Gazeta Shqiptare

Ankimoi zgjatjen e afateve të hetimit, gjykata rrëzon kërkesën e ish- shefit të policisë, Jaeld Çela

-

TIRANË - Gjykata e Krimeve të Rënda ka hedhur poshtë kërkesën e ish- shefit të Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, i dyshuar si garantor i grupit të "Habilajve" në trafikun e drogës për mbylljen e hetimeve. Ish- drejtori i policisë së Vlorës ankimoi zgjatjen e fundit të prokuroris­ë, afati i të cilit përfundon më 18 shkurt, ndërsa prokuroria pritet që për Çelën të kërkojë një zgjatje tjetër të hetimeve. Pak ditë më parë gjykata vendosi të pranojë ankimin e ish- ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri për zgjatje të afateve, duke caktuar 10 marsin si afatin e fundit për të çuar dosjen me gjykatë, apo për pushimin e hetimeve. Jaeld Çela vijon të jetë në arrati prej më shumë se një viti. Ish- zyrtari i policisë është shpallur në kërkim bazuar në një masë sigurie "arrest në burg" në mungesë në nëntor 2017. Sipas hetimeve, ish- drejtori i Policisë ka mbajtur në përdorim 3 numra telefoni, në të cilat rezulton se ka komunikuar me Florian Habilajn dhe Gentian Cekën, që është shoferi i ish- ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Kjo nuk është hera e parë që Çela ankohet për zgjatjen e afatit të hetimit. Ai bëri të njëjtën kërkesë nga arratia në mars të vitit të kaluar, kur hasi në refuzimin e gjykatës. Emrat e zyrtarëve që dyshohen si të përfshirë në dosjen "Habilaj" për trafikun e kanabisit janë ish- drejtori i Policisë së Vlorës, Jael Çela; Gjergj Kohila, shefi i sektorit të luftës kundër krimit të organizuar, në drejtorinë e Qarkut Vlorë si dhe ish- drejtori i Postës së Dhërmiut, Sokol Bode, të cilët më pas u arratisën jashtë vendit.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania