"Babalja", Vasili: Populli do t'i trajtojë Ramën e Markun si puçistë
Kreu i grupit të LSI sulmon kryeprokuroren
Kryetari
i grupit parlamentar të LSI- së, Petrit Vasili, sulmoi dje kryeministrin Edi Rama dhe prokuroren e Përgjithshme, Arta Marku, lidhur me çështjen "Babalja". Përmes një statusi në "Facebook", Vasili theksoi se populli do t'i trajtojë Ramën dhe prokurorinë si puçistë. Sipas Vasilit, prokuroria është shndërruar në instrument i puçit. Po ashtu, Vasili pohon se kryeprokurorja Arta Marku nuk shpëton dot nga përgjegjësia e rëndë e bllokimit të marrjes si i pandehur të Edi Ramës. "Prokuroria, zorra qorre e kryeministrit, puç kundër popullit, që do t'i trajtojë të dy si puçistë. Shqipëria po përballet haptazi me një puç të qeverisë dhe kryeministrit të krimit kundër drejtësisë, kundër sigurisë vetjake dhe të drejtave e lirive minimale të qytetarëve, hapur në mbrojtje të kriminelëve dhe banditëve. Prokuroria, e shndërruar në zorrën qorre të kryeministrit, është tashmë haptazi bashkëpjesëmarrëse dhe instrument i puçit", u shpreh Vasili. "Kryeministri bandit, tashmë edhe kryeprokuror, ka sekretare Arta Markun, që vetëm zbardh vendimet e tij, duke marrë përgjegjësi penale dhe publike shumë të rënda mbi vete. Arta Marku nuk shpëton dot as sot, as kurrë nga përgjegjësia shumë e rëndë e bllokimit të marrjes i pandehur të Edi Ramës, që gjoja bëri ekspertizën e audiopërgjimit të Agron Xhafajt katër muaj para saj. Përpara këtij puçi, populli nga sot ka të gjithë të drejtën ta godasë kryeministrin dhe kryeprokuroren si ta gjykojë ai dhe gjyqi i tij është pa shpëtim, legjitim dhe i pashmangshëm", u shpreh Vasili.