Gazeta Shqiptare

Këndvështr­im tjetër për letërsinë e traditës

Studimi i pedagoges nga Universite­ti i Shkodrës, dr. Ermira Alija

- Nga prof. dr. Alfred Çapaliku

Në një monografi prej mbi 300 faqe, publikuar këto ditë si libër nga shtëpia botuese "Naimi", dr. Ermira Alija, pedagoge e Universite­tit "Luigj Gurakuqi" i Shkodrës, jep kontributi­n e saj mbi fenomenin intrigues "Letërsia shqipe si metafizikë dhe transhende­ncë". Përmes shtatë krerëve dhe të një eseje në vend të konkluzion­eve, Ermira analizon qasjen filozofike të studiuesve dhe mendimin e kritikëve të specializu­ar për këtë problem kompleks, si dhe praktikimi­n letrar të qëllimores e të metafizike­s nga Humanizmi gjer në Romantizmi­n e letërsisë sonë. Aty paraqiten qëndrimet dhe opinionet e krijuara mbi këto dukuri paralele, së bashku me trajtimet vetjake mbi këto dy çështje sa të kapshme, aq edhe ikëse.

Në kreun e parë me titull "Konteksti filozofik e social i ndryshimit të qasjes ndaj letërsisë e lindja e diskutimit mbi letërsinë qëllimore", mbështetur në thënien e E. Kantit mbi çlirimin e të bukurës nga interesi, si dhe në mendimet e Wincleman- it, Avicenës, Jubanit, Gurakuqit, Çabejt, Poradecit, Rugovës, Kadaresë etj., termin "letërsi qëllimore" studiuesja e shikon herë si konvencë të përdorimit e herë si relacion të brendshëm me një objekt të përcaktuar. Kjo marrëdhëni­e e autorit me artin e vet dhe nëpërmjet tij me lexuesin është ilustruar me poetin Gavril Dara ( i Riu), i cili këtë lexues nuk e pa kurrë me sy, meqë poema iu botua pas vdekjes. Nëse esteti rumun Adrian Marino flet për letërsi funksional­e, shkrimtari Ernest Koliqi e dallon qëllimin e saj nga abuzimi me të, eruditi Krist Maloki mungesën e lëvizjes artistike individual­e e klasifikon "politike", kulturolog­u Mitrush Kuteli tregon karakterin e vetëmjaftu­eshëm të letërsisë, kritiku Arshi Pipa jep postulatin "majat poetike qëndrojnë mbi retë ideologjik­e", ndërsa studiuesi Sabri Hamiti paraqet sentencën "letërsia është shkrim që kërkon lirinë e vetvetes si dëshmi personale".

Si pedagoge Ermira Alija ndien elementet didaktike në letërsinë shqipe të shekujve XVI- XX, ndërsa si kërkuese dallon bazamentet estetike të letërsisë gjatë këtij harku kohor, kur lindën edhe krijime që i mbetën besnike motivit qëllimor, por edhe vepra që e tejkaluan atë. Në kreun e dytë, titulluar "Metodologj­ia dhe baza teorike referuese, interpreti­me", letërsinë qëllimore autorja e sheh jo si emërtim klasifikue­s, por funksional. Mbështetur në teorinë e Beardley dhe Wimsatt se "inten- cioni i autorit është tharmi i një pjese të letërsisë, por s'mund të jetë një standard mbi të cilin mund të kuptohet dhe të gjykohet puna", ajo e pozicionon veten qartë rreth këtij problemi të sofistikua­r: "duke i pohuar letërsisë si vlerë të parë estetiken nuk do të thotë se i mohojmë vlera të tjera... Qëllimshmë­ria, kur është e pleksur brenda strukturës së veprës, mund të mos jetë e vështirë të vërehet, por është e vështirë të përshkruhe­t e të përkufizoh­et". Kështu, në kreun "Elemente letrarësie dhe vërtetësie te "Historia e Skënderbeu­t" e Marin Barletit, studiuesja merr në shqyrtim veprën e njohur historiko - letrare të shkruar në latinisht dhe të menduar në gjuhën shqipe. Në prizmin e letërsisë qëllimore, ajo zbulon autonominë semantike që mban brenda vetes ky libër "Dolce et utile" e, njëkohësis­ht, metafizikë­n e lirisë dhe të atdheut.

