"Venecia" zbarkon në Tiranë, PD: Politikanët në veting si gjyqtarët
PS do të presë opinionin e Komisionit dhe akuzon PD për inkoherencë në qëndrim "Duhet të jetë i njëjti standard edhe për politikanët"
Komisioni i Venecias do të japë në dhjetor vlerësimin e vet mbi propozimin e paraqitur nga Partia Demokratike për vetingun në politikë. Para se të vendosë mbi thelbin e këtij debati dhe përputhshmërinë me standardet europiane, një përfaqësi prej 6 anëtarësh të Komisionit të Venecias kanë mbërritur në Tiranë ku kanë nisur një sërë takimesh me drejtues të institucioneve shtetërore dhe përfaqësues të partive parlamentare. Ata kanë takuar fillimisht nënkryetaren e Kuvendit, Vasilika Hysi dhe më pas krerët dhe përfaqësuesit e tjerë të grupeve parlamentare të Partisë Demokratike, Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Takimet kanë qenë me dyer të mbyllura dhe vetë ekspertët e Komisionit të Venecias nuk kanë bërë asnjë koment, ndërkohë që burime nga këto takime kanë bërë me dije se ata kanë marrë mendimet e secilës palë mbi propozimin për të zhvilluar veting edhe në radhët e politikës.
OPOZITA
Kryetari i Grupit Parlamentar të PD- së, Edmond Spaho e konsideroi takimin pozitiv, ndërsa bëri të ditur se i kishin kërkuar përfaqësuesve të Venecias zbatimin e të njëjtit standard që aplikohet në drejtësi dhe polici. "Ne parashtruam qëndrimin e PD- së, i cili në thelb është se nuk duhet të ketë dy standarde, por standardi që zbatohet për prokurorët dhe gjyqtarët duhet të aplikohet për politikanët, kur flasim për lidhje me botën e krimit të organizuar. Shpjeguam me fakte se asnjë reformë në Shqipëri nuk do të ketë sukses nëse nuk do të shkëputen lidhjet e politikës me krimin e organizuar",- tha Spaho. Këtë qëndrim mbajti gjatë këtij takimi edhe kryetari i Grupit të LSI- së, Petrit Vasili, i cili tha se mbështeste nismën për të kaluar në veting gjithë politikanët. "Opozita ka propozuar standard të njëjtë, si vetingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve. Fjalët e shumta për vetingun janë pa kup-
tim. Qëndrimi është i qartë, opozita pro, rilindja kundër. Projekti duhet të votohet në parlament", tha Vasili.
MAZHORANCA
Ndërsa kryetari i Komisionit të Ligjeve, socialisti Ulsi Manja teksa tha se ' Venecia" është taban i demokra-
cisë, ndërsa akuzoi Partinë Demokratike, për inkoherencë në qëndrime kundrejt këtij institucioni. "Opozita vazhdon të jetë inkoherente me qëndrimet e saj sa herë që bëhet fjalë për Komisionin e Venecias. Këtu kam parasysh qëndrimet e liderit të
opozitës, zotit Basha, në fazën e ndryshimeve kushtetuese sa i përket reformës në drejtësi. Në atë kohë tha nuk pranojmë asnjë lloj ndryshimi kushtetues pa opinionin e Komisionit të Venecias si tabani i demokracisë parlamentare. Ndërsa dje zoti
Basha thotë një gjë krejt tjetër", tha Manja. Delegacioni vijoi takimet me Presidentin, ministren e Drejtësisë dhe ambasadorin e Bashkimit Europian, ndërsa do të ketë takime edhe me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, kryetarin e ILDKPI- së, Ganaj dhe
kreun e Euralius, Agnes Bernhard. Venecia u vu në lëvizje në fillim të tetorit, me kërkesë të kryeparlamentarit Gramoz Ruçi, drejtuar presidentit Gianni Buquiçhio, ku i kërkon opinion për qëllimin dhe legjitimitetin e vetingut në politikë.