Festivali Folklorik i Gjirokastrës, ‘ kandidat për në UNESCO’
Pritet të pranohet në Regjistrin e Praktikave më të Mira të Ruajtjes së Trashëgimisë Jomateriale
Në 11 tetorin e vitit 1968 u çel në qytetin muze të Gjirokastrës edicioni i parë i Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës- FFKGJ, festival i cili, prej atëherë shënjohet të jetë një aktivitet unikal në ruajtjen, mbrojtjen dhe popullarizimin e trashëgimisë kulturore shpirtërore në Shqipëri.
Pas pothuajse gjysmë shekulli dhe 10 edicioneve të organizimit të tij: 1968, 1973, 1978, 1983, 1988, 1995Berat, 2000, 2005, 2009, 2015 dhe në pritje të edicionit të radhës më 2020- ën, me nismë dhe propozim të Akademisë së Artit dhe Trashëgimisë ODEA dhe me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, ( Akademisë së Shkencave, Komisionit Kombëtar të UNESCO- s, Arkivit Shtetëror të Filmit, pushtetit vendor në Gjirokastër, Akademisë së Studimeve Albanologjike- ASA etj., u përgatit dhe u depozitua praktika përkatëse për regjistrimin e FFKGJ në Regjistrin e Praktikave më Mira të UNESCO- s për Mbrojtjen e Trashëgimisë Jomateriale.
Në këtë regjistër botëror pranohen aktivitete dhe organizime nga vende të ndryshme, të cilat dëshmojnë se kanë shërbyer për një kohë të gjatë si faktorë thelbësorë në ruajtjen e trashëgimisë shpirtërore.
Tashmë dosja konsiderohet e plotë dhe është në procedurë shqyrtimi pranë UNESCO- s në Paris. Dosja përmban Formularin e Aplikimit, Filmin Dokumentar 10 minuta kushtuar FFKGJ, 10 fotografi si dhe mbështetjen me shkrim të institucioneve, personaliteteve të vendit dhe të huaja dhe të komunitetit nga e gjithë Shqipëria.
LETRAT NGA ÇIFTI KADARE E RAMA
Në mënyrë që ky aplikim të jetë sa më i plotë, për të kanë dhënë rekomandime edhe çifti Ismail dhe Helena Kadare si edhe kryeministri Edi Rama. Duke e cilësuar një institucion të ruajtjes, popullarizimit dhe dokumentimit të trashëgimisë shpirtërore në të gjithë hapësirën historike shqiptare. “FFKGJ nuk është thjeshtë një traditë e jona, por një model europian e më gjerë, një markë e mbajtjes gjallë dhe e vënies në lëvizje të pasurisë së larmishme gojore, e mundësimit të paraqitjes së talenteve. Mbi të gjitha ky festival është mekanizmi i përcjelljes së jetës së gjallë të folklorit në epokën globale, disi e vështirë për të”, thotë çifti Kadare. Më tej sipas tyre, “nuk gjendet lehtë një rast i ngjashëm që të bashkojë kaq organikisht, trashëgiminë shpirtërore të popullit shqiptar dhe të çdo trashëgimie tjetër në Shqipëri me kalanë dhe qytetin e Gjirokastrës, pjesë e UNESCO- s, qytetit që ngjan se është ndërtuar për të rrojtur përjetësisht me artin”. Ata vënë në dukje se festivali që ka lindur më 1968 ka qenë një mundësi unike për të bërë bashkë në një skenë bartësit bashkëkohës, të kësaj trashëgimie qindravjeçare, nga veriu në jug të Shqipërisë, e bashkë me të edhe trashëgiminë e shqiptarëve kudo ku jetojnë e punojnë.
Në vijim, Helena dhe Ismail Kadare vërejnë se ky qytet ekspozitë e gjallë e shtëpive kulla e fortesa, e lagjeve dhe sokakëve që asnjë arkitekt a urbanist, nuk do të kishte fantazinë t’i ndërtonte ashtu, është njëherazi qyteti që bashkë me qytetarë e tij ka lindur për mikpritje, festivale dhe festa që përbashkojnë vlerat e njeriut”.
Në rekomandimin e tij, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, thotë se nisma ka mbështetjen e qeverisë shqiptare jo vetëm se përkon me jetësimin e parimeve dhe qëllimeve thelbësore të UNESCO- s për sigurinë dhe ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale në vendin tonë, por edhe sepse do të përbënte një hov të ri, për një nga veprimtaritë më shënjuese. Ai vëren se festivali është një instrument parësor për ruajtjen, promovimin e zhvillimin e ansambleve komunitare, sikundër edhe për ndërlidhjen mes rajoneve artizanatin e tyre dhe dialekteve shumëngjyrëshe krahinore. Sipas kryeministrit, janë këto arsyet që e bëjnë Republikën e Shqipërisë të ndihet e angazhuar në mbështetjen e plotë ndaj nismës.