vetëm tre muaj pasi ishte emëruar në këtë detyrë. Ndërkohë më herët, Rama pati një takim me koordinatorët e Platformës së Bashkëqeverisjes. Ai u shpreh në këtë takim se ka pasur një rritje të pjesëmarrjes në Platformën "Për Shqipërinë që duam", duke arritur në 10500 raste të evidentuara nga vetë qytetarët, nga të cilat janë 9349 të përfunduara. "Nga këto 8264 qytetarë kanë marrë zgjidhje, pasi më parë janë vonuar, janë penguar, janë torturuar në labirintin e burokracisë",tha Rama. "Nuk ka asnjë rëndësi nëse jeton në qytet, apo jeton në fshat, nëse je i pasur apo i varfër, nëse ke një mbiemër të njohur, apo një mbiemër krejt të panjohur, nëse je i moshuar apo i ri, nëse je burrë apo je grua, mjafton që si qytetar i Republikës së Shqipërisë të shpenzosh maksimumi 3 minuta, për të pasur për 3 minuta në krah ministrin apo ministren në fushën ku ka lindur shqetësimi yt dhe për të zgjidhur së bashku një problem që të është bërë i pazgjidhshëm në kundërshtim me ligjin dhe në cenim të së drejtës tënde", u tha Rama të pranishmëve. "Ne na duhet që brenda këtij mandati, administratën ta kemi transformuar në një shërbëtor të qytetarëve dhe ne këtë mund ta realizojmë nëse qytetarët duan t'i kenë shërbëtorë punonjësit e zyrave dhe të mos i pranojnë, sikur i kanë skllavopronarë të të drejtave të tyre",- u shpreh Rama.