Si u sponsorizua Enver Hoxha të krijonte parti nacional- socialiste, jo komuniste

Jeta e martirizuar e bisnesmenit Ramadan Zdrava, i cili simpatizoi dhe ndihmoi Lëvizjen Nacionalçlirimtare, por menjëherë pas hipjes në pushtet të PKSH, ai bashkë me familjen vuajtën si të kishin bërë të kundërtën. Miqësia e Zdravës me Nexhmije Xhuglinin,

Gazeta Shqiptare - - RILINDJA KOMBETARE - Ylli Polovina

Ramadan Zdrava ishte njëri prej atyre pa triska Fronti, pra të "deklasuar" politikisht nga "diktatura e proletariatit", të cilët ndjenë gëzim që më në fund në 1961 Shqipëria u nda prej Bashkimit Sovjetik dhe madje kreu me këtë rast edhe një hap shumë të kurajshëm: doli nga Traktati i Varshavës.

Gëzimin e sinqertë të ndarjes nga "kampi socialist", duke u munduar ta mbajë brenda vetes për të mos u dukur lëpirës i regjimit, Ramadan Zdrava ia shprehu shokut të tij të punës ( bënin të dy nxjerrje zhavorri buzë lumit Osum). Ky, N. F., qe komunist dhe ishte ai që i tha i pari: "Dane, e more vesh? Dualëm nga Traktati i Varshavës". Tjetri iu përgjigj çiltër: "Mu lumté! Janë treguar me të vërtetë burra!" N. F. vijoi: "Po si do t'i vejë halli më tutje?" "Shumë më mirë do të jemi", iu përgjigj Ramadan Zdrava, sërish çiltër.

Këto fjalë të njeriut të dënuar që qe pa triska Fronti, N. F. i raportoi në Komitetin e Partisë të Beratit dhe këtu, që prej sekretarit të parë ato rendën drejt Komitetit Qendror të PPSH- së në Tiranë. Ishte dëshmi e fortë se si për gjestin e guximshëm kundër paktit ushtarak prosovjetik udhëheqja komuniste qe vlerësuar edhe prej armiqve të saj politikë.

Nuk kaloi shumë kohë, jemi në vitin 1969, kur në prani të sekretarit të parë të partisë për rrethin, Jordan Pani, u bë në gjimnazin "Ajet Xhindole" mbledhja e organizatës së rinisë së klasës ku ndodhej njëri nga djemtë e Ramadan Zdravës: Asllani. Do të zgjidhej udhëheqja e saj dhe disa prej të rinjve shprehën simpati për të. Mësuesi, i cili qe njëkohësisht edhe njëri nga drejtuesit kryesorë të rinisë së shkollës, për të parandaluar çdo vlerësim të mëtejshëm pozitiv të Asllanit, i cili për nga natyra vërtet qe mjaft i shoqërueshëm dhe inteligjent, një tip "lideri", u rekomandoi shokëve të klasës të mos shoqëroheshin aq shumë me bashkëmoshatarin e tyre. U kujtoi se ai vinte nga një familje e deklasuar. Pas kësaj J. P. ndërhyri e shtoi se "në gjirin e organizatës së rinisë ka mjaft të rinj e të reja nga klasa punëtore e fshatare, të cilët meritojnë të jenë në krye të saj".

Vijimi i kësaj historie do të kulmonte të nesërmen, në Komitetin e Rinisë së Rrethit, ku Asllan Zdravën e përjashtuan dhe atyre që i kishin shprehur simpati, iu dha paralajmërim. Tashmë i porsapërjashtuari edhe nga Organi- zata e Rinisë, ndërsa edhe kaq goditje të papritura do t'ia kishin tronditur qëndresën psikologjike, iu nënshtrua një traume tjetër. Këtë herë qe një oficer i degës së Punëve të Brendshme, i cili e thirri në zyrë. Ky, duke e tingëlluar zërin si të ishte në një miting, i tha: "Je nip i tradhtarit Sul Zdrava dhe i armikut të popullit Ramadan Zdrava". Pa e lënë të merrte frymë, e akuzoi menjëherë se në klasë, në prani të vetë sekretarit të parë të Partisë për rrethin e Beratit, kishte kryer tinëzisht një puç për t'u zgjedhur në krye të organizatës së rinisë. "Këtë e ke bërë, mëshoi fjalët operativi i Degës, duke ua mbajtur fshehur se familja tënde nuk ka qenë dhe nuk është anëtare e Frontit".

Kur pa se të riut nga tronditja po i dridheshin buzët, oficeri befas e zbuti zërin dhe shtoi se megjithatë ai, siç i kishin thënë, qe një nxënës i disiplinuar dhe me rezultate të mira në mësime. Pastaj shtoi: "Partia kërkon të kontribuosh në mbrojtjen e atdheut". "E kam për detyrë këtë", iu përgjigj gjashtëmbëdhjetëvjeçari Asllan Zdrava pa e shkuar fare ndërmend ku do të dilte tjetri. "Vetëm këtë të kërkojmë", shqiptoi oficeri i Sigurimit. Hezitimit të të riut, pasi i nxori para një fletë, i kundërvuri fjalët: "Prandaj firmos!"

Një dialog i shurdhët, ku u shkëmbyen edhe replika, zgjati pothuaj dy orë, derisa Asllan Zdrava iu bind arsyetimit të vet se për mbrojtjen e Shqipërisë, siç përherë kishin bërë të parët e tij, do të jepte jetën. Pra, përse të mos firmoste. Gjithsesi kur doli nga zyra e operativit nuk dallonte dot më ku po i shkelnin këmbët. Kur kaloi para kinemasë së qytetit dhe pa përballë tërë shtatin e lartë shkëmbor e shumë të pjerrët të Kalasë, në kokë i kërceu mendimi se duhej të ngjitej në pikën e saj më të lartë, tek Tabja Çekbeni, dhe të hidhej poshtë, në humnerën 183 metra. Por menjëherë iu duk sikur e thirri një zë: Thuaji më së pari babait!

Ramadan Zdrava sa e pa të prishur në fytyrë e pyeti çfarë i kishte ngjarë. Pasi e dëgjoi, i tha fjalët qetësuese: "Këtë punë kanë ata, s'je as i pari as i fundit". "Baba, ti si do të bëje?", e pyeti zëdridhur gjashtëmbëdhjetë vjeçari. Përgjigja e Danit qe akoma më shumë brengfashitëse: "Mos iu përgjigj takimeve. Çfarë do të bëjnë? Asgjë".

I ATI ZOGIST, POR E SHPËTOI RIZA CEROVËN

Stërgjyshi i Asllanit quhej Ramadan Ibrahim Zdrava dhe në shpalljen e Pavarësisë në Vlorë qe shoqërues jetëruajtës i Aqif Pashë Elbasanit. Gjyshi i Asllanit quhej Sulejman, shkurtimisht Sula. Ky bëri emër më të madh mes të gjithë Zdravajve. Mori pjesë në mbrojtjen e Shkodrës, 1913, dhe deri në ditët e sotme kanë mbërritur nga kjo bëmë e tij çfarë pati treguar e shoqja, Qamilja. Dy javët e fundit të kësaj lufte, rrëfente ajo, mbrojtësve ju munguan jo vetëm ushqimet, por edhe uji për të pirë. Megjithatë më shumë se të shuanin etjen e ftohnin trupat e tyre, luftëtarëve u duhej të ftohnin armët, të cilët nga nxehja e tepërt bllokoheshin. Në mungesë të ujit për këto të fundit përdornin qepët. Kështu ndodhi që një pjesë e luftëtarëve vdiqën thjesht prej urisë dhe etjes. Kur pas mar- rëveshjes forcat kombëtare mbrojtëse u lanë malazezëve Shkodrën, qenë aq të uritur, sa kur populli në rrethina, tek iknin për në qytetet e fshatrat e tyre, i priti me dashuri dhe u ofroi ushqim, disa i zuri buka dhe vdiqën rrugës. Pa mbërritur dot në shtëpi.

Sul Zdrava u ndesh edhe me një armik tjetër: andartët grekë. Këta patën shkelur tërë jugun dhe më në fund kishin hyrë në Berat. Atëherë ai në krye të çetës vullnetare të Dumresë u nis për t'i dëbuar nga trojet amtare. Bashkë me shumë të tjerë bashkëkombës ia doli. Po ashtu edhe kur e kreu për herë të dytë këtë vepër: në 1917. Sipas avokatit Ymer Janina, në bahçen e tij në lagjen Murat Çelebi të Beratit, ky kish parë Sul Zdravën, të veshur me xhidik dhe në dorë një patickë, tek shtinte pa pushim dhe pa u tutur mbi andartët.

Një episod tjetër sërish nuk do të harrohej mes beratasve: kur këta andartë hynin nëpër shtëpira i urdhëruan gratë të hiqnin unazat, vathët e varëset. Kush refuzonte kërcënohej me prerje gishti. Përveç se poshtë në qytet, kjo dhunë u krye edhe sipër, në qytetin e vjetër, në Kala. Kur luftëtarët e Sulës bashkë e njësi të tjera kombëtare, i ndoqën rebelët grekë deri përtej Përmetit, tek Tre Urat i çarmatosën dhe u zunë çfarë patën grabitur. Pas luftimeve Sula u kthye në Kala dhe ua ktheu të gjitha stolitë grave. Këto morën secila të vetat dhe në fund vunë re se nuk mungonte asnjë.

Sulejmani bëri karrierë të dukshme ushtarake veçanërisht në kohën e monarkisë. Qe shumë besnik i Ahmet Zogut. Shërbimin ndaj tij e konsideronte si ndaj vetë Atdheut. Prej kësaj ideje që kishte, edhe pse pati dalë në pension, mori pjesë aktive në shtypjen e egër të kryengritjes së Fierit. Këtë zell komunistët nuk do t'ia falnin pas vitit 1944, pa ditur gjithsesi edhe një hollësi: kur Zogu e ngarkoi për të arrestuar Riza Cerovën, Sula ia "hodhi", bëri sikur nuk e kapi dot. I hapi shteg.

Në të vërtetë kohë më parë, një natë, gjatë një shërbimi ushtarak, pati fjetur tek shtëpia e tij ( Rizai nuk qëlloi të ishte) dhe që prej këtij çasti nëna e Cerovës do të thoshte kudo hapur se Sulën e kishte djalë, njëlloj si të birin. Rizanë më vonë, pas shtypjes së kryengritjes së Fierit, do ta vrisnin në pritë në krahinën e Korçës të tjerë ushtarakë të mbretit dhe kur pas kësaj Ahmet Zogut do t'i shkonte fjala se Sul Zdrava e pati tradhtuar, ky e thirri dhe dëgjoi i qetë përgjigjen e besnikut: "Nuk mund ta bëja këtë detyrë, sepse kam ngrënë bukë e

Sulejman Zdrava, 1913

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.