Gazeta Shqiptare

Tregu në Shqipëri nuk ofron variante, muzika jonë nuk del kurrë nga moda

"Kur harroj refrenin them: Më shkatërrua­t fare"

- Egla Xhemali

Serenatat nuk dalin kur rë nga moda. Ata kanë vendosur t'i risjellin duke ruajtur ngrohtësin­ë e vargjeve përgjatë performanc­ës. Padyshim që e keni kuptuar se bëhet fjalë për vëllezërit korçarë, Endri dhe Stefi Priftin. Një rrugëtim i gjatë me kujtime të pacenuara nga pluhuri i kohës, pjesëmarrë­s në festivale, koncerte, gëzime familjare dhe të kudogjendu­r atje ku njerëzit duan të dëgjojnë muzikë të mirë. Vite të mbushura me dinamizëm, duartrokit­je dhe mbështetje e fortë nga publiku. Për "Gazeta Shqiptare" vjen në një rrëfim plot ngjyra e herëherë me esenca humori Endri Prifti, për të ndarë me ne momentet në skenë me Stefin, rastet kur e qeshura e tyre i bën dhe fansat të qeshin, komentet e njerëzve si dhe projektet e fundit. I pyetur nëse e ka menduar ndonjëherë shkëputjen nga muzika, Endri pohon se derisa rrahjet të trokasin, do këndojë e do prodhojë vargje. Më tej, Prifti thotë se 80% e produkteve muzikore në Shqipëri janë të ngjashme dhe se ata kanë punuar fort që t'ia mbërrijnë kësaj dite. Këngëtari zbulon edhe projektet e tyre të fundit. Të gjithë fansat e vëllezërve korçarë duhet të bëhen gati për surprizën që ata do të prezantojn­e shumë shpejt!

Pse serenatat nuk dalin kurrë nga moda?

Bëni mirë që më pyesni për serenatat, pasi ne i risollëm, i riorkestru­am dhe i këndojmë bukur ato dhe jo vetëm. Ne jemi edhe kalorës të muzikës së lehtë në këtë vend. Më duhet ta them vetë që ta mësojnë të gjithë njëherë e përgjithmo­në, jo vetëm të serenatave. Serenatat janë muzikë e ëmbël, e dashur. Vijnë nga ngjarje të vërteta dhe i përkasin çdo njeriu që dëgjon vargjet dhe muzikën e bukur e të thjeshtë. Serenatat nuk kanë ndonjë shpikje në muzikë, nuk kopjohen nga asnjë zhanër muzikor tjetër dhe interpreto­hen ëmbël nga çdo njeri që i këndon, si në skenë, ashtu edhe në çdo sebep familjar apo me shoqërinë, kudo ndodhen dhe këndohen. Kjo është edhe arsyeja që nuk dalin asnjëherë nga moda.

Refreni të cilin e ke harruar një çast dhe kanë shpërthyer të qeshurat?

Ka shumë çaste kur unë harroj refrenin apo strofën. Vjen nga shumë arsye. Dikush më flet diçka në vesh në skenë, unë përpiqem ta dëgjoj dhe humb fillin e tekstit, normale ( qesh). Kur bëhem gati për këngën tjetër, duke u konsultuar me Stefin, prapë edhe ky është një moment tjetër kur mund të harroj tekstin etj. Të qeshurat vijnë me raste, varet nga momenti dhe vendi ku performojm­ë. Hera e fundit që harrova tekstin ishte para një jave në Tetovë, në një publik të mrekullues­hëm. Kisha shumë pranë disa sinjorina dhe po më pëshpëritn­in në vesh, nuk po i kuptoja dhe për një çast harrova tekstin. ' Prisni - u thashë se më shkatërrua­t fare', e vazhdova me lalala këngën dhe bashkë me gjithë sallën plasëm së qeshuri.

Momenti më i sikletshëm me Stefin në skenë?

Kur nuk biem dakord për ndonjë këngë që duhet kënduar në moment, ai thotë jo, unë them po ta bëjmë tani dhe në këtë moment. Të dy jemi në siklet të paparë, mbase edhe publiku e kupton që diçka ka ndodhur midis nesh, por punë minute dhe kalon shpejt.

Oferta më e çuditshme që ke marrë për hir të punës?

Nuk e kuptoj për çfarë lloj ofertash bëhet fjalë, megjithatë kemi marrë oferta shumëllojs­hme gjatë karri- erës sonë, nga më të ndryshmet, deri tek ajo që të na fusnin aksionerë në shumë biznese, jo vetëm lokale, por edhe fabrikash.

Mosmarrëve­shja me Stefin, për të cilën i ke mbajtur disa ditë mëri?

Këto janë mosmarrëve­shjet tona private. Shumë pak herë ka ndodhur të mos flasim mbi dy ditë.

Ku e gjen Endri gjithë këtë energji?

Energjinë ma ka falur Zoti dhe dashuria që kam për muzikën. Jeta ime është e lidhur direkt me muzikën, djemkat e mi dhe mbeskat e mia. Në jetë kam pasur shumë halle, vështirësi­a, të përpjeta të paimagjinu­eshme, vuajtje të mëdha shpirtëror­e, emocionale e shumë e shumë halle të tjera sikurse qëndron edhe ana tjetër e medaljes, sa i përket bukurisë dhe aventurave të mia duke shëtitur në të gjithë botën. Të mbetemi në vështirësi­të e jetës sime. Çdo siklet dhe çdo gjë që për atë moment më këputet shpirti dhe zemra, i vetmi ilaç që harroj gjithë këtë stres është kur ngjitem në skenë dhe marr mikrofonin për të kënduar. Këtu harroj gjithëçfar­ë problemesh kam dhe shijoj këngët, muzikën tonë, vargjet tona. Mes atmosferës, energjia ime nuk ka kufij.

Çfarë do ndryshojë me rrjedhën e kohës?

Do ndryshoj vetëm suksesi ynë, që do të jetë vetëm në ngritje dhe asnjëherë nuk do zhgënjejmë publikun tonë, duke e bërë që të na dojë më shumë. Sa më shumë të kalojë koha, aq më shumë do na dojë publiku ynë.

Komenti i parë që merr nga njerëzit pasi të takojnë?

Jeni fantastikë, jeni të papërsërit­shëm, jeni legjendat e këtij vendi, duke u dridhur zëri nga emocionet që kanë kaluar ato orë të paharruara në koncertin tonë.

E ke menduar ndonjëherë shkëputjen nga muzika?

Po u shkëputa nga muzika, do ndalojnë rrahjet e zemrës sime. Deri sa të trokasin ato në gjoksin tim, unë do këndoj, do prodhoj, do shkruaj vargje e muzikë që t'ia lë trashëgim këtij populli kaq të varfër dhe të cenuar nga muzika.

Projekti i fundit, kur do të vijë për publikun?

Duhet të kishte dalë projekti i fundit. Është gati. Jo vetëm që do dalë klipi, por janë edhe mbi 7 këngë, 90% të mbaruara, pjesë e albumit tonë, që ka filluar që vjet në këto kohë. Arsyet pse s'ka dalë janë kryesisht obligimet tona, koncertet që kemi. Ne nuk kemi asnjë javë të vitit pa minimumi dy koncerte në javë. Këto mund të jenë në Shqipëri, por janë edhe në mbarë botën, kështu që gjithë ajo lodhje që ne kemi, po e them me minimumin e koncerteve, 2 në javë, një ditë tjetër e duam çlodhje. Ditën tjetër një takim, një përkushtim me fëmijët, një takim për punën, takime dasmash etj. Festa me shokët, një tavolinë që fillon e s'mbaron për qejf etj. Së dyti, shqetësime të pafundme nga gjithçka. Këto bëjnë që projektet tona të shtyhen. Kur shkruaj këngë, më marrin tri ditë kohë vetëm një këngë. Ja konkretish­t, javën që shkoi shkrova dy këngë madhështor­e në shtëpi. Kisha lënë takim për videoklipi­n, por nuk shkëputesh­a dot nga emocionet që më kishin pushtuar trupin dhe duhet të rrija disa ditë në shtëpi të përfundoja këto kompozime të reja. Shumë rrallë dhe shumë vështirë të vijnë këto emocione. Unë nuk kopjoj asnjëherë për të shkruar muzikë. E nxjerr muzikën nga lotët e mundit tim, jo si këto damba- dumbat që kanë mbytur këtë vend. Të gjitha këngët, njëlloj, një ritëm, një ide, njëlloj me pak fjalë. 80% e muzikës shqiptare nuk dallon fare kënga nga kënga tjetër. Shpresoj që maksimumi në fundin e këtij muaji do të dalë në klip një ndër veprat e mia më të mëdha. "Kënga magjike" titullohet, legjenda Endri Prifti. Ju faleminder­it shumë dhe si për mbyllje, të gjithë i dinë fjalët e mia. Ju dua shumë të gjithëve pa përjashtim dhe nuk do ju zhgënjej asnjëherë në skenë. Të keni shëndet e mbarësi të gjithë!

 ??  ??
 ??  ??
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania