Fund kalvarit në gjyqe, çelet konkursi për gradat në polici

Gazeta Shqiptare - - LOTARIA AMERIKANE -

TIRANË - Punonjësit e policisë që kanë më shumë se 5 vite në gradën ekzistuese tashmë mund të konkurrojnë për ta rritur atë pa qenë e nevojshme të shkojnë në Gjykatë Administrative. Me anë të një urdhri të drejtorit të përgjithshëm të policisë, Ardi Veliu që mban datën 29 tetor 2018 është hapur gara për gradën "Komisar" e "Kryekomisar" dhe së shpejti edhe për gradën "Drejtues". Prej vitit 2012 nuk është hapur konkurs për këto grada në Akademinë e Policisë, duke detyruar kështu që të gjithë policët që i plotësonin kriteret t'i drejtoheshin gjykatës, e cila ua jepte automatikisht gradën më të lartë. Testi me shkrim për të fituar gradën "Komisar" dhe "Kryekomisar" do të zhvillohet në Akademinë e Policisë në orën 7.30 në datat 7 dhe 12 nëntor. Çdo drejtori policie dhe komisariati është e detyruar të njoftojë gjithë kandidatët që plotësojnë kriteret. Kandidatët duhet të paraqiten ditën e konkurrimit me kartën e identitetit dhe me mjetin identifikues si punonjës policie. Rezultatet e konkurrimit dalin brenda ditës dhe i gjithë procesi monitorohet nga Aida Hajnaj, zëvendësdrejtoresha e Përgjithshme e Policisë. E njëjta procedurë do të zgjidhet edhe për gradën "Drejtues", por data e konkurrimit ende nuk është përcaktuar.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.