Do qëndrojë euro 122 lekë?
( vijon nga faqja 1)
... me pasaportë joshqiptare, që sollën mesatarisht nga një mijë euro secili. Pra, rreth 1 miliardë euro. Si edhe nga dhjetëra- mijëra emigrantë që u kthyen në atdhe me pushime. Por, edhe sollën dhjetëra milionë euro tek prindërit apo vëllezërit e motrat. Si turistët dhe emigrantët këto dy muaj korrik- gusht "kontribuuan" bindshëm që euro të qëndrojë në nivelin 121 lekë të reja, duke iu afruar shumë dhe shpesh edhe pragut të 120 lekëve të reja. E gjithë vera ka qenë një periudhë e vështirë për eksportuesit tanë. Ata e ndjejnë më shumë euron e këmbyer ulët në tregun tonë. Mirëpo nuk mund të bëhet asgjë për ta mbajtur artificialisht euron me raport këmbimi më të lartë. E provoi Zvicra për tre vjet ( 2012- 2015) të rriste artificialisht vlerën e frangut zviceran. Harxhoi në tre vjet 780 miliardë franga zvicerane( 80 për qind të produktit të brendshëm bruto të Zvicrës) duke blerë euro dhe dollarë. Dhe në fund e la të lirë kursin e këmbimit. U dorëzua. Me një kosto të jashtëzakonshme. Dhe të mendosh që Zvicra është ndër vendet eksportuese më të mëdha të botës. Në qershor të vitit të kaluar, banka jonë qendrore, Banka e Shqipërisë ndërhyri në mënyrë të jashtëzakonshme, duke blerë euro në treg, jashtë grafikut dhe planit të saj të rritjes së rezervës valutore të vendit. Nuk ndërhyri për të mbrojtur eksportuesit, edhe pse atyre ndërhyrja i ndihmoi shumë dhe cilado bankë qendrore do të donte të ndihmonte më shumë sektorin e eksporteve. Mirëpo në kushtet e raportit të lirë të këmbimit, të blesh euro për të forcuar artificialisht monedhën evropiane është një mision i pamundur. Askush bankë qendrore nuk është aq gjigante dhe e fortë, madje as Rezerva Federale Amerikane dhe Banka Qendrore Evropiane, sa të hapë një luftë monedhash në ekonominë e një vendi. Aq më tepër të një vendi shumë të vogël dhe me ekonomi të brishtë si Shqipëria. Banka jonë qendrore u tregua e matur dhe ndërhyri( qershor 2018). Atëherë kur vërtet eurot nisin të digjnin në duart e atyre që i kishin, për shkak të rrokullisjes së shpejtë të vlerës së këmbimit të monedhës evropiane në tregun tonë( 18 janar 2018 një euro 133 lekë të reja, 5 qershor 2018 një euro 122 lekë të reja: një tatëpjetë mbi 10 për qind e vlerës!). Banka e Shqipërisë nuk ndërhyri për të mbrojtur eksportuesit ( pavarësisht se ndërhyrja i ndihmoi ata). Çdo bankë qendrore në një treg të lirë këmbimi ndërhyn, sa herë i rrezikohet objektivi i mbajtjes së inflacionit nën kontroll. Dhe banka jonë qendrore ndërhyri kur iu rrezikua niveli 2- 4 për qind i inflacionit, që konsiderohet i shëndetshëm dhe nxitës për zhvillimin e ekonomisë sonë. Sot euro ndodhet në rritje me 0.5 lekë të reja në krahasim nga dje dhe në nivelin 122 lekë të reja. Është ekuilibri i ri i monedhës evropiane tek ne. I konsoliduar gjatë gjithë periudhës nëntor 2018- gusht 2018. Asnjë faktor nuk mund ta godasë fort këtë ekuilibër të ri. Parcelat e kanabisit nuk janë më në nivele mijëra dynymë dhe hektarë. Thjesht ekonomisë sonë i duhet të përshtatet me këtë ekuilibër. Euro do të qëndrojë gjatë në nivelin 122 lekë të reja. Turizmi në shtator do të ulë presionin e eurove që sjell nga jashtë. Euro mund të shkojë në fund të nëntorit 2019 edhe 123 lekë të reja. Kjo ngelet për t'u parë. Por frikërat e kota për gremisje të euros në Shqipëri apo akuzat absurde se banka qendrore po qëndron indiferente ndaj problemit të eksportuesve duhet të pushojnë. Asnjë bankë qendrore, edhe sikur të ishte njëqindfish më e madhe se Banka e Shqipërisë, nuk mund të blejë euro apo shesë dollarë në një treg të lirë këmbimi, për të mbrojtur eksportuesit e vendit. Banka qendrore ndërhyn vetëm në raste të jashtëzakonshme kur cenohen ekuilibra themelore të ekonomisë, sikurse është niveli i inflacionit. Ne si qytetarë mund të na duket gjë e mirë të mos rriten çmimet në treg, por një deflacion ( mungesë inflacioni) prej më shumë se dy ose tre tremujorë rresht mund të jetë katastrofë për ekonominë. Këtë e di mirë çdo bankë qendrore profesionale. Sigurisht që e di edhe banka jonë qendrore. Asnjë bankë qendrore nuk është aq e fuqishme në botë që në një treg të lirë këmbimi të përballojë për një kohë të gjatë një luftë ( dumping) monedhash. Banka e Shqipërisë veproi me kurajë dhe në kohën e duhur në qershor 2018. Gjatë këtyre 14 muajve, ka ndërhyrë edhe disa herë të tjera. Por nuk mund ta bëjë gjithmonë, sa herë euro e dobësuar në tregun shqiptar shqetëson eksportuesit tanë. Nuk është detyra dhe nuk janë as edhe fuqitë ose mundësitë e saj. Të asnjë banke qendrore në botë. Nëse nuk e kuptojmë këtë, do t'u fryjmë mullinjve të erës kot.