Projektrezoluta: Presidenti shkeli Kushtetutën, dekreti nul ligjor
Kuvendi, seancë jashtë radhe për krizën e emërimeve në Gjykatën Kushtetuese Legjislativi, thirrje Gjykatës Kushtetuese të njohë Arta Vorpsin
Janë tensionuar sërish në maksimum mar rëdhëniet mes mazhorancës qeverisëse dhe Presidentit të Republikës, Ilir Meta. Shkak është bërë dekretimi nga ky i fundit i Marsida Xhaferllarit si anëtare e Gjykatës Kushtetuese, duke mos njohur emërimin e mëparshëm të Arta Vorpsit. Të gjendur para një situate të paralajmëruar, shumica e majtë ka thirrur sot në orën 10: 00 mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme me rend dite me dy pika: miratimi i projektrezolutës për "Shmangia e krizës kushtetuese me synim legjitimitetin e Gjykatës Kushtetuese - detyrë imperative e organeve më të larta të shtetit" dhe miratimin e vendimit për shtyrjen e afatit të veprimtarisë së Komisionit të posaçëm të Reformës Zgjedhore. Gjithashtu, Kuvendi ka bërë publike edhe draftrezolutën, që mësohet se do t'i paraprijë dhe një debat i gjatë mes deputetëve. Projektrezoluta e Kuvendit dekretin e Metës për emërimin e Xhaferllarit ashtu si edhe në rastin e dekretit për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, e konsideron nul dhe sikur të mos ketë ekzistuar asnjëherë. "Kuvendi vlerëson se dekreti i presidentit është një akt absolutisht i pavlefshëm, i nxjerrë në mungesë të kompetencave kushtetuese dhe ligjore të institucionit të Presidentit dhe si i tillë, ai konsiderohet nul dhe sikur nuk ka ekzistuar asnjëherë", - thuhet në projektrezolutë. Kështu, Kuvendi argumenton se ky akt është nxjerrë në kundërshtim të hapur dhe flagrant me dispozitat kushtetuese dhe ligjore dhe në tejkalim të kompetencës kushtetuese të Presidentit të Republikës, veprim i cili delegjitimon fillimin e funksionimit të Gjykatës Kushtetuese. "Duke emëruar kandidatin tjetër jashtë afatit 30ditor të përcaktuar shprehimisht nga ligji kushtetues, ka shkelur njëkohësisht jo vetëm afatin prekluziv brenda të cilit duhej të emëronte gjyqtarin kushtetues midis tri kandidaturave të listuara të parat në vendimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, por ka emëruar si gjyqtar një kandidat që është listuar në vendin e katërt sipas vendimit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi", - thuhet më tej në këtë draft. Sipas Kuvendit, presidenti ka marrë në mënyrë abuzive kompetencat e KED, i cili është i vetmi organ që ka kompetencën e renditjes së kandidatëve sipas Kushtetutës dhe ligjit. Kuvendi hedh poshtë edhe pretendimet e kreut të shtetit për çështjen e radhës së emërimeve. "Secili organ ka të drejtë të ushtrojë kompetencën e vet kushtetuese, pa u kufizuar nga zgjedhja e organit tjetër dhe as nga koha
THIRRJA
"Kuvendi i Shqipërisë i bën thirrje Presidentit të Republikës të heqë dorë nga tentativat dhe aktet që bllokojnë zbatimin e Reformës në Drejtësi dhe të reflektojë duke kthyer institucionin e Presidentit në kufijtë e kompetencave të njohura nga Kushtetuta dhe të mos ndërmarrë asnjë veprim tjetër në shkelje flagrante të Kushtetutës".