Zgjedhjet, Meta- Ramës: Nxitja e dhunës, për të fshehur skandalet
"Hero i votave socialiste, e tejkalove planin"
Një ditë pas 30 qer shorit, Presidenti i Republikës, Ilir Meta uroi dje qytetarët shqiptarë në mbarë vendin, të cilët nuk u konfrontuan dhe i qëndruan larg dhunës. Por, presidenti sulmoi mazhorancën dhe në mënyrë të veçantë kryeministrin Rama në reagimin e tij të parë mbi procesin elektoral të 30 qershorit, ku u votua për pushtetin lokal. Sipas tij, shqiptarët nuk ranë viktimë e retorikës konfrontuese të liderëve të papërgjegjshëm, që përmes nxitjes së dhunës duan të fshehin skandalet si dhe llogaridhënien. Në një status në "Facebook", kreu i shtetit i quan votimet e djeshme, socialiste të thirrura nga kryeministri Rama. Sipas tij, në këto zgjedhje nuk kishte asnjë surprizë për tejkalim të planit, ndërsa tha se duhet të "shpikë" një dekoratë të re, atë të "Heroit të votave socialiste". Ndërkohë, kreu i shtetit komentoi edhe pjesëmarrjen e ulët në këto votime, duke thënë se nuk kishte asnjë surprizë. Në një postim në "Facebook", të shoqëruar nga një video me votime kolektive, kreu i shtetit ironizoi zgjedhjet, duke u shprehur se: "Më duhet të ' shpik' një dekoratë të re, që besoj me ndihmën e Kuvendit socialist do miratohet, atë të ' Heroit të votave socialiste'", deklaroi z. Meta. Presidenti falënderoi shqiptarët që iu larguan konfrontimit dhe dhunës. "Urime të gjithë qytetarëve që dje iu larguan konfrontimit dhe dhunës, duke respektuar në mënyrë qytetare njëri- tjetrin, pavarësisht nga qëndrimi ndaj votimeve socialiste të thirrura nga kryeministri Rama. Shqipëria shpëtoi nga kurthi i përplasjes civile, ndaj i falënderoj nga zemra të gjithë shqiptarët që nuk ranë viktimë e retorikës konfrontuese të liderëve të papërgjegjshëm, që përmes nxitjes së dhunës duan të fshehin skandalet dhe llogaridhënien e tyre. Përsa u takon tejkalimeve të planit në votimet socialiste,
asnjë surprizë nuk kisha", u shpreh kreu i shtetit. Ilir Meta, për të "shijuar" rikthimin e kohës së votimeve kolektive, ftoi ndjekësit e tij në "Facebook" për të ndjekur një video se si votohej në kohën e diktaturës. Por edhe pse ditë e hënë, Presidenti Ilir Meta zgjodhi dje që të qëndronte buzë detit. I vetëdijshëm se do të kritikohet, kreu i shtetit tha se ka humbur shumë kohë duke pritur dialogun dhe reflektimin. Në "Facebook" Meta u shfaq në mes të dy vëzhguesve të huaj, të cilët ndoqën nga afër procesin e votimit. "Kënaqësi të takoja sot ( dje) në Lalëz dy vëzhgues ndërkombëtarë të votimeve të djeshme, Zhoaon nga Holanda dhe Katerinën nga Gjermania. Ata kërkuan një kujtim me mua dhe unë jam i lumtur ta ndaj këtë foto me ju. Po kështu, jam i gëzuar që u ka pëlqyer shumë Shqipëria. E di që disa komentues do më kritikojnë pse sot jam buzë detit si e hënë që është, por dua t'ju them se kam humbur shumë ditë pushimi duke pritur dialogun dhe reflektimin, përfshirë edhe të shtunën e fundit", deklaroi z. Meta.