5.700 të përndjekurit që marrin kompensimin
Ministria e Financave publikon emrat e personave që marrin këstin e tretë të dëmshpërblimit Tabela me çdo dokument që mungon në secilën dosje të trashëgimtarëve
Rreth 5.700 trashëgimtarë të ish- dënuarve politikë që presin të marrin këstin e tretë duhet të plotësojnë dokumentacionin që u mungon në dosje për të marrë më pas paratë. Lista është bërë publike dje nga Ministria e Financave. Bëhet fjalë për përfitues të kategorisë jo parësore që do të trajtohen me dëmshpërblim, por që sipas këtij dikasteri duhet të dorëzojnë dokumentet. Ministria e Financave u kërkon përfituesve të këstit të dytë të dorëzojnë në Drejtorinë e Pagesave numrin e llogarisë për të marrë dëmshpërblimin. Të gjithë personat kanë afati deri më 9 shkurt 2019 për të plotësuar dosjen.
DOKUMENTET
Të gjithë trashëgimtarët e ish- të dënuarve duhet të sigurohen pranë bankës në të cilën kanë hapur llogarinë që llogaria e tyre është aktive. Në rast se llogaria nuk është aktive, shuma e dëmshpërblimit kthehet mbrapsht në buxhet duke sjellë vonesa dhe ndërlikime të panevojshme. Kur kemi ndryshim të identitetit, Emër/ Mbiemër, apo në rastet kur në certifikatë ndryshon emri ose mbiemri, qoftë edhe me një germë të vetme në krahasim me dëshminë e trashëgimisë apo prokurës, kartës së identitetit dhe çdo dokumenti tjetër të nevojshëm, duhet medoemos që në të gjitha dokumentet emrat të jenë të njëjtë me atë që është shkruar në certifikatën e lëshuar nga gjendja civile. Në raste se ka transkriptime të gabuara gjatë kohës nga një certifikatë e një periudhe të caktuar, atëherë këto ndryshime duhet të pasqyrohen brenda formatit të certifikatës apo edhe të një vërtetimi të veçantë të lëshuar nga zyra e gjendjes civile. Ligji parashikon edhe rastet e ekzekutimeve pa gjyq.