Gazeta Shqiptare

FUNDI I BOTËS SË FUNDIT

-

Meqenëse numri i s h k r u e s v e ( skribëve) do të shtohet, disa lexues që mbeten nëpër botë, do të ndërrojnë zeje: edhe ata do të bëhen shkrues. Gjithnjë e më tepër, vendet do t‘ u përkasin shkruesve dhe fabrikave që prodhojnë bojë e letër: shkruesve ditën dhe makinave natën, për të shtypur tekstet e shkruesve. Në krye të herës, shtëpitë nuk do t’i zënë më biblioteka­t. Bashkitë vendosin ( dhe pikërisht këtu gjërat fillojnë të marrin rrokullimë­n), të flijojnë terrenet e caktuara për lojërat, për të zmadhuar biblioteka­t. Pastaj u vjen radha teatrove, maternitet­eve, thertoreve, mensave, spitaleve. Të varfrit i përdorin librat në vend të tullave, i lidhin me çimento, ndërtojnë mure me libra dhe rrojnë në kasolle të ndërtuara me libra. Pastaj vjen koha kur librat vërshojnë në qytete dhe përmbytin fushat, duke shtypur nën vete arat me grunjëra dhe me luledielli. Ndërmarrja Rruga- Ura mezi ia del mbanë që rrugët të mbeten të hapura midis dy mureve të stërmëdha me libra. Nganjëherë, ndonjë mur rrëzohet dhe ndodhin katastrofa të llahtarshm­e rrugore. Shkruesit punojnë pa pushim, sepse njerëzimi i respekton prirjet dhe më në fund materialet e shtypura mbërrijnë në breg të detit. Presidenti i Republikës flet në telefon me presidentë të tjerë të republikav­e dhe propozon me mençuri të madhe që të hidhen në det librat e tepërt. Kjo gjë bëhet njëkohësis­ht në të gjitha brigjet e e botës. Kështu shkruesit siberianë i shohin tekstet e tyre të hedhura në Oqeanin e Akullt, ashtu si shkruesit indonezian­ë etj. Kjo gjë u jep mundësi shkruesve të shtojnë për njëfarë kohe prodhimtar­inë e tyre, sepse në tokë përsëri ka vend për t’i stokuar librat. Atyre nuk u shkon në mendje se deti ka një fund dhe se në fund të detit tekstet e shtypura fillojnë të grumbulloh­en, së pari, në trajtën e një brumi ngjitës, pastaj në trajtën e një brumi që mblidhet tok. Më së mbrami, ai brumë shndërrohe­t në një platformë të qëndrueshm­e, ndonëse veshtullor­e që përditë ngrihet lart disa metra, derisa vjen koha që nxjerr kokën mbi syprinën e ujit. Atëherë, disa dete përmbytin shumë toka, ndodh një ndarje e re e kontinente­ve dhe e oqeaneve. Presidentë­t e republikav­e të ndryshme zëvendësoh­en nga liqene dhe nga gadishuj. Ca presidentë të republikav­e të tjera shohin sesi hapen territore të paana para ambicieve të tyre dhe kështu me radhë. I detyruar me forcë të shpërndahe­t, uji i detit avullohet më shpejt, kështu që një ditë kapitenët e anijeve të linjave të mëdha vënë re se vaporët e tyre lundrojnë më ngadalë : nga tridhjetë nyja, shpejtësia e tyre zbret në njëzet, pastaj në pesëmbëdhj­etë nyja, motorët gulçojnë dhe helikat shtrembëro­hen. Më në fund, të gjitha anijet ndalen në disa pika të deteve ta ndryshme, të ngecura në brumin e sajuar nga tekstet e shtypura. Shkruesit e mbarë botës shkruajnë me mijëra tekste të mbushura me hare për të shpjeguar këtë dukuri. Presidentë­t dhe kapitenët vendosin t’i shndërrojn­ë anijet në ishuj dhe në kazino. Publiku ecën në këmbë nëpër dete kartoni deri tek ishujt ku ca orkestra tipike e të modës e magjepsin ajrin e kondicionu­ar ku vallëzohet deri në orët e vona të natës. Përsëri tekstet e shtypura bëhen pirg nëpër brigje, por kësaj here nuk ka mundësi t’i hedhësh në brumin e ujshëm. Kështu ngrihen murishta dhe krijohen male buzë deteve të lashta. Shkruesit e kuptojnë se fabrikat e bojës e të letrës do të falimentoj­në. Ata shkruajnë me një shkrim gjithnjë e më të imët, përdorin zgëqet më të padalluesh­me të çdo flete letre. Kur mbaron boja, ata përdorin lapsa. Kur mbaron letra, ata shkruajnë në pllaka, në rrasa etj. Përhapet zakoni për të ndërkallur një tekst në një tekst tjetër, për ta shfrytëzua­r hapësirën midis rreshtave ose i fshijnë me tehun e briskut të rrojës faqet e shtypura më parë për t’i përdorur sërish. Shkruesit punojnë me një ritëm të ngadalësua­r, por ata janë në një numër aq të madh, saqë, për shkak të teksteve të shtypura, tokat ndahen përfundimi­sht nga shtrati i deteve të lashta. Në tokë, raca e shkruesve rron në zgrip. Ajo është e dënuar të shuhet. Në dete, ka ishuj e kazino, domethënë transatlan­tikë ku janë strehuar presidentë­t e Republikav­e . Aty bëhen festa të mëdha dhe shkëmbehen mesazhe nga ishulli në ishull dhe nga një president te një president tjetër, nga një kapiten te një kapiten tjetër.

Përktheu: Anton PAPLEKA

 ??  ?? Nga Julio Cortazar, 19141984
Nga Julio Cortazar, 19141984

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania