“Prishja e murit të Teqesë halvetiane”, Tabaku: Heqja e objektit, politikë kriminale
Ish- deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, në një postim në “Facebook” denoncoi dje shembjen e murit të një prej godinave më interesante dhe gjithashtu historike të Tiranës, siç është Teqeja halvetiane. Tabaku thekson se heqja e këtij objekti është vazhdim i një politike kriminale, për të cilën rëndësi më së shumti ka që të ndërtohet tempulli i oligarkisë, qoftë edhe me koston e prishjes së një tempulli fetar. Për Tabakun, ky është fati i një qyteti që udhëhiqet nga ‘ Nimrodët’. Teksa sjell në kujtesë xhaminë e bukur të Sulejman Pashës që u prishën sipas saj nga dora komuniste pas çlirimit dhe duke i gënjyer tiranasit se do ta rindërtonin. “Tempujt e oligarkisë! Disa ditë më parë, kryetari i Bashkisë Tiranë nën drejtimin e kryeministrit, nisi të shembë murin rrethues të një prej godinave më interesante dhe gjithashtu historike të Tiranës. Teqeja halvetiane, që ndodhet aty ku dikur kryetari i kullave bashkiake, sot kryeministër, la të hapur një gropë që nuk dëshironte ta bënte lulishte është një simbol religjioz dhe historik i kryeqytetit. Si një objekt i mbetur aty ku dikur shtrihej Pazari i Tiranës, si një simbol i besimit dhe përshpitshmërisë së qytetit. Një teqe që të kujton jo pak xhaminë e bukur të Sulejman Pashës që dora komuniste e prishi pas çlirimit, duke i gënjyer tiranasit se do ta rindërtonin. Pastaj historia dihet, aty vendosën bustin e Partizanit të panjohur, duke i shkulur nga zemra e Tiranës historinë e saj, ndërsa sot me gjasë kërkojnë të ndërtojnë ndonjë kullë të shëmtuar në emër të zhvillimit. T’i heqësh qytetit, në këto kohë, një objekt të tillë që përfaqëson edhe spiritualitetin, por edhe historinë. Dy vlera që i mungojnë një qyteti që po kthehet pa të shkuar dhe gjithashtu pa një shpirt, është vazhdim i një politike kriminale. Akoma më e trishtueshme është të shohësh se skuthllëku i atyre që në mëngjes recitojnë vargje biblike apo kuranore dhe mbrëmja i gjen duke shembur rrethime teqesh apo mbuluar xhami”, shprehet Tabaku.