Vetingu, PD dyshime për dosjen: Duam kopjen, të mos keqorientohet
Vetingu i politikës në "Venecia", letra e Ruçit: A sjell mbivendosje të reformës në drejtësi? "Pa pastrimin e politikës, s'ka zgjedhje as parlament"
Mazhoranca qever isëse iu drejtua Ko misionit të Venecias për nismën kushtetuese të opozitës, që parashikon pastrimin e politikës nga krimi. Gramoz Ruçi njoftoi dje në mbledhjen e Këshillit Legjislativ se në cilësinë e kreut të Kuvendit i ka dërguar një shkresë Komisionit të Venecias, presidentit Buquichio, bashkangjitur me pyetjet përkatëse me qëllimin marrjen e një opinioni se si ky proces mund të aplikohet në vendin tonë. Ruçi garantoi se nuk do ketë zvarritje ky proces. Në letrën drejtuar presidentit të ' Venecias', Buquichio, Ruçi kërkon opinion për 8 çështje që lidhen me vetingun në politikë. Në letër ngrihen pyetjet nëse nisma është legjitime, a ka dallim ndërmjet standardeve të vlerësimit të figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve e të zgjedhurve, a cenon nisma Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe jurisprudencën e Gjykatës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut dhe mbi të gjitha, a ndikon vetingu në politikë në punën e strukturës posaçme prokurorisë së posaçme dhe njësisë së posaçme hetimore? Ruçi pyet Komisionin e Venecias edhe për qëllimin e projektligjit për vetingun në politikë dhe a është ky qëllim legjitim.
OPOZITA
Paralelisht me kërkesën drejtuar Komisionit të Venecias, Këshilli i Legjislacionit do të konsultohet edhe me konstitucionalistët për nismën kushtetuese të opozitës. Oerd Bylykbashi, i vetmi demokrat në mbledhjen e përbashkët të Këshillit të Legjislacionit dhe Komisionit të Ligjeve u vu përpara faktit të kryer, atë të dërgimit të letrës Komisionit të Venecias. Ai kërkoi të njihej me dosjen e plotë, duke e cilësuar të gjithë procedurën e ndjekur nga shumica tenta- tivë për ta bllokuar këtë proces. Opozita ishte kundër kësaj iniciative të socialistëve me argumentin se "Venecia" është shprehur për një nismë të ngjashme siç është vetingu në gjyqësor ndaj sipas saj, kjo do e vononte procesin. Z. Bylykbashi vuri në pikëpyetje shkresën e Kuvendit. "Duke u nisur edhe nga eksperiencat e mëhershme, ku Komisioni i Venecias është keqdrejtuar qëllimshëm nëpërmjet materialeve të përkthyera gabim apo pyetje të cilat mund të mos i përgjigjen fare çësh- tjes, kërkoj të na vihet në dispozicion materiali i nisur Komisionit të Venecias. Në këtë vend nuk do ketë as zgjedhje, as demokraci, as parlament, as drejtësi, as ekonomi pa ndarë politikën nga krimi. Mazhoranca thotë se vullnetin politik e ka dhënë edhe më herët për pastrimin e politikës nga krimi përmes reformës në drejtësi, ndonëse rezervat s'i kursen për mënyrën sesi opozita po kërkon ta bëjë këtë proces", deklaroi deputeti i PD- së. Bylykbashi i bëri thirrje mazhorancës ta miratojnë vetingun sa më shpejt, duke renditur kategoritë e politikanëve që duhet të kenë frikë.
PROPOZIMI
Përfaqësuesi i PS- së, Ulsi Manja u shpreh pro çdo vetingu të politikës, por doli me një propozim të ri duke kërkuar shtrirjen e efektit të ligjit edhe tek familjarët e politikanëve. Manja tha se nisma është e mangët dhe kërkoi respektimin e Kushtetutës. "Në rrafshin politik, qëndrimi ynë ka qenë, është dhe do të jetë në mbështetje të çdo lloj vetingu të politikës dhe këtë e kemi demonstruar me votë. Jemi për pastrimin e politikës, madje në këndvështrimin tonë, kjo nismë është e cunguar për arsye se lë jashtë vetingut të politikës rrethin e gjerë të subjekteve, qoftë personat e afërm, familjarë të politikanëve apo dhe personat fizikë dhe juridikë që kanë lidhje të hapura të drejtpërdrejta ose të fshehura biznesi me politikanët", tha z. Manja. Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, kërkoi prej përfaqësuesve të politikës të paraqesin me shkrim kërkesat që ata kanë, teksa prezantoi dhe ekspertët pranë këshillit që do të asistojnë për diskutimin e draftit të vetingut në politikë. Këshilli i Legjislacionit miratoi ekspertët konstitucionalistë, të cilët do të hartojnë opinionet ligjore për propozimin për veting në politikë.