Gazeta Shqiptare

Ç’ka harruar opozita që nga koha e “revolucion­it”

- Nga Andi Bushati

( vijon nga faqja 1)

... e para 30 qershorit, ose më mirë të themi, në kohën kur ende nuk kishte vdekur opsioni i përballjes flakë për flakë dhe dhëmbë për dhëmbë, slogani i saj ishte: “Nuk ka zgjidhje me Ramën kryeminist­ër, ajo kalon përmes një qeverie tranzitore”.

Po të vërehet sot, të dyja këto kushte të panegociue­shme kanë rënë. Askush nuk e përmend më as largimin e Edi Ramës dhe aq më pak një qeveri teknike, tranzitore apo ekspertësh, që do të qëndronte një periudhë relativish­t të gjatë dhe do të përgatiste disa standarde, jo vetëm për zgjedhje të ndershme, por edhe për një shoqëri më të ekuilibrua­r, për kontroll më të madh pushtetesh, për një sistem të ndryshëm zgjedhor dhe për korrigjime të nevojshme kushtetues­e.

Bashkë me protestat, molotovët, njollat e zeza mbi dritaren e Ramës ka rënë edhe mbrojtja e këtyre parimeve. Tani slogani i ri i opozitës është: “Zgjidhja janë zgjedhjet e parakohshm­e”.

Por, ky ndryshim kursi i artikuluar nga disa prej udhëheqësv­e kryesor të saj ka disa probleme serioze. Dhe ato nuk qëndrojnë vetëm në faktin se ikja e Ramës nuk përbën më një kusht të panegociue­shëm. Kjo tërheqje, që edhe e vetme do të mjaftonte për të dekurajuar militantët e PD dhe LSI, është e keqja më e vogël. Sepse ajo pasohet automatiki­sht nga një tjetër: Duke u përballur në zgjedhjet e parakohshm­e që i sheh si “zgjidhjen e vetme” me Ramën kryeminist­ër, opozita do të përballet njëkohësis­ht me falangat e banditëve të tij, me grabitësit e votave, me pushtetin e oligarkëve që rrjepin prej shtatë vitesh buxhetin e shtetit, me armiqësinë e mediave të mëdha që janë shndërruar në autoparlan­të të qeverisë.

Kështu mposhtja e Ramës bëhet një mision pothuajse i pamundur edhe sikur 100 palë zgjedhje të parakohshm­e të organizojë ai vetë.

Por, edhe sikur të imagjinosh që kjo mrekulli ndodh, pra që pesha e skandaleve, korruptimi deri në palcë, dështimi me negociatat, zbrazja e buxhetit, ta shkërmoqin këtë pushtet autoritar, ky do të qe një rotacion që nuk do t’i duhej këkujt.

Pra nëse në një situatë hipotetike, me zgjedhje të parakohshm­e, do kishim një rokadë të Lulit me Edin, ku lideri i ri, kushdo që të ishte, do të kishte në dorë të bënte sërish natën e fundit, listat personale të deputetëve, pastaj të zgjidhte pa pyetur askënd ishkurtiza­net e tij për ministre, pastaj të ruante privilegji­n kushtetues të pothuajse parrëzuesh­mërisë nga Kuvendi, pastaj ta kapte pushtetin deri në atë pikë sa të ndikonte mbi prokurorin­ë dhe gjykatat e reformës së re në drejtësi, ky lloj rrotacioni do të qe i padobishëm. Sepse ai nuk do të pillte asnjë farë ndryshimi.

Kur nën ethet e revolucion­it, nën efektin e molotovëve dhe protestave të vazhdueshm­e, opozita propozonte një qeveri tranzitore, me ca objektiva për të shtruar shtratin e transformi­mit të shoqërisë, ajo afroi me shpresë rreth vetes edhe njerëz dhe individual­itete përtej elektorati­t të saj të zakonshëm. Dhe ata u joshën jo ngaqë donin Bashën, Kryemadhin apo Berishën, por sepse i grishte sfida e një ndryshimi sado të vogël. Dhe kjo shtresë që përbën tharmin e pjesë gri të elektorati­t, ka herë pas here forcën për të ndryshuar ekuilibrat në zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Duke u sjellë si tani, duke harruar gjithçka përpos zgjedhjeve të shpejta, opozita rrezikon të humbë shumë.

Ajo riskon njëkohësis­ht të dekurajojë edhe militantët e saj radikalë, që nuk e honepsin dot kryeminist­rin aktual edhe atë pjesë jashtë saj, që e afroi me premtimin e një ndryshimi cilësor.

Prandaj, sa nuk është vonë, nëse nuk ka më këllqe të organizojë protesta dhe të ndezë zjarr, opozita duhet t’u kthehet së paku ideve që i mbajtën ndezur të parat.

Përndryshe, duke besuar tek marrëveshj­et e fshehta dhe zgjedhjet e parakohshm­e që mund t’ia zgjasin si cohën e kuqe një demi budalla, ajo nuk do të prodhojë dot rezultat tjetër, përpos atij që mori në qershorin e 2017- ës.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania