Dron me drogë në burgun e Shënkollit, në pranga tre veta
Tentuan të fusnin kanabis sativa dhe tre celularë Aksioni i policisë, ja kush janë të rinjtë
Droni veç funksionit si kamera tashmë ka nisur të përdoret dhe si korrier. Në vend të pëllumbave, tre të rinj kanë përdorur dronin për të futur drogë në burgun e Shënkollit, por janë pikasur e më pas arrestuar nga policia, që kapi në kohë planin e tyre. Ngjarja është regjistruar mbrëmjen e së shtunës ndërkohë, efektivët e policisë së burgut kanë marrë masa për monitorimin e mjetit fluturues deri në uljen e tij jashtë territorit të burgut, pasi mbante një pako të dyshimtë. Sipas burimeve, nga kontrolli që i është bërë pakos janë gjetur 3 celularë, 3 karta celularësh, 7 pako me lëndë narkotike, e dyshuar si kanabis sativa.
NJOFTIMI
Policia e Shtetit në bashkëpunim me Policinë e Burgjeve parandaluan dhe goditën një tentativë të futjes në ambientet e burgut të lëndëve narkotike dhe telefonave celularë me anë të dronit. Sekuestrohet droni ku në trup të të cilit ishin lidhur 7 pako me canabis sativa dhe tre telefona celularë. Arrestohen në flagrancë tre shtetas , ku në mjetin e tyre u gjet telekomanda e dronit. Në orët e vona të mbrëmjes , në rrethimin e jashtëm të burgut të Shënkollit , punonjësit e Policisë së burgut që kryenin shërbim kanë konstatuar se po fluturonte një dron duke hyrë në zonën e ndaluar dhe menjëherë kanë njoftuar Policinë e Lezhës. Në drejtim të burgut janë nisur forcat e FNSH të Shkodrës të cilat ishin me shërbim në Lezhë si dhe shërbimet e policisë së Lezhës së bashku me grupin hetimor. Falë reagimit dhe veprimeve të shpejta dhe profesionale u bë e mundur bllokimi i dronit në rrethin e dytë të jashtëm të burgut, ku gjatë këqyrjes në trup të dronit u gjetën të lidhura në një qese plastmasi 7 pako me lëndë narkotike si dhe tre telefona celularë. Gjithashtu, po në vijim të veprimeve tek pjesa e pasme e burgut ne një distance 1km, Policia e Lezhës dhe FNSH ka konstatuar dhe bllokuar një automjet ku brenda të cilit ndodheshin tre persona. Gjatë kontrollit në automjet, policia gjeti dhe sekuestroi telekomandën e dronit që u sekuestrua brenda rrethimit të dytë të jashtëm të burgut, çanta ku futet droni, si dhe tre aparate të tjerë celularë. Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: M. V. , 28 vjeç banues në fshatin Vrake, Malësi e Madhe, i dënuar më parë për vjedhje. Xh. K. , 25 vjeç, banues në Shkodër, Xh. L. ,28 vjeç, banues në Bajze , Malësi e Madhe, Shkodër. Materialet do ti kalojnë për hetime të mëtejshme Prokurorisë Pranë Gjykatës Shkallës së Parë Lezhë për veprat penale "Prodhimi dhe shitje te narkotikeve" dhe "Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim e mbetur ne tentative".