ASHK: 504 pronarët që duhet të paguajnë taksën
Taksa e ndikimit në infrastrukturë, sa 0.5% e vlerës së ndërtimit Ndërtimet pa leje në katër qarqe të vendit
Agjencia Shtetërore e Kadastrës publikon listën me 504 pronarë objektesh që janë në proces legalizimi, por nuk kanë paguar ende taksën e ndikimit në infrastrukturë. Përfituesit janë në katër qarqe te vendit. Për ndërtesat, të cilat janë në proces legalizimi, taksa e ndikimit në infrastrukturë e ndërtimeve të reja është 0.5 për qind e vlerës së investimit. Pronarët e objekteve duhet të paguajnë taksën për të marrë lejen e legalizimit dhe më pas certifikatën e pronësisë. "Të gjithë qytetarët që gjejnë emrin në listat e më poshtme, të vijnë të tërheqin pranë zyrave rajonale të Kadastrës faturën e taksës së ndikimit në infrastrukturë. Nëse nuk bëhet kjo pagesë, zyrat tona nuk emetojnë dot lejen e legalizimit dhe më pas certifikatën e pronësisë'- bën të ditur Kadastra.
TAKSA
Të gjithë personat që kanë ndërtuar pa leje duhet të paguajnë taksën e ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet e reja, e cila është një taksë që administrohet nga pushteti vendor. Tarifa llogaritet në bazë të sipërfaqes së punimeve sipas preventivave përkatëse për këto sipërfaqe. Për ndërtesat të cilat janë në proces legalizimi, taksa e ndikimit në infrastrukturë e ndërtimeve të reja është 0,5 për qind e vlerës së investimit. Pagesa ose jo e taksës nuk ndikon në procesin e kualifikimit të ndërtimit për legalizimin, pra dosja shqyrtohet, pavarësisht faktit nëse është shlyer kjo taksë ose jo. Për të marrë lejen e legalizimit, personi që ka ndërtuar pa leje duhet të paguajë më parë taksën. Këshilli i Ministrave ka kryer që në shtator të vitit 2016 ndryshime në vendimin nr. 954, datë 25.11.2015 të Këshillit të Ministrave. Ndryshimet përcaktuan faktin se nuk do të jepet asnjë leje legalizimi pa pagur taksën. "Leja e legalizimit miratohet pasi të jetë administruar dokumentacioni i vërtetimit për likuidimin e taksës së ndikimit në infrastrukturë, vetëm nëse kjo taksë është llogaritur nga ALUIZNI, sot Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe është arkëtuar përpara hyrjes në fuqi të ligjit nr. 50/ 2014. Për rastet e tjera, ky dokumentacion administrohet nga njësitë e qeverisjes vendore, sipas përcaktimeve të nenit 23, të ligjit nr. 9482, datë 3.4.2006 dhe mungesa e tij nuk pengon miratimin e lejes së legalizimit",- thuhet në pikën 2 të vendimit.