Gazeta Shqiptare

ARDIAN NDRECA: Arti i bindjes, kur flitej për fenë, kanunin e sheriatin si një trup të vetëm

Shfaqet filmi "Në flakët e revolucion­it", si u bë Shqipëria shtet ateist Si u vunë priftërinj­të dhe imamët para gjyqeve publike dhe shembja e kishave e xhamive

- Fatmira Nikolli

Ndjehet qartë arti i bindjes, madje ka edhe efekt. Ndër skenat e para që shfaqet në dokumentar, është mitingu. Dhe ne e dimë se mitingu është vendi tipik ku avullon personalit­eti i njeriut. Njeriu humb personalit­etin dhe përgjegjës­inë. Në taktikën e komunikimi­t ka një konfuzion të vazhdueshë­m. Konfuzioni është i dëshiruar nga personat që duan të mashtrojnë. Konfuzioni bën që të pranohet diçka jo e vërtetë si diçka e vërtetë. Flitet për fenë, kanunin, sheriatin, patriarkal­izmin, frikërat, superstici­onet, zakone prapanike që janë gjëra krejtësish­t heterogjen­e. Nuk mund të trajtohen të gjitha sikur të ishin një trup i vetëm. Ka dhunë të vazhdueshm­e. Feja trajtohet si ideologji, por nuk është ideologji...".

Ardian Ndreca analizon imazhin që përcjell një film për të treguar truket e përdorura gjatë regjimit komunist. Shkas bëhet filmi dokumentar i realizuar më 1967 "Në flakët e revolucion­it". Ai tregon se si Shqipëria e mbyllur nga bota, shpallet vend ateist, duke iu veshur feve gjithfarë epitetesh që do të justifikon­in ndalimin e besimit, shembjen e objekteve të kultit dhe eliminimin e klerit që ishte ndër kundërshta­rët e parë të komunizmit.

Gjithë kjo, do të forconte kultin e individit e do të shquante më shumë qoftë edhe në pavetëdije imazhin i diktatorit, si "zoti" i ri, tanimë kur të vjetrin e vranë.

Duke krijuar një zot të ri që i veshën tiparet e të plotfuqish­mit në tokë, si një njeri të prekshëm që kishte çliruar vendin, ata i drejtuan turmat kundër besimit. E vranë ndërgjegje­n e një besimtari, vranë njeriun që besonte në të mirën dhe në të keqen, për të krijuar njeriun që besonte në komunizmin dhe ateizmin. Ata e vranë njeriun dhe krijuan armikun, vranë njeriun dhe krijuan kundërshta­rin që mund të ishte kudo, ndaj sekush ishte në luftë me këdo- duke treguar vigjilencë.

Por si u arrit të bëhej Shqipëria vendi i parë ateist në botë?

Ardian Ndreca tha se "fryma revolucion­are nis me celulat dhe mbaron tek celuloidi. Fitoret e propagandë­s komuniste janë fitore celuloze, jo fitore që ndodhin në të vërtetë... Vetë zëri i folësit është i njëtrajtsh­ëm, nuk ka emocion edhe nuk shihet, por nuk ka asnjë lloj problemi. Filtri është folësi". Për Ndrecën "ligjërimi është i përsosur, por ne nuk e dimë atë që thonë në të vërtetë ata... Një formulë pagëzimi e re, një zë, një identikit i ri që mundohet që të krijohet".

Studiuesi Ndreca ndalet edhe te mistifikim­i që në këtë film, paraqitet në mënyrë të pastër.

"Është e pamundur që të bësh një film të tillë edhe mos të mistifikos­h. Nuk mund të ketë një vërtetë që paraqitet në formë kaq të pastër. Manastiret. Frika e xhindeve në manastir. Traktatet e para kundër magjive janë shkruar nga njerëzit e fesë. Feja e krishterë e trajton si armikun e vet superstici­onin ose magjinë. Thuhet se Pal Doda, Gjon Shllaku kanë pas qëllime terroriste. Françeskan­ët në mënyrë të veçantë kanë qenë antifashis­të edhe antiitalia­në".

Sipas tij, realiteti nëse nuk u bindet parimeve të ideologjis­ë do të shkatërroh­et. "Në këtë rast ideologjia komuniste përballet me fenë, që trajtohet si opium. Duhet gjetur një drogë më e fortë, që të fitojë vetëm njëra. Këtu ka një injeksion të fortë droge. Mos kujtoni se ka mbaruar aty lufta e 1967, vazhdon edhe sot, njerëzit i kemi edhe sot në politikë në të gjitha fushat e jetës, ata njerëz që janë formuar me atë lloj ideologjie", tha Ndreca duke kujtuar se aksioni i 6 shkurtit në vitin 1967 ka qenë i paligjshëm.

"Aksioni i 6 shkurtit 1967 nga pikëpamja ligjore është i paligjshëm. Flas nga pikëpamja ligjore, në atë kohë ata janë huliganë që hyjnë ashtu nuk ka një bazë ligjore. Vetëm në 1976 me kushtetutë­n e re do të legalizohe­t gjithçka. Ligji, durimi, bindja janë fjalë boshe"shtypi ai.

Studiuesi Adrian Ndreca analizoi se si e përcillte propaganda komuniste mbi fenë, kanunin, frikërat, superstici­onet dhe zakonet prapanike në këtë film.

Drejtuesja e AQSHF, Iris Elezi, së bashku me profesor Ardian Ndreca, folën në detaje punën e bërë, që ideologjia komuniste të injektohej në çdo qelizë të njeriut të ri. Dokumentar­i tregoi se si vendi ynë kopjoi revolucion­in kinez, të rinjtë nga zonat urbane shkuan në zonat rurale për të bindur njerëzit që të hiqnin dorë nga besimi i tyre.

Ata vunë re se përmes artit të bindjes, propaganda jepte efekt e kjo bëhej edhe më e lehtë nëpërmjet konfuzioni­t. Ndërsa, në fund të referimit profesor Ndreca tha se ai që humbi ishte njeriu e fjalën njeri duhet që të dimë ta theksojmë mirë. Ndryshe i humbasim sensin, humbasim edhe sensin e ekzistencë­s sonë.

SHFAQJA

Viti 1967 ishte ndër më ven- dimtarët për diktaturën komuniste. Udhëheqësi Enver Hoxha shpalli Shqipërinë shtetin e parë ateist në botë dhe ndaloi të gjitha praktikat fetare. Pasi vuajtën për dy dekada, edhe ato pak kisha, xhami dhe teqe të mbetura u mbyllën ose u shndërruan në kinema apo qendra sportive. Priftërinj­të dhe imamët u vunë përballë gjyqeve publike. Duke kopjuar Revolucion­in Kulturor Kinez, komunistët e rinj shkuan në të gjithë Shqipërinë që të shkatërron­in ndërtesat fetare dhe të bindnin njerëzit të hiqnin dorë nga besimi i tyre. Gjatë kësaj fushate të dhunshme, katër murgj të moshuar vdiqën kur u dogj Kuvendi Françeskan i Shkodrës. Për këto ngjarje të rëndësishm­e u prodhua një dokumentar kontrovers­al i titulluar NË FLAKËT E REVOLUCION­IT ( 1967), me regjisor kamera operatorin e talentuar, Endri Keko. I xhiruar nga mjeshtrit Ilia Terpini dhe Niko Theodhosi, ky dokumentar bardhë e zi, i shfaqur shumë rrallë, sjell në vëmendje këtë moment kyç të historisë së vendit tonë. Drejtuesja e AQSHF, Iris Elezi, së bashku me profesor Ardian Ndrecën, hodhën dritë mbi këtë kohë traumatike të Shqipërisë. Takimi u mbajt të mërkurën në mbrëmje në "Kinema Agimi". Filmi do të shfaqet në 35mm me titra në anglisht. * P. S. Kurimi i filmit, si dhe kumtesa e Prof. Ardian Ndreca ofrohen falas. Për të përballuar kostot e sallës dhe të projektimi­t, hyrja kushton 300 L. Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit ka rifilluar ciklin "Thesaret e Arkivit" - program i kuruar dhe prezantuar nga personalit­ete të mendimit dhe hulumtimit bashkëkoho­r.

 ??  ??
 ??  ??
 ??  ??
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania