KËTË TË HËNË EKSPOZITA PRITET TË VIZITOHET NGA PRESIDENTI META
Emra
që nuk kanë munguar në teatër e emra që rikthehen përtej ngurrimit të shkeljes në godinën e damkosur nga një palë e mbrojtjes me trup nga një tjetër. Teatri që ka ndarë ' më dysh', ata që e duan, ata që nuk e duan, ata që e mbrojnë e ata që dua ta rrafshojnë, ata që i kanë kushtuar dy vite jetë e ata që i kanë kushtuar dy vite propagandë e firma; ata që e duan por kanë frikë ta thonë hapur, e ata që e thonë hapur pa frikë. Të shtunën në mbrëmje teatri gumëzhinte ndërsa në muret e hollit ekspozoheshin dy vite qëndrese që përbëjnë protestën më të gjatë në larminë e artit. Artisti i njohur shqiptar Avni Delvina ka çelur në Tiranë ekspozitën e tij "Notre Drame De Tirane" - "Drama Jonë e Tiranës". Kjo sipas tij është një mënyrë e veçantë për të shprehur revoltën e artistit ndaj cenimit të institucioneve demokratike dhe planeve për të shembur Teatrin Historik Kombëtar të Shqipërisë shkruan Ilirian Agolli te "Zëri i Amerikës". Ai shton se artisti i njohur shqiptar Avni Delvina paraqiti në Tiranë një seri veprash, ku gërshetohen imazhe nga diktaturat komuniste dhe kryengritjet e qytetarëve kundër regjimeve të dhunshme. "Qëllimisht i ekspozoi ato në hollin e Teatrit Kombëtar, i cili sipas tij, është epiqendra e dramave të kryeqytetit dhe e rezistencës qytetare ndaj korrupsionit. Ekspozita me grafika është vetëm një pjesë e një galerie të gjerë me mbi 80 vepra, që i kushtohen mbrojtjes së Teatrit Kombëtar, nderimit për artistët që për mbi 80 vjet aktruan aty dhe kundërshtimin e projekteve për ta rrëzuar ndërtesën historike" vëren Agolli për "Zërin e Amerikës". Artisti Avni Delvina thotë se nuk mund të mungonte në Tiranë me veprat e veta në këto kohë protestash qytetare ndaj abuzimeve të administratës në çdo nivel dhe dhunimit të demokracisë në çdo institucion. Nëse njeriu mungon në këto protesta për demokraci, atëherë mohon veten e vet, theksoi ai. Agolli shton se në veprat e kësaj ekspozite autori ka përfshirë shumë dhunë dhe armë, shkatërrime, betonime dhe inerte, të cilat ai thotë se dëshiron t'ia parandalojë Tiranës. Ekspozita u çel pikërisht në hollin e Teatrit Kombëtar dhe konsideron veten si një qytetar protestues në mbrojtje të ndërtesës historike. Për gazetarin Ilirian Agolli, Avni Delvina ka mbetur i njëjti njeri modest në sjellje e shprehje, siç ishte në vitet ' 90, një rebel kundër diktaturës. I vetëdijshëm për fuqitë dhe cilësitë e veçanta të veprave të tij, që lartësojnë vetëm demokracinë dhe vlerat njerëzore, ai është gati të rebelohet sa herë që ato cenohen. Emra e njerëz Nga Roza Anagnosti te kreu i opozitës Lulzim Basha a ish kryeministri Sali Berisha, çelja e ekspozitës mblodhi artistë e politikanë si edhe kryetaren e LSI- së Monika Kryemadhi. Këtë të hënë ekspozita pritet të vizitohet nga presidenti i vendit Ilir Meta. Nëse Berisha e cilësoi dënim të pafajshëm atë që po ndodh me teatrin, Monika Kryemadhi tha se çështja është përtej teatrit.