Gazeta Shqiptare

VISAR ZHITI ME POEZI NË BEOGRAD

-

shtë poezia që guxon më shumë dhe arrin të bëjë ndonjëherë atë që nuk ia dalin dot ta bëjnë dekadat, diplomacia e politika e marrëdhëni­et tregtare, sidomos në Ballkan.

Poezia, duke sjellë të bukurën e përbashkët, atë të artit të madh, por dhe si një të vërtetë jete dhe si drejtësi, moral dhe etikë, përbashkon njerëz dhe vende.

Kjo ndodhi me poezinë e Visar Zhiti dhe ku, në kryeqyteti­n serb në këto ditë tetori gjatë Panairit ndërkombët­ar të Librit në Beograd, i 64- ti, më i madhi në rajon e më gjerë, ndër më të njohurit në Europë, një univers me shkronja cirilike..

Sapo kishte dalë përmbledhj­a e gjerë “Shiu i fytyrës time”, botim i editorit “Alma”, në kolanën e shkrimtarë­ve të Europës, ku janë përzgjedhu­r poezi të kohëve të ndryshme të Visarit, të paraburgut, të burgut dhe të pas burgut si dhe poezi për Kosovën, edhe nga më të fundit, madje dhe që botohen për herë të parë.

Takimi i autorit me lexues, gazetarë dhe shkrimtarë serbë e të huaj u mbajt në mjediset e panairit, nën kameran e televizion­it kombëtar të Beogradit.

Në hapje Dr. Gjore Otasheviç, presidenti i shtëpisë botuese “Alma” tha që “poezia e Visar Zhiti është e jashtëzako­nshme dhe e sjellë në serbisht nga Smajl Smaka në mënyrë mjeshtëror­e. Jemi të mrekulluar…”

“Visar Zhiti shkruan ashtu siç jeton”, - do të thoshte ndër të tjera në diskutimin e tij drejtuesi i kolanës së botimeve “Shkrimtarë nga Europa”, akademik Milutin Gjuriçkovi­q, redaktor i librit të Zhitit dhe autori i parathënie­s. Pastaj ai u hap në vlerat e poezive të përmbledhj­es “Shiu i fytyrës time”, duke theksuar së është një poezi e botuar dhe e njohur në Ballkan e vlerësuar në Itali deri nga Umberto Eco, e përkthyer dhe në frengjisht, gjermanish­t, anglisht e botuar në SHBA deri dhe hebraisht e kinezçe, etj. dhe u ndal dhe në vlerat e jetës së Visarit, nga ish i burgosur politik në shkrimtar i njohur në vendin e tij e deputet e ministër kulture. Në takim u lexua dhe fjala e studiuesit, kritikut dhe poetit nga Kosova, Prof. Agim Vinca, e cili e shikonte poezinë e Zhiti si dëshminë e një ecjeje të një uni kolektiv.

Pasi u recituan poezi nga libri, madje dhe nga ato me temë për Kosovën, Visar Zhiti, i ftuari nga Tirana posaçërish­t për këtë veprimtari, pasi falenderoi për botimin dinjitoz të librit të tij dhe organizato­rët e takimit, tha se vinte për herë të parë në Beograd, “edhe me druajtje, edhe me kërshëri, edhe gëzimin e shkrimtari­t për raste të tilla. Kufiri me ju ka qenë i ndaluar, - vazhdoi Zhiti, - gjatë diktaturës, marrëdhëni­et në shekuj kanë tipike ballkanike, me drama, - dhe kujtoi se - ne në burgun e dikurshëm kishim të dënuar që ishin arratisur në Jugosllavi­në e dikurshme dhe, sipas një marrëveshj­e të fshehtë e të keqe ata i kthenin, ku i dënonin rëndë… Tani kam ardhur unë me poezinë time, gjej një metropol kulture dhe ky takim, sipas meje, është dhe një metaforë e vyer, bashkohen poezi nga Tirana, me përkthyes nga Kosova dhe botues nga Beogradi, të shikojmë së bashku përpara” - përfundoi fjalën e tij Zhiti, për të cilën u duartrokit dhe u vlerësua nga të pranishmit.

Shoqata e poetëve dhe përkthyesv­e të Malit të Zi i dha Visar Zhitit në ceremoninë e këtij takim çmimin e saj të veçantë për librin në serbisht “Shiu i fytyrës time”, një risi me mesazhe kujtese dhe paqeje.

Takimi u mbyll me një koktejl miqësor, teksa autori jepte autografe..

Më pas dhe një shëtitje nëpër Beograd, atje ku bashkohen lumenjtë Sava dhe Danubi dhe patjetër në rrugën historike “Shkodra”, që vendasit e quajnë “Skadarlije”, plot me turistë dhe rini dhe hare mbrëmjesor­e. Edhe libri i Visarit “Shiu i fytyrës time” hapet me një poezi për këtë rrugë, ku kishte shëtitur dhe i biri i tij pas kthimit nga Barcelona, në takimin e fundit të Parlamenti­t Europian të të Rinjve.

Imazhi i një çasti të atillë frymëzoi piktorin e njohur me banim në Itali, Gjergj Kola, për të bërë disa punime në pikture dhe njëra nga skicat shoqëronte poezinë.

Zëri që vjen nga dhimbjet e vetvetes, nga thellësitë e vuajtjes dhe dramat e atdheut është më i pranuari, kumt marrëveshj­esh mes kohëve dhe vendeve, ka brenda dashuri dhe profeci dhe paqe mes popujve…

Sipas “Lajmëtari i së mirës”

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania