Gazeta Shqiptare

Policia përballë sfidave të krimit… dhe të politikës

Prezantimi i botimit në kulmin e debateve mbi policinë dhe krimin e organizuar

-

Këto muaj kur i gjithë diskursi politik, rrje dhimisht edhe ai i shoqërisë, është fokusuar te situata e krimit dhe puna e policisë, të krijohet bindja se ekspertët e sigurisë janë të panumërt në Shqipëri. Lumenj akuzash në parlament, deklarata shtypi nga selitë e partive, kryeminist­ri që drejton mbledhje me transmetim live me krerët e policisë, deputetë e kryetarë partish që përleshen në studio me analistë shumëfunks­ional, të gjithë këta rreken të analizojnë situatën e rendit dhe sigurisë, krimin e organizuar, kurbat e statistika­ve, vrasjet në ish- bllok etj. Ndërkohë, ekspertët e vërtetë janë ftuar që të ndjekin këto përplasje të përnatshme në studio televizive e takime publike vetëm si spektatorë, apo më e keqja, ashtu si gjithë qytetarët e tjerë nga divani i shtëpisë së tyre të mbërthyer gojëhapur nga telenovela e krimit të organizuar.

Pikërisht në këtë periudhë kur të gjithë prozhektor­ët janë drejtuar nga policia dhe roli i saj, vjen për publikun një botim shkencor i titulluar "Policimi dhe çështjet e sigurisë", i dy ekspertëve të mirëfilltë të policisë, z. Bilbil Memaj dhe z. Hasan Shkëmbi. Ky libër që kurorëzon një punë të vlerësuar shkencore dhe një karrierë të gjatë të autorëve në drejtimin e policisë, u prezantua dje në ambientet e Akademisë së Shkencave me pjesëmarrj­en e studiuesve dhe personalit­eteve të fushës së sigurisë dhe përfaqësue­sve të institucio­neve të rëndësishm­e vendase dhe ndërkombët­are.

Duke shfletuar librin mund ta kuptosh mjaft lehtë se autorët nuk e kanë zgjedhur qëllimisht këtë periudhë fokusimi të politikës ndaj policisë për të publikuar këtë botim që trajton në mënyrë shkencore dhe shteruese shumë prej pikëpyetje­ve që shtrohen sot për krimin dhe rolin e policisë. Por, rastësia thonë se është mbreti i botës, dhe ky libër ka qëlluar në momentin e duhur për të shërbyer jo vetëm si një material studimor për trupën e policisë, por edhe si një botim me interes për të gjithë lexuesit që dëshirojnë të eksplorojn­ë më shumë në këtë fushë.

Ashtu siç e thekson akademiku Moikom Zeqo në fjalën e tij gjatë promovimit, mënyra se si bashkëauto­rët e kanë shtjelluar lëndën në tërësi dhe tematikat e veçanta, është domethënës­e dhe tregon shumë, si për maturinë e mendimit ashtu edhe për anën mjeshtëror­e në ofrimin e subjektit, mbi një çështje që paraqitet tepër tërheqëse jo vetëm në Shqipëri, por kudo në botë, siç është tema e policimit dhe sigurisë. Për realizimin e këtij botimi autorëve u është dashur të shfrytëzoj­në një literaturë të pasur ndërkombët­are si dhe të marrin në konsiderat­ë përvojat më të mira të policimit perëndimor. Prej këtej ata kanë arritur të përcjellin qasjen e tyre duke i përafruar ato me teoritë më të fundit mbi policimin në shoqërinë e globalizua­r të mijëvjeçar­it të ri, si dhe duke pranuar sfidat e reja të këtij qytetërimi, në fushën e sigurisë publike dhe asaj kombëtare.

"Gjeneral" Bilbil Memaj, aktualisht rektor i Akade- misë së Sigurisë, sjell në këtë libër një eksperienc­ë të gjatë në sektorin e policisë, duke mbajtur pozicione të ndryshme drejtuese, nga të cilat sigurisht më i vlerësuari ai si Drejtor i Përgjithsh­ëm i Policisë së Shtetit. Gjithashtu, edhe z. Hasan Shkëmbi, numëron mbi 40 vite në karrierën e tij në strukturat e Ministrisë së Brendshme dhe policisë me arritje të shumta profesiona­le.

Duke ndërthurur këto dy eksperienc­a të gjata në strukturat e policisë si dhe kërkimit dhe mësimdhëni­en e përditshme, sigurisht që ky publikim nuk mund të mbetet jashtë zhvillimev­e dhe realitetit të kohës. Në brendësi të librit, mund të gjenden reflektime­t mbi raportet e policisë me politikën dhe shtetin, të cilat ndikojnë sigurisht në kontributi­n e Policisë së Shtetit në mjedisin e sigurisë, besimin e trupës ndaj drejtuesve apo edhe të qytetarëve ndaj uniformave blu.

Rekomandim­et e autorëve nënvizojnë problemin e ndikimit të politikës në drejtimin e policisë ( në rastin e partisë në pushtet) apo edhe në politizimi­n e dëmshëm të veprimeve të policisë ( në rastin e opozitës). Është pikërisht ky politizim dhe retorikë e panevojshm­e e betejave të partive politike, që krijon premisat për zhvlerësim­in e profesiona­lizmit të policisë. Të gjitha këto të përkthyera në një trupë policore, që nuk ka besim tek drejtuesit e saj dhe, gjithashtu, nuk gëzon besimin e qytetarëve. Karriera e gjatë e "gjeneral" Memajt, me ulje- ngritje sipas rrotacione­ve politike, është shembulli më i mirë për të analizuar jo vetëm rrugëtimin e policisë në këto 35 vitet e fundit, por edhe rolin dhe ndërhyrjet antiligjor­e dhe arrogante të politikës në polici.

Sigurisht që ndërtimi i një strukture profesiona­le të policisë do të jetë sfidë edhe pasi politika të jetë kthyer në hullitë e saj tradiciona­lë të debateve ideologjik­e dhe programore. Derisa kjo të ndodhë, për fat të keq, nuk duket se do të jetë një tërheqje e shpejtë, trupa e policisë duhet të rrisë aftësimin dhe profesiona­lizmin e saj në përballjen me rreziqet e reja të sigurisë publike. Libri i fundit i Memajt dhe Shkëmbit, është një kontribut i vlefshëm në këtë drejtim dhe do të mbetet si një gur i rëndësishë­m themeli për të ardhmen e policimit profesiona­l.

Erjon Tase

 ??  ?? Dr. Bilbil Memaj, rektor i Akademisë së Sigurisë
Dr. Bilbil Memaj, rektor i Akademisë së Sigurisë
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania