"Ju kërkoj durim", Rama: Dëmet nga tërmeti, afro 1 miliard euro
Konferenca e Donatorëve, kryeministri takon Konte, javën e ardhshme edhe Merkelin "Banesat e reja do të rindërtohen brenda afateve"
Kryeministri Edi Rama takoi dje Kryeministrin e Italisë, Giuseppe Conte, në Palazzo Chigi, në Romë, ku pati edhe një ceremoni pritëse. Takimi i kryer në vigjilje të Konferencës së Donatorëve më 17 shkurt në Bruksel, konsiston në mbështetjen e mëtejshme të Italisë në funksion të rindërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit. Afro 1 mld euro llogaritet dëmi që shkaktoi dëmi i 26 nëntorit që goditi vendin tonë. Shifrën e deklaroi kryeministri Edi Rama gjatë takimeve të djeshme me homologun Giuseppe Conte dhe me ministrin e Jashtëm italian Luigi Di Maio. "I kam informuar për punën dhe planet e rindërtimit si edhe me raportin e dëmeve, i cili pritet të përfundojë në vitet në vijim në bashkëpunim me Bashkimin Europian dhe Kombet e Bashkuara. Shifra nuk ka dalë ende, por të dhënat na japin një shumë që do të rrotullohet rreth 1 miliard euro. Di Maion për ndihmën e paçmuar të Italisë mike që në orët e para pas tërmetit shkatërrues, i kam informuar për punën që kemi bërë me planet e rindërtimit dhe me raportin e dëmeve, që pritet që të përfundojë në ditët në vijim në bashkëpunim me BE- në dhe OKB- në. Shifra nuk ka dalë ende, por të dhënat e mbledhura deri tani që rrotullohet te 1 miliard euro, ne do të bëjmë çmos edhe me ndihmën e miqve të mëdhenj të Shqipërisë, ku Italia është ndër më të afërtit, që konferenca të jetë një sukses",- theksoi z. Rama. Kryeministri Edi Rama ndodhet në Romë në një vizitë zyrtare gjatë së cilës do të diskutohet dhe organizimi i konferencës së donatoreve për të ndihmuar Shqipërinë në funksion të rindërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit. Kryeministrit iu rezervua një tryeze diskutimesh në Palazzo della Farnesina, në Romë.
DONATORËT
Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se po bëhen përgatitjet e duhura për mbajtjen e Konferencës së Donatorëve në Bruksel muajin tjetër, ndërsa theksoi se pas Romës do të vizitojë edhe Berlinin, ku do të takohet me kancelaren Merkel. Pas takimeve në Romë me kryeministrin italian Conte dhe ministrin e jashtëm Di Maio, kreu i qeverisë shqiptare bëri të ditur se "e ka të qartë që Konferenca e Donatorëve më 17 shkurt nuk përmbush dot të gjitha nevojat që ka Shqipëria, por do të përpiqet që ajo të ketë sukses". Po ashtu tha se do të takojë kancelaren gjermane dhe disa kontakte kyçe të nivelit të lartë. "Takime të rëndësishme me kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm në vigjilje të konferencës së donatorëve për Shqipërinë në 17 shkurt në Bruksel nën kujdesjen e Presidentes së KE- së. Falënderova Conten dhe e kemi shumë të qartë që për të përmbushur nevojën nuk do të mjaftojë, por jemi të përgatitur për të vijuar pas konferencës me disa veprime të tjera kurajoze duke përfituar nga qëndrueshmëria e lartë makro ekonomike që kemi garantuar në këto vite reformash dhe duke kombinuar disa skema financimi. Pa ndërprerë dhe reduktuar programe të tjera. Jam shumë mirënjohës nga vëmendja e veçantë dhe gatishmëria që kam gjetur këtu dhe do të vijoj me takim me Merkel në fillim të javës së ardhshme dhe më tutje me disa kontakte kyçe, në mënyrë që konferenca të jetë një sukses", u shpreh kryeministri. Z. Rama siguroi se rindërtimi i banesave të dëmtuara nga tërmeti do të bëhet brenda afateve të parashikuara. "Planet e rindërtimit po ecin shpejt për të mundësuar ngritjen e banesave të para në pranverë dhe përfunduar me shtëpitë në zonat rurale brenda 2020. Po punohet edhe në qytetet e prekura, ku ndërhyrjet do të jenë masive dhe procesi i projektimit pak më i gjatë. Jemi brenda afateve. Do të vijojmë t'u paguajmë deri ditën e fundit njerëzve të prekur deri kur ti kthejmë në apartamentet e reja. Jemi brenda afateve edhe për rindërtimin e shkollave dhe spitalit të Lacit, por ju kërkoj durim", - deklaroi z. Edi Rama.