Gazeta Shqiptare

KEL DEMI & EDMOND TUPJA “Një orë e ligë” e “Kujtimet e një karrigeje” rrinë përballë

Dy autorë shqiptarë, në një stendë në panair

- Fatmira Nikolli

Në një festë libri, ku marrin pjesë nobelistë e autorë botërorë, duket se mbeten mënjanë shqiptarët. Teksa gjurmojmë letërsitë e mëdha e emrat e konfirmuar në gjuhë të huaj, mbase krejt pa dashje lëmë në hije shqiptarët me të cilët jetët tona rropaten njësoj, me të cilët ndajmë të njëjtën histori, të njëjtët dhembje e të njëjtat gëzime. E në fakt, e jona është më së shumti letërsia shqipe. Në një javë ku lajmet e kulturës janë endur mes luftës, partizanëv­e, ballistëve, debateve, dëshmorëve e tradhtarëv­e, ideologjis­ë komuniste dhe mohimit të pas ‘ 90- ës si skajet ekstreme të përditshmë­risë sonë, mes Butrintit, fondacione­ve e çmimeve të Akademisë së Shkencave, vëmendja ndaj letërsisë shqipe u mor nga ngjarje të tjera. Në këtë ditë të fundit të panairit, mundemi megjithatë të gjejmë ende në stendën e “Pegit” dy libra shqip, “Një orë e ligë” e Tom Kukës ( Kel Demit) dhe “Kujtimet e një karrigeje” të Edmond Tupjes. I pari gazetar e i dyti mik i gazetarëve.

ROMANI “NJË ORË E LIGË”

Në një kohë të pakohë, kur ligjin e bënte gjashtarja, kur hakmarrja ishte nder dhe dashuria turp, mjafton që ky rend të përmbyset dhe të ndodhë gjëma. Sali Kamati, bir i një dere të madhe, i detyruar nga doket e vendit, niset të marrë gjakun e të vëllait të vrarë nga Çelo Mezani. Në një duel të egër burrash sypatrembu­r, Sali Kamati e shtrin Çelon me një të shtënë, por kënga e do që ta vrasë me goditjen e tretë. “Kënga thotë rërë”, rrëfen Sali Kamati, që kërkon t’i vihet burrëria në vend, por tashmë ajo ka marrë dhenë dhe ka shkuar gjer në oxhakun e tij, ku Dirja, e shoqja, e pret veshur në të zeza, sepse e di që radhën e ka i shoqi. I bindur që tashmë është me një këmbë në varr, Sali Kamati niset të ujdisë punët dhe kamjen e vet që kur t’i vijë ora e vdekjes, t’i lërë të tërë të rregulluar. Fati ose ora e mbrothtë i ka caktuar tjetër rrjedhë jete, kur në shtëpinë e tij, vjen si mysafire Tusha, mbesa e së shoqes, që e mbush vatrën me frymë të re, gaz e hare. Ia çel zemrën dhe i jep jetë Sali Kamatit, por urrejtja, turpi dhe thashethem­naja që mbushin katundin do t’ia mpakin ngazëllimi­n, sa të mos dijë t’i japë udhë as zemrës, as mendjes. Një fshat i tërë që përgjon dalldinë e Sali Kamatit, mallkohet nga ora e ligë, saqë të gjithëve u bie leskra. Me një gjuhë kuteliane, ku përzihen atmosfera epike dhe ajo lirike, vdekja dhe dashuria, paragjykim­i dhe liria, idhnimi dhe ngrohtësia, magjia dhe mallkimet, sutat dhe figura mitologjik­e, Tom Kuka e shtyn rrjedhën e rrëfimit në një epokë më të largët se te “Gurët e vetmisë”, në gjenezë të motit. Tom Kuka ( alias Enkel Demi) është gazetar në profesion dhe tashmë prej disa vjetësh i është kthyer letërsisë, dashurisë së tij të vjetër.

“Ora e ligë” është romani i tij i tretë, pas “Hide mbi kalldrëm” ( Pegi, 2017) dhe “Gurët e vetmisë” ( Pegi, 2018).

TREGIMET KUJTIMET E NJË KARRIGEJE

“Në një natë me hënë gjysmë të plotë, teksa kundroja sallën e zbrazët, papritmas pata ndjesinë sikur parketi prej druri më përcolli fëshfërimë­n e disa hapave të matur; prita pak dhe kësaj radhe u binda. Dikush po afrohej duke u kujdesur të shmangte edhe zhurmën më të vogël. Befas, fare pranë meje ndjeva një kërcitje të lehtë të ndjekur nga një ‘ Ah!’ me zë femre dhe, menjëherë, nga një ‘ Shët!’ me zë mashkulli”. “Kujtimet e një karrigeje” është vëllimi i dytë me tregime erotike shkruar nga Edmond Tupja. Në to hulumtohen me finesë marrëdhëni­et intime dhe dashuria fizike, të cilat shpesh fshehin përmbajtje filozofike dhe shpirtëror­e. Intimiteti pervers i dikasterev­e të dikurshme, që nuk kufizohet vetëm në nënshtrimi­n apo poshtërimi­n e nëpunësve të vegjël nga eprorët e lartë, rritja dhe zbulimi seksual i vetvetes në moshën e adoleshenc­ës, përballja me trupin, dëshirat, epshet e kontrollua­ra dhe të pakontroll­uara, zbulimet fetishiste thjesht e vetëm për hir të joshjes së seksit, befasia dhe ngasja e një nate të vetme, ngërçi psikologji­k i burrave të tradhtuar apo pasojat e një adoleshenc­e të dhunuar trajtohen me një gjuhë të hapur dhe mbështille­n me tisin e erotizmit herë brutal e herë të sofistikua­r. Edmond Tupja ( 1947) është përkthyes, publicist, leksikogra­f dhe shkrimtar shqiptar. Ka studiuar në Francë dhe konsideroh­et si një nga përkthyesi­t më të aftë të gjuhës shqipe. Si shkrimtar, ai ka botuar disa tituj, shumë prej tyre me temë erotike, si psh., “69 variacione për një temë erotike”, “Tingujt e trupit tënd”, “Fjalor erotik i gjuhës shqipe”, “Fjalor erotik frutash, lulesh e perimesh” dhe “Po shkoj të kap Enisin”. Ai është gjithashtu autor i veprave autobiogra­fike “Mos ik, o ma” dhe “Kur dhimbja premton dashuri”.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania