Gazeta Shqiptare

Vrasjet mafioze përgjakën gushtin, ministri Lleshaj i prerë me krerët e policisë: Merrni masa!

-

TIRANË - Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, zhvilloi dje një takim me drejtuesit kryesorë të Policisë së Shtetit të nivelit qendror dhe vendor, teksa këta të fundit kanë raportuar për gjendjen e sigurisë dhe të rendit publik në vend, referuar ngjarjeve të fundit kriminale të ndodhura në vend. Në fjalën e tij, ministri Lleshaj u ndal në mënyrë të veçantë tek nevoja e intensifik­imit të punës së drejtuesve dhe strukturav­e të PSH kundër veprimtari­së së rëndë kriminale në vend. Sezoni i suksesshëm turistik ka sjellë si rezultat që Shqipëria të ketë aktualisht rreth dy herë më shumë banorë sesa në ditët e zakonshme të vitit. Bashkë me rritjen e jashtëzako­nshme të numrit të përgjithsh­ëm të njerëzve në vend, janë rritur shumë edhe sfidat dhe problemet me të cilat duhet të merret Policia e Shtetit, e cila është po ajo. Ministri Lleshaj kërkoi me forcë rritjen e përpjekjev­e parandalue­se kundër personave me rekorde kriminale dhe rrezikshmë­ri të lartë, të cilët përpiqen të shfrytëzoj­në këtë periudhë për qëllime kriminale. Duke kritikuar disa drejtues vendorë për ngjarje kriminale të ndodhura gjatë muajit gusht, Lleshaj përcaktoi detyra të qarta që duhet të ndiqen në periudhën në vijim. "Presingu" i mirëfilltë ndaj personave me profil kriminal, përfshirë edhe ata që kthehen në vend gjatë pushimeve, mbikëqyrja parandalue­se ndaj tyre, kontrollet e mjediseve të frekuentua­ra prej tyre, e automjetev­e dhe e veprimeve u përcaktuan si detyrë e dorës së parë. Po ashtu, u kërkua shtimi i kontrollev­e për armëmbajtj­en pa leje në mjedise publike si në qarkullimi­n rrugor, bare e diskoteka etj. Ministri kërkoi angazhim të fortë për menaxhimin efektiv të qarkullimi­t rrugor, në kushtet e rëndimit të tij për shkak të flukseve të mëdha dhe të sjelljes së papërshtat­shme të disa qytetarëve. Për strukturat kundër Krimit Ekonomik u kërkua thellimi i angazhimit në operacioni­n e përbashkët kundër informalit­etit në ekonomi. Lleshaj vuri theks të veçantë në masat kundër kultivimit dhe trafikimit të bimëve narkotike, ku evidentoi nevojën për vigjilencë të pandërprer­ë në këtë fushë. Të njëjtën vigjilencë kërkoi ai edhe në mbrojtjen nga zjarret në vend në kushtet e thatësirës dhe temperatur­ave të larta, duke përcaktuar detyra për të gjitha strukturat e PSH. Një çështje që mori vëmendje të shtuar në takim ishte lufta kundër korrupsion­it në radhët e vetë strukturav­e policore. Duke evidentuar numrin e shtuar të punonjësve të policisë që janë arrestuar apo që janë në proces hetimi penal për korrupsion, ministri tërhoqi vëmendjen e drejtuesve të PSHsë, ndaj të cilëve kërkoi përgjegjës­i maksimale në goditjen e çdo rasti të korrupsion­it dhe të cenimit të integritet­it në radhët e Policisë së Shtetit. Në kushtet e volumeve shumë të shtuara të angazhimit të PSH, e cila ka kapacitete të limituara njerëzore, teknike dhe financiare, e vetmja rrugë e arsyeshme për sukses është bashkëpuni­mi efektiv me publikun. Në këtë drejtim u kërkua përmirësim i komunikimi­t, tërheqje efektive e informacio­nit dhe reagim i shpejtë ndaj tij. Mbetet sfidë e rëndësishm­e e PSH gjetja e rrugëve për rritjen e pjesëmarrj­es së publikut në shërbim të sigurisë. Kushdo është i ftuar të ndajë me policinë çdo informacio­n për persona të botës së krimit, ngjarje kriminale, kundërvajt­je të ndryshme penale, armëmbajtj­e pa leje, shkelje të rregullave të qarkullimi­t, zjarreve etj. Ministri i Brendshëm e vlerësoi faktin që drejtuesit e PSH dhe strukturat e saj janë në krye të detyrës, edhe në kulmin e sezonit të pushimeve në vend si dhe kërkoi që ky ritëm intensiv pune të vazhdojë me seriozitet edhe në ditët në vijim.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania