"Nëntori i përgjakur", në 10 ditë humbën jetën 6 shqiptarë në Greqi

Disa nga viktimat u vranë, ndërsa të tjerët vdiqën në aksidente

Gazeta Shqiptare - - UNAZA E MADHE -

Dy javët e fundit të nëntorit kanë qenë tragjike sa u përket shqiptarëve në Greqi. Në harkun kohor të 10 ditëve, 6 qytetarë shqiptarë kanë humbur jetën në shtetin fqinj, disa prej të cilëve të vrarë, e të tjerë që janë ndarë nga jeta aksidentalisht. Më 19 nëntor, adoleshenti shqiptar Enriko Buzani, 15 vjeç, humbi jetën tragjikisht në një aksident automobilistik në qytetin Kyparissia. Ai kishte marrë pa leje makinën e të atit dhe së bashku me të ishin edhe dy shokë të tij 15- vjeçarë. Makina me të cilën udhëtonin tre shokët u përplas me një kamion që drejtohej nga një shtetas bullgar, i cili ka pësuar dëmtime të lehta. Nga përplasja e fortë humbën jetën menjëherë adoleshentët grek e bullgar, kurse 15- vjeçari shqiptar u dërgua në gjendje kritike në spitalin e Rio të Patras, por ndërroi jetë më vonë. Më 22 nëntor, Altin Mulla vritet në kufi pranë Pogonit nga policia greke. Së bashku me disa persona të tjerë, Mulla kishte kaluar ilegalisht nga kufiri i gjelbër për të trafikuar lëndë narkotike. Ata u diktuan nga policia greke, që patrullonte kufirin dhe nisën të qëllonin me armë. Nga shkëmbimi i zjarrit, Altin Mulla mbeti i vdekur, kurse shqiptarët e tjerë u arratisën. Aksioni vazhdon për të arrestuar personat e tjerë të përfshirë në këtë ngjarje, dyshohet 4 të tillë. Ndërkohë, policia greke ka sekuestruar 10 thasë me drogë. Po kështu, në vendngjarje u gjetën edhe 2 kallashikovë.

Më 24 nëntor, një 38- vjeçar shqiptar humbi jetën në aksident në hyrje të qytetit Malesina. Ai ishte duke udhëtuar i vetëm në makinë, kur humbi kontrollin e mjetit dhe doli nga rruga, duke përfunduar në oborrin e një shtëpie. Identiteti i viktimës nuk është bërë i ditur, por aksidenti ka qenë i rëndë, aq sa është dashur ndërhyrja e zjarrfikësve për të nxjerrë nga makina trupin e shqiptarit. Një ambulancë e dërgoi 38- vjeçarin me urgjencë në spital, por fatkeqësisht ndërroi jetë sapo mbërriti. Shqiptari jetonte prej disa vitesh me familjen e tij në Greqi. Ndërkohë, policia greke ka nisur hetimet për të sqaruar tërësisht rrethanat e aksidentit me pasojë vdekjen.

Më 25 nëntor, një i burgosur shqiptar në burgun e Trikallas u gjet i pajetë në qeli. Një natë më parë, gjendja shëndetësore e 35- vjeçarit ishte normale kur kishte shkuar për të fjetur. Ai u gjet i vdekur nga gardianët, ndërsa shkaqet janë ende mister. Sipas mediave greke, autoritetet policore kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e vdekjes së shqiptarit.

Më 26 nëntor, një 63- vjeçar shqiptar u gjet i vdekur në një kanal në anë të rrugës në Korfuz. Nga hetimet paraprake, rezultoi se 63- vjeçari ishte qëlluar me çifte nga një distancë e afërt nga persona të panjohur. Më pas trupi i tij ishte hedhur në anë të rrugës. Shqiptari ishte person i njohur në atë zonë, pasi banonte prej vitesh. Fqinjët i thanë policisë se ai nuk kishte probleme me persona të tjerë. Më 29 nëntor, një 40vjeçar shqiptar u përplas për vdekje nga një makinë në Selanik. Viktima po kalonte rrugën kur u godit nga një automjet i drejtuar nga një 20- vjeçar. Për shkak të plagëve, 40- vjeçari shqiptar humbi jetën menjëherë. Marrë nga ' tvklan. al'

Viktima Artan Mulla

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.