Ventingu në politikë, PS: Ta çojmë në "Venecia". PD: Keni siklet
Debate në Këshillin e Legjislacionit për nismën e opozitës
Opozita
dhe mazhoranca debatuan dje në mbledhjen e përbashkët të Këshillit të Legjislacionit dhe Komisionit të Ligjeve në lidhje me propozimin e opozitës për vetingun në politikë. Demokrati Enkelejd Alibeaj e ka quajtur këtë një tentativë të qartë zvarritëse të asaj që sot është emergjencë kombëtare, pastrimit të politikës përmes vetingut, njësoj si në drejtësi. Mbledhja u shoqërua me debate mes palëve politike PD- PS. Deputeti i PS- së, kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja ka theksuar se deputetët kanë të drejtën e votës për amendim të Kushtetutës, por jo të drejtën për ta shkelur atë. Në vijim të kërkesës së PD- së, nëse do ta bëjnë apo jo vetingun në politikë, ai ka thënë se do të kërkohet opinion i Komisionit të Venecias. Oerd Bylykbashi tha se vetingu për politikanët duhet të bëhet njësoj si për prokurorët, gjyqtarët dhe policët. Sipas tij, ekziston një listë me politikanë që jo vetëm duhet të verifikohen, por edhe t'u ndërpritet mandati për shkak të lidhjeve të tyre me krimin. Përfaqësuesi i PS- së, Ulsi Manja u shpreh se me kërkesën e tyre, deputetët e opozitës kërkojnë të shkelet Kushtetuta. Sipas tij, fillimisht duhet përcaktuar një kalendar seancash dëgjimore e më pas duhet pritur opinioni i "Venecias". "Ne kërkojmë në trajtimin e kësaj nisme respektimin e nenit 77, pika A, përcaktimin e një kalendari për seanca dëgjimore, por edhe të opinionit të ' Venecias'. Po kërkojmë të ndërhyjmë disa herë në Kushtetutë, që nuk mund të jetë statuti i PS apo PD. Nuk kemi nevojë për nxitim, nisma është në kalendar", tha Manja.