SPAK gati në vjeshtë, qeveria miraton 1.3 milionë euro buxhet për 2019
Miratohet buxheti i prokurorisë së posaçme kundër korrupsionit
Pavarësisht
vonesave gati trevjeçare nga momenti i miratimit të reformës në drejtësi, duket se më në fund prokuroria e posaçme që do të hetojë korrupsionin në nivelet e larta dhe krimin e organizuar në vend do jetë gati në vjeshtë. Kjo jo vetëm për shkak të procesit të përzgjedhjes së kandidatëve që do jenë pjesë e kësaj strukture të veçantë, por edhe të masave që ka marrë qeveria për funksionimin e saj. Në mbledhjen e së mërkurës të Këshillit të Ministrave u miratua vendimi që përcakton afro 1.3 milionë euro si buxhet fillestar për pjesën e mbetur të vitit për funksionimin e SPAK, strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. "Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 10, të nenit 57, të ligjit nr. 95/ 2016, ' Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar', me propozimin e ministrit të Drejtësisë dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave vendosi që: Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i përcaktohet për vitin 2019 buxheti fillestar prej 150 000 000 ( njëqind e pesëdhjetë milionë) lekësh, për përballimin e shpenzimeve lidhur me ushtrimin e aktivitetit gjatë vitit 2019", - thuhet në vendimin e qeverisë. Ndër- kohë që po ky vendim përcakton se për zbatimin e tij ngarkohet vetë Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë. Sipas ligjit bazë, Prokuroria e Posaçme ushtron ndjekjen penale dhe përfaqëson akuzën në emër të shtetit para Gjykatës së Shkallës së Parë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, Gjykatës së Apelit kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe Gjykatës së Lartë, merr masa dhe mbikë- qyr ekzekutimin e vendimeve penale, si dhe kryen detyra të tjera të ngarkuara me ligj. Prokuroria e Posaçme i kryen funksionet e saj në mënyrë të pavarur, nëpërmjet prokurorëve të posaçëm, të cilët emërohen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë në përputhje me këtë ligj. Ndërkohë që krahas Prokurorisë së Posaçme krijohet edhe Byroja Kombëtare e Hetimit, e cila është strukturë e specializuar e Policisë Gjyqësore, që heton veprat penale në juridiksionin penal të Prokurorisë së Posaçme, sipas parashikimeve të Kodit të Procedurës Penale. Drejtuesi i Byrosë Kombëtare të Hetimit, hetuesit dhe shërbimet e Policisë Gjyqësore drejtohen dhe kontrollohen nga prokurorët e Prokurorisë së Posaçme. Gjykata kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe Prokuroria e Posaçme janë kompetente për të shqyrtuar, hetuar dhe ndjekur penalisht çdo vepër penale që ka të bëj me korrupsionin edhe në rastet kur nuk ngrihet akuzë kundër një zyrtari, ose kundër një drejtuesi të një institucioni qendror ose të pavarur. Për t'i krijuar një terren të përshtatshëm dhe për të qenë rezultativ në punën e tyre, është parashikuar që prokurorët e kësaj strukture të kenë një pagesë shumë të mirë, më të lartë se edhe ajo e Presidentit të Republikës. Kreu i KLP- së, Gent Ibrahimi, bëri të ditur pak ditë më parë se pagat e përcaktuara sipas ligjit kapin vlerën e 1500 euro në muaj, por ai theksoi se KLP- ja i ka propozuar qeverisë që kjo shumë të shkojë në 2500 euro. Kjo si një masë që prokurorët të mos tundohen dhe të korruptohen. "Çdo institucion ka rrezikun e kalbëzimit nga brenda. Edhe prokurorët e SPAK mund të bëhen viktima të korrupsionit. Por ata do të jenë nën kontroll të vazhdueshëm nga brenda institucionit. Nga ana tjetër për ta minimizuar mundësinë e rënies pre të korrupsionit pagat e tyre u japin mundësi të jetojnë me dinjitet pa u korruptuar. Prokurori i SPAK e ka pagën mujore 1500 euro që ditën e parë të punës. KLP i ka propozuar qeverisë t'i rrisë deri në 2.500 euro", - tha Ibrahimi gjatë një interviste televizive.