Duma: Nuk është koha për të matur rezultatet e aksionit opozitar
deputetja demokrate, Grida Duma, është e bindur se aksioni opozitar do t'i japë shumë shpejt frytet e veta. E ftuar në emisionin "Kjo Javë" në "News 24", ishdeputetja Duma është shprehur se ky nuk është momenti për të matur suksesin e aksionit opozitar, pasi ky është një proces që vazhdon dhe që do t'i ketë rezultatet shumë shpejt. Ndërkohë duke iu përgjigjur edhe kritikave të ish- sekretarit të përgjithshëm të PD- së, Arben Ristani, Duma tha se sakrificat ekstreme shpërblehen. "Ky nuk është momenti për të matur suksesin e aksionit opozitar. Sakrificat ekstreme shpërblehen. Sa më i madh risku dhe sakrifica, aq më i madh është shpërblimi. Opozita e ka zbutur revoltën qytetare dhe qytetarët sot janë aksionerë të protestave të tyre", deklaroi ish- deputetja Duma. Ajo theksoi se opozita ka bërë në mënyrë të shkëlqyer kartën denoncuese, kartën e transparencës dhe atë të aksionin opozitar, ndërsa paralelisht me këtë, ajo po ndërton edhe kartën për ardhjen në pushtet. Ish- deputetja u shpreh se tashmë është arritur një vetëdijësim i lartë se pushteti i Ramës u bën keq shqiptarëve. "Situata nuk është e njëjtë, kemi momentin më të lartë të vetëdijësimit, që pushteti i Ramës u bën keq shqiptarëve. Opozita gjithë betejën nuk po e bën për pushtetin e saj. Po tregojmë qartësisht se e nisëm këtë betejë për votën e lirë dhe nuk u tërhoqëm në asnjë çast. E kemi pasur të vështirë të depërtojmë në veshët dhe mendjet e njerëzve. Që nga shkurti deri tani janë disa muaj, nga momenti në të cilin shqiptarët mendonin se paratë e zeza nuk mundeshin dot. Në këto pak muaj qëndresë, sot kemi arritur në shkallën e parë, mund ta quajmë të dytën, që ky Rama nuk është njeriu që kamuflohet pas kamerave” - tha Duma.