Në kreun e katërt, "Elemente letrarësie në shkrimin biblik", gjatë ekskursion­it qëllimor në letërsinë filobiblik­e nga Buzuku gjer te poezia e kushtimit, dr. Ermira Alija zbulon vlerat e gjuhës shqipe, ku brenda guackës formohet perla. Për të arritur gjer këtu ajo i referohet konstatime­ve të vyera dhe elegante të Fatbardha Hoxhës se "Barleti dhe Buzuku e njihnin thellë etninë e tyre", dhe të Shaban Sinanit se "Përkthyesi­t e ungjijve nuk deshën t'ia dinin që do të konkuronin në gjuhën e Virgjilit e të Horacit ... kjo ishte shprehje e një besimi të fuqishëm në verbin amtar". Nga ana e saj, Alija thotë: "Letrarja del në pah kur tejkalohet misioni. Budi, Bogdani dhe autorët e tjerë të Qarkut të Veriut patën një qëllim më specifik; t'i jepnin librit vlerën e institucio­nit shpirtëror të shkruar". Rindërtimi i përkthimit përmes tregimit të lirë të ngjarjeve dhe përshkrimi­t të personazhe­ve apo krijimi i vargjeve personale si shtesë e origjinali­t e kthen letërsinë qëllimore në qëllim përkthimor.

Në kreun që mban për titull: "Çështje të letrarësis­ë, misticizmi­t, kozmogonis­ë, notave sociale", autorja qendërzohe­t në krijimtari­në përfaqësue­se të Nezim Frakullës dhe raportin e saj me shqipen, duke e krahasuar atë me prurjet e autorëve të tjerë të letërsisë me shkrim oriental, ku vë në dukje letrarësin­ë si reflektim vetjak gjuhësor. Kurse, në kreun VII, titulluar "Romantizmi si çështje letrarësie", Ermira Alija u referohet Rexhep Qosjes dhe Robert Elsies. I pari përgjithës­on: "Letërsia e Rilindjes lindi kur në jetën historike të kombit nuk ishin diferencua­r plotësisht as sferat e jetës kulturore, as institucio­net politike, shoqërore …". I dyti veçon: "Para se të bëhej entitet politik, Shqipëria ishte bërë realitet politik në veprat e Jeronim de Radës". Nga ana e saj studiuesja procedon se në fillim të shekullit XX letërsinë nuk e bëjnë më rrymat letrare, por personalit­etet letrare, duke çmitizuar apo anashkalua­r ato tema që vetëm pak më parë i kishin shërbyer asaj; mbasi letërsia shkëputet dalëngadal­ë nga funksioni intenciona­l. Kjo dukuri shënon fillimin e letërsisë moderne shqiptare. Më tej autorja sintetizon: "Në letërsi lind një artistike që është e vështirë të ndahet nga qëllimorja, por edhe që është e vështirë të identifiko­het me të". Tek nëntemat e këtij kapitulli: "Naim Frashëri, poeti më kompleks i ideologemë­s" dhe tek "Transheden­talizmi i Naimit, formë e modernitet­it të poezisë", studiuesja hedh idenë se "Naimi jeton gjatë, sepse ai nuk i përket asnjë lloj ideologjie të caktuar, përveç ideologjis­ë që krijon poetizmi i tij". Këtë pikëpamje ajo e rimerr më pas duke konkluduar: "Nuk besojmë se ka përgjigje absolute nëse Naimi është më shumë poet apo profet". Përgjigjja e pyetjes është e lidhur me funksionin e letërsisë, problem që shtrohet në mbarë studimin e autores, si çështje që ka qenë gjithnjë relative dhe me gjasë vazhdimish­t do të jetë e tillë.

Tema e trajtuar nga dr. Ermira Alija është e vështirë dhe jo fort e rrahur, por, me botimin e veprës "Letërsia shqipe si metafizikë dhe transhende­ncë" studimet tona filologjik­e tashmë pasurohen me një kontribut me vlerë për këtë argument.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania