PD çon Pjetrin në prokurori: Ka mashtruar me dekriminalizimin
Partia
Demokratike ka ngritur dje dyshime se kreu i zgjedhur i Bashkisë së Shkodrës, Valdrin Pjetri ka qenë i përfshirë në veprimtari kriminale dhe që nuk i ka deklaruar në formularin e dekriminalizimit, duke gënjyer shtetin dhe opinionin publik. Partia Demokratike i është drejtuar me një shkresë Prokurorisë së Përgjithshme përmes së cilës i kërkon të verifikojë pastërtinë e figurës së Valdrin Pjetrit, kandidat i PS në Shkodër për 30 qershorin. Në kërkesën e cila mban firmën e sekretarit të përgjithshëm të PD, Gazment Bardhit, thuhet se ka indicie dhe dëshmi publike se Valdrin Pjetri nuk mund të ushtrojë funksion publik për shkak të ligjit të dekriminalizimit. "Nga të dhënat të bëra publike më parë ekziston dyshimi i arsyeshëm se subjekti Valdrin Pjetri ndodhet në kushtet e ndalimit për të kandiduar dhe për t'u zgjedhur në një funksion të lartë publik. Ai në vitin 2001- 2002 ka qenë i arrestuar/ ndaluar në Itali ( ka jetuar në Firence, Itali) dhe më pas ndaj tij është marrë masa e dëbimit nga autoritetet përgjegjëse italiane. Nga verifikimi i të dhënave të sistemit TIMS rezulton se shtetasi Valdrin Pjetri nga periudha 200223.03.2010 nuk ka udhëtuar në asnjë rast të vetëm në drejtim të Italisë, çka përbën një indicie për saktësinë e të dhënave të bëra publike më parë", - thuhet në shkresën që PD- ja i ka dërguar Prokurorisë së Përgjithshme. Pavarësisht nga vepra për të cilin dyshohet Pjetri, nëse vërtetohet se kjo e dhënë e pretenduar nga PD është e vërtetë dhe ai nuk e ka deklaruar në formular, kjo përbën shkak që ai të humbasë mandatin dhe të përballet me organet e drejtësisë për mashtrim dhe deklarim të rremë